BKH/Gara për “FBI-në shqiptare”, shumica e aplikantëve nga radhët e policisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Muaji shtator do të jetë mjaft impenjativ për Byronë Kombëtare të Hetimit, ku shumë shpejt do të nisë puna për rekrutimin e hetuesve që do të bëhen pjesë e kësaj strukture. Nga informacionet që gazeta “Fjala” ka siguruar, shumica e aplikantëve që kanë kandiduar deri tani për t’u bërë pjesë e BKH-së, janë nga radhët e policisë. Mësohet se deri tani janë rreth 50 efektivë policie që kanë shfaqur interes për t’u bërë pjesë e këtij institucioni. Ndërkohë, mësohet se aplikimet do të jenë të hapura deri në fund të muajit shtator.

Nga Elvis Myrta

Muaji shtator ka nisur mjaft impenjativ për Byronë Kombëtare të Hetimit, institucion i cili do të hetojë të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj”. Përveç, shqiptarëve që shpresojnë se BKH-ja do të vërë përpara përgjegjësisë të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë të korruptuar në tri dekadat e fundit, ky institucion ka marrë edhe bekimin e ndërkombëtarëve. Pas hapjes së garës për rekrutimin e hetuesve, në zyrat e BKH-së “zbarkuan” edhe ndërkombëtarët. E para që do ta bekonte institucionin e ri të drejtësisë ishte ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila tri ditë më parë zhvilloi një takim me drejtoreshën e BKH-së, Aida Hajnaj, duke e uruar atë për detyrën e re dhe të vështirë që e pret.

Pas ambasadores amerikane, mëngjesin e djeshëm, ishte ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, i cili zhvilloi një takim me drejtoreshën e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Burime për gazetën “Fjala”, bënë me dije se tema kryesore e diskutimeve mes drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë dhe ndërkombëtareve ishte përzgjedhja e 60 hetuesve të “FBI-së shqiptare”. Mësohet se Byroja Kombëtare e Hetimit do të zbatojë të njëjtën formulë që ndjek FBI-ja për rekrutimin e agjentëve të vet. Por cilët janë 60 hetuesit e kësaj strukture, që do të hetojnë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar? Gazeta “Fjala”, nga burime brenda këtij institucioni, mësoi se shumica e kandidatëve që kanë shfaqur interes për t’u bërë pjesë e BKH-së, vijnë nga radhët e policisë. Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar, deri tani janë rreth 50 efektivë policie që kanë aplikuar për të qenë pjesë e kësaj strukture. Por, numri mendohet të shtohet edhe më shumë, pasi aplikimet për të qenë pjesë e kësaj strukture nuk janë mbyllur ende. Në mesazhin e saj të parë, drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj, përveç se fton më të mirët e policisë për t’iu bashkuar hetimit ndaj të korruptuarve, garanton edhe paanshmëri, barazi dhe transparencë gare.

Mësohet se aplikimet për të qenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të vazhdojnë edhe në dy javët në vazhdim dhe më pas do të nisë seleksionimi për përzgjedhjen e 60 më të mirëve. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të martën hapjen e procedurës së aplikimit për pozicionin hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH. Pas zgjedhjes dhe emërimit të drejtueses, Aida Veizaj, SPAK-u nis procesin e rekrutimit të hetuesve që do t’i bashkohen Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas njoftimit, kandidatët duhet të kenë përvojë në luftën kundër korrupsionit ose krimit të organizuar, duhet të kenë arsim të lartë policor ose në fushat e drejtësisë dhe të kontabilitetit. “Sistemi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së është një proces sfidues mendor dhe fizik, i përgatitur për të gjetur kandidatët më të aftë dhe më me integritet.

Ata që janë të suksesshëm në procesin e përzgjedhjes do t’i bashkohen një skuadre elitë që mbështet Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të ndjekin dhe hetojnë veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar,” thuhet në njoftimin e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme bëri me dije se kriteret për aplikantët janë aftësitë profesionale, etike dhe integriteti moral, të mos jenë shkarkuar asnjëherë nga detyra apo të mos kenë masë disiplinore në fuqi, si dhe të jenë në kushtet e mungesës së konfliktit të interesit. Të përzgjedhurit do t’u nënshtrohen më pas provimeve me shkrim, testeve të aftësisë fizike dhe intervistave. Ata do t’i nënshtrohen gjithashtu testit të poligrafit, si dhe verifikimit të pasurisë dhe të konfliktit të interesit. Aplikimet do të jenë të hapura deri në 29 shtator 2020.

Lexo edhe :  Rast i ri me meningit akut në Durrës, 14-vjeçari dërgohet me urgjencë në QSUT

Trajnimi në SHBA

Pas seleksionimit së 60 hetuesve të së ashtuquajturës FBI-ja shqiptare, të përzgjedhurit do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u trajnuar nga amerikanët. Akademia e Trajnimeve, ku do të shkojnë hetuesit e BKH-së, ndodhet në Uashington dhe është një strukturë kombëtare me shërbime të plota, ku përfshihen salla konferencash dhe klasa, dhoma për të fjetur, vende për të pushuar, palestër, pishinë, bibliotekë dhe një sallë ngrënieje. Hetuesit e BKH-së do të trajnohen atje për të identifikuar dhe luftuar tendencat e politikës, ekonomisë a faktorëve të tjerë të jashtëm që ndërhyjnë në punët e brendshme të policisë. Trajnime do të ketë po ashtu edhe për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe të hetuesve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm do t’i trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI-ja, por njëkohësisht do ta mbështesin strukturën e re edhe në anën logjistike.

