Gjatë muajit gusht policia ndërmori disa operacione për goditjen e kultivimit të kanabisit. Mijëra efektivë policie u angazhuan nga toka dhe ajri për identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të hashashit. Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” siguroi nga Policia e Shtetit, mësohet se vetëm në malësinë e Tiranës u asgjësuan rreth 1000 bimë narkotike. Zonat e thella dhe ato pyjore, cilësohen nga policia si zona të kuqe, që trafikantët i përdorin për të mbjellë bimën narkotike. Sipas policisë, Dukagjini, Fushë-Kruja, Tepelena e Vlora janë disa nga zonat ku kultivohet më shumë hashash.
Nga Elvis Myrta
Krimi i organizuar është i vetmi sektor që nuk e ndien krizën, ku mbarë bota është futur, për shkak të COVID-19. Edhe pse jemi në kohë pandemie, kultivuesit e kanabisit e vazhdojnë aktivitetin e tyre. Gjatë vitit 2020 janë asgjësuar qindra parcela me bimë narkotike. Muaji gusht është muaji që përkon me muajin e korrjeve të bimëve narkotike. Gjatë këtij muaji Policia e Shtetit ka ndërmarrë disa operacione, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit. Shqipëria cilësohet si një nga vendet ku kjo bimë mbillet në mënyrë masive nga grupet kriminale, për shkak të klimës së favorshme.
Temperaturat e larta favorizojnë rritjen e bimës narkotike në kohë rekord, dhe kjo ka bërë që Shqipëria të jetë një nga vendet që mbajnë vendin e parë për kultivimin e kanabisit. Gjatë gushtit Policia e Shtetit nisi gjuetinë në shumë zona malore për të evidentuar dhe asgjësuar bimët e mbjella në mënyrë të paligjshme. Gazeta “Fjala”, nga informacionet në Policinë e Shtetit mësoi se gjatë muajit gusht janë angazhuar mbi 1000 efektivë policie për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm. Kontrollet janë ushtruar nga drejtoritë vendore të policisë, forcat e lëvizshme operacionale, si dhe policia kufitare.
Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se gjatë muajit gusht janë zbuluar disa parcela droge në disa zona të thella të kryeqytetit. Sipas informacioneve, mësohet se zonat ku janë asgjësuar bimë narkotike gjatë këtij sezoni janë zonat e Dukagjinit, malësia e Krujës dhe Tepelena. Por, nuk mbeten mbrapa as zonat e thella të Librazhdit, dhe zonat rurale të kryeqytetit. Si rezultat i kontrollit në të gjithë vendin, në këto zona gjatë gushtit janë asgjësuar mijëra bimë narkotike. Monitorimi nga ajri me dron, i koordinuar me grupet e kontrollit nga toka ka bërë të mundur verifikimin e çdo koordinate ku dyshohet se mund të ishte mbjellë bimë narkotike. Referuar burimeve të policisë, bëhet me dije se monitorimi për t’i indentifikuar zonat ku mbillet kanabisi nis gjatë sezonit kur mbillet bima narkotike.
Pasi këto zonat e kuqe identifikohen policia bën skicimin e tokës ku është mbjellë kanabisi, dhe më pas i jepet goditja pikërisht në kohën kur trafikantët nisin nga korrja. Ky është edhe shkaku i operacioneve të shumta që policia ndërmori dhjetëra aksione gjatë muajit gusht. Pas gjetjes së drogës efektivët e policisë numërojnë rrënjët, e korrin dhe më pas lënda asgjësohet duke u djegur. Për sa i përket ndërhyrjes, pasi konstatohet një parcelë hashashi, policia kryen kontrolle paraprake të terrenit për persona të armatosur, të cilët mund të jenë për ruajtjen e parcelave, dhe pas kontrollit e verifikimeve, nëse efektivëve nuk u rrezikohet jeta, atëherë ndërmerret operacioni për asgjësimin e kanabisit.