Byroja Kombëtare e Hetimit do të zëvendësojë Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Ky organ do të shërbejë vetëm pranë SPAK-ut dhe do të ketë në fokus krimin e organizuar dhe korrupsionin. Do të ketë akses në përgjime, në sistemet elektronike dhe në çdo gjë tjetër që konsiderohet e vlefshme për hetimet. Po ashtu, ky organ do të monitorojë anëtarët e SPAK-ut, duke u përgjuar telefonat dhe duke u kontrolluar llogaritë bankare. BKH-ja do të ketë në përbërje 60 hetues. Aplikantët për pozicionin e hetuesit të BKH-së duhet të dinë që procesi i përzgjedhjes do të jetë shumë rigoroz dhe sfidues. Ai është përcaktuar në ligjin për SPAK-un dhe do të vlerësojë aftësitë profesionale, integritetin, si dhe aftësitë mendore e fizike të aplikantëve.

SPAK-u bën goditjen e parë në sistemin e drejtësisë, arrestohet gjyqtarja e Apelit Korçë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë goditjen e parë për vënien përpara ligjit të njerëzve të sistemit të drejtësisë. SPAK-u ka vënë në pranga gjyqtaren e Apelit të Korçës, Mimoza Margjekën, të akuzuar për korrupsion. Sipas institucionit të akuzës, gjyqtarja ka marrë 6 mijë euro për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg”, në “granci pasurore”, një trafikanti. Së bashku me gjyqtaren në pranga përfundoi edhe bashkëshorti i saj dhe 3 persona të tjerë. Të arrestuarit janë Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, me prfesion avokat. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Nga hetimet e SPAK-ut rezulton se bashkëshorti i gjyqtares, ka marrë shumën prej 6 mijë erosh për ndryshimin e masës së sigurisë, ndaj Orion Balit, i arrestuar në Pogradec, pasi po transportonte emigrantë të paligjshëm. SPAK-u ka dokumentuar se gjyqtarja e Apelit në Korçë, Mimoza Margjeka, ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg, në garanci pasurore, menjëherë sapo bashkëshorti i saj ka marrë shumën prej 6 mijë eurosh, nga avokati i Orion Balit, Skënder Demiraj. Shuma e parave iu pagua bashkëhsortit të gjyqtares, nga Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, të afërm të Orion Balit.

Gjykata ka vendosur që Mimoza Margjeka, gjyqtare e Apelit në Korçë, të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për bashkëshortin e saj, Arben Cara, u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”. Edhe për avokatin Skënder Demiraj është dhënë masa arrest shtëpie, ndërkohë, që Nejton Bali dhe Klaudio Zhilla janë arrestuar nga policia. Mimoza Margjeka është gjyqtarja që nuk pranoi të certifikonte mandatin e kryetares së Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Në atë kohë Mimoza Margjeka e argumentonte vendimin, pasi Partia Bindja Demokratike ishte regjistuar përtej afateve ligjore dhe për pasojë fleta e votimit, ku ndodhej edhe kandidatja e Partisë Bindja Demokratike, ishte e pavlefshme. Por vendimi i saj u rrëzua në atë kohë brenda 48 orësh nga e njëjta gjykatë. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Butrint Imeri nuk heq dorë nga vajzat e famshme, bën publike lidhjen me modelen

Këngëtari i njohur shqiptar, Butrint Imeri, është përfolur së fundmi për një lidhje të mundshme me modelen turke. Dyshja...

“Burri më kërcënoi me thikë”,flet gruaja nga Korça:Erdhi i pirë, më mbrojti djali i vogël

Një grua nga Korça ka rrëfyer momentet e frikës që përjetoi pasi u kërcënua me thikë nga bashkëshorti i saj 57-vjeçar. Sipas saj, burri i...

I dërguari amerikan: Evropa nuk do të jetë pjesë e bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë

Evropa do të konsultohet, por përfundimisht do të përjashtohet, nga bisedimet e planifikuara të paqes midis Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës, ka zbuluar i dërguari...

Incidenti me makinë në Mynih, humb jetën nëna dhe vajza e saj

Një vajzë 2-vjeçare dhe nëna e saj 37-vjeçare, të cilët u plagosën rëndë në sulmin e së enjtes në Mynih, kanë vdekur nga plagët...

Sarandë, humbet kontrollin dhe del nga rruga benzi, arrestohet drejtuesi

Një 42 vjeçar është arrestuar nga shërbimet e Qarkullimit  Rrugor  në Sarandë. Gjergj Gjergji Shkokota duke udhëtuar me mjetin e tij tip benz, me...

Lajme të tjera

Web TV