Në shumicën e rasteve pas mbjelljes së hashashit në këto zona qëndrojnë grupe kriminale, por ka dhe raste kur banorë të zonës nisin rrugën e prodhimit të bimës së ndaluar. Kryesisht trafikantët hapin toka mes pyjeve, ose në male dhe aty nisin kultivimin.
1000 bimë narkotike u asgjësuan në malësinë e Tiranës
Për asgjësimin e hashashit gjatë muajit të nxehtë të gushtit, u ndërmorën disa operacione edhe nga policia e Tiranës. Blutë e kryeqytetit, të ndihmuar edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, zhvilluan kontrolle pothuajse në të gjithë malësinë e Tiranës. Gjatë këtyre aksioneve u asgjësuan mijëra bimë narkotike. Më konkretisht, vetëm në zonën e thellë të Zall-Bastarit policia asgjësoi rreth 1000 bimë narkotike. Operacionet për goditjen e kultivimit të kanabisit u shtrinë në serra, farishte, ish-depo të ushtrisë, banesa të braktisura, si dhe në zonat pyjore. Kontrollet më pas kanë vijuar në ambiente të hapura dhe në banesa, bazuar këto mbi informacionet e grumbulluara nga policia.
Operacioni kishte për qëllim evidentimin dhe shkatërrimin e farishteve, kubikëve të bimëve narkotike dhe sekuestrimin e farave kanabis sativa. Burime për gazetën “Fjala” bënë me dije se në këtë operacion janë angazhuar dhjetëra efektivë të policisë së Tiranës, ku në grupet e monitorimit kanë marrë pjesë dhe drejtues të kësaj drejtorie. Trafiku i narkotikëve në vitet e fundit i ka fuqizuar grupet kriminale të cilat merren me organizimin e kultivimit dhe trafikimin e hashashit drejt vendeve fqinje.
Sipas vlerësimeve të policisë shqiptare, trafiku i narkotikëve mbetet krimi ndërkufitar më i përhapur në zonën mes Shqipërisë, Italisë e Greqisë fqinje. Krahas forcave policore kufitare shqiptare, me synimin për ta frenuar trafikun e drogës, po vepron edhe FRONTEX. Ata po bashkëpunojnë me autoritetet shqiptare për të goditur rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të trafiqeve.
BOKS
Policia: U proceduan dhjetëra kryepleq fshatrash, nën hetim edhe disa efektivë
Sipas burimeve zyrtare, gjatë muajit që lamë pas, çdo ditë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera në të gjithë territorin, mbi 125 grupe kontrolli, 30 dronë dhe helikopteri i policisë. Gjithashtu, terreni monitorohet edhe me avion special nga Guardia di Finanza. Gjatë muajit gusht, kur është edhe korrja e bimës narkotike, janë proceduar dhe arrestuar dhjetëra zyrtarë lokalë të administriatës. Procedimet ndaj tyre kanë nisur, pasi ligji i ngarkon me përgjegjësi për të bashkëpunuar me policinë për parandalimin e kultivimit të kanabisit. Gjithashtu, sipas burimeve zyrtare, gjatë gushtit janë vënë nën hetim apo proceduar disa punonjës policie.
“Dhjetëra zyrtarë lokalë e të administratës, që ligji i ngarkon me përgjegjësi për të bashkëpunuar me policinë për parandalimin e kultivimit të kanabisit, janë proceduar dhe arrestuar, sikundër jo të pakta janë rastet kur punonjës policie i janë nështruar hetimit disiplinor apo procedimit penal”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë për parandalimin e kultivimit të kanabisit. Më tej, blutë thonë se janë arrestuar dhjetëra persona si autorë të mbjelljes së hashashit.
“Janë dhjetëra persona të arrestuar e proceduar si autorë e përkrahës të krimit në tentativën për të kultivuar apo trafikuar kanabis dhe të gjitha këto tregojnë se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për ta luftuar deri në fund këtë veprimtari kriminale”, thuhet në komunikatë. Policia e Shtetit shton se do ta vijojë luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar, dhe i fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 apo në komisariatin digjital, duke garantuar anonimat, reagim të shpejtë, profesional e të panashëm. /Ra.My.Fjala.al/