Leonard Karaj: Ndryshimet e ministrave nuk e shpëtojnë qeverinë nga kolapsi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gazeta “Fjala”, dy ditë më parë, ka botuar një shkrim analitik për ndryshimet e mundshme në qeveri, cilët ministra pritet që të ikin dhe cilët do të qëndrojnë. Pas ministres së Arsimit një tjetër ministër, ai i Brendshmi, ka thënë se s’do të jetë më ministër. A mendoni se kryeministri Edi Rama do të nxitet tani që të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri, 8 muaj para zgjedhjeve dhe, nëse po, çfarë përfitimi do të kishte kjo lëvizje për të dhe PS-në në funksion të fushatës?

Ndryshimi në vetvete është risi. Por kjo gjë nuk vlen për “Rilindjen”. Çfarëdo lloj lëvizjeje të bëjë aktualisht kryeministri, nuk arrin dot të zhbëjë dëmin moral që u ka shkatuar nga njëra anë anëtarëve dhe militantëve të PS-së dhe dëmin ekonomik që u ka shkaktuar shqiptarëve. Ikja (shporrja, duhet thënë në gjuhën e Ramës), e znj. Shahini dhe z. Lleshaj tregon qartë se zgjedhjet e kryeministrit jo thjesht kanë qenë të gabuara, por me faj të rëndë. Kjo pasi si Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit (jo se të tjerat kanë më pak peshë), kanë qenë një peshore, që nëse do të ishte sadopak reale për jetën e qytetarëve të këtij vendi, do të kishte ndikuar mjaftueshëm pozitivisht që Rama të mund të vijonte “të krekosej” si babai i kombit. Fakt është se jo vetëm Lleshaj dhe Shahini, por përgjithësisht gjithë qeveria është në pikë të hallit, ndaj ndryshimi nuk duhet të pritet tek emrat e ministrave, por tek emri i kryeministrit. Unë gjykoj se PS-ja do të mund të përfitonte shumë herë më tepër, nëse në krye do të kishte aktualisht një Ramë të dedikuar totalisht ndaj partisë dhe fushatës elektorale, sesa një Ramë edhe nën veshjen e kryeministrit. Por, sigurisht, kjo ide e imja është goxha utopike, kur mendon se sa i sëmurë për pushtet është personazhi në fjalë. Rama është i gatshëm të shesë edhe muret e Kryeministrisë (dhe jo më të partisë që as i llogarit fare), vetëm e vetëm që ai të jetë kryeministër. Kjo në gjuhën e Niçes quhet “narcizizëm i sëmurë”.

Pavarësisht arsyeve publike të dhëna nga Shahini dhe Lleshaj, besohet se ata po largohen, për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin. A mendoni se ka dhe ministra të tjerë që kanë probleme me performancën e tyre? Nëse do të bëheshin sot ndryshimet në qeveri, cilët janë ata ministra që duhet të iknin dhe ata që duhet të qëndronin, sipas gjykimit tuaj?

Lexo edhe :  Primaret në qarkun e Durrësit/ Floriana Garo: Një super manifestim demokracie!

Nuk duhet të jesh Ajnshtajni për të kuptuar se si qeveris Rama. Është fare e thjeshtë: ose je sikundër dëshiron ai, ose nuk ekziston fare. Në këtë kontekst, Shahini dhe Lleshaj, jo se nuk kanë dashur që të jenë sipas oreksit të Ramës, por kanë qenë mjaftueshëm “të paaftë” për ta kuptuar këtë të fundit. Në këtë linjë janë edhe thuajse pjesa dërrmuese e ministrave. Mjafton të shikosh “lëpirje pa fund” që i bëhen Ramës nga Manastrirliu, Balluku, Ahmetaj dhe, mbi të gjitha, Spiropali, për të kuptuar se kush ka “kredenciale” për të qëndruar ende në qeveri dhe kush është në gojë të ujkut.

Nga pikëpamja e përbërjes, shumë emra ministrash nuk i thonë asgjë publikut, pasi janë të pavotuar dhe pa karrierë politike të mëparshme, në këtë kontekst, një rifreskim i qeverisë a mund të premtonte një ndryshim në raportin e PS-së me votuesin për zgjedhjet e reja?

Gabimi i emërimit të ministrave që nuk kanë lidhje fare jo vetëm me PS-në, por edhe me jetën pubklike të këtij vendi është tashmë një film i përfunduar. Asgjë nuk e shpëton dot Ramën nga Besa Shahini, Gent Cakaj, Sandër Lleshaj, Elva Margariti, Anila Denaj, emra këta që një Zot e di se pse u bënë ministra. Tashmë, zëvendësimi i tyre nuk sjell asgjë. Në vend të tyre mund të vendosësh sot edhe militantin më të regjur të PS-së, por edhe ai vetë do ta kuptojë se nuk do jetë aty, sepse e duan dhe e meriton, por se duhet “të përdoret” si rreckë, të paktën deri më 25 prill 2021, nga z. Rama. Për mendimin tim, kjo është një qeveri në grahmat e fundit, e mbaruar totalisht në raport ne çka mund t’u japë shqiptarëve, por absurdi qëndron në faktin se këta (qeveria), janë vërtet keq, por në kahun tjetër, atë opozitar, akoma nuk shihen shenja të një shprese, besueshmërie që të të ngrohë, të paktën sa një fije shkrepëseje. Ndaj edhe Rama kapardiset ende, duke kërkuar paturpësisht, një mandat të tretë./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Një natë pa gjumë nxit humbjen e kujtesës

Një studim i publikuar pak ditë më parë zbuloi se mjafton një natë pa gjumë për të nxitur humbjen...

Drejtori i CIA-s: Trump dëshiron t’i japë fund luftërave

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, konfirmoi se Presidenti Trump urdhëroi një pauzë në ndarjen e inteligjencës me Ukrainën. “Ajo që tha Presidenti Trump është, ai...

Çfarë do të thotë ngjyra e të verdhës së vezës dhe pse nuk është gjithmonë njësoj

Ju mund të keni vënë re se ushqimi numër një ushqyes në planet, veza , nuk është kurrë e njëjtë dhe se jo të...

“Do më gjuajnë me domate kur të dal nga këtu…”/ Egli e përlotur bisedon me Danjën

Pas Prime-t të djeshëm ku Egli dhe Gjesti debatuan për nishanin në trupin e banores, Egli është shfaqur e përlotur. Në një bisedë me Danjën,...

Molla/ Cilat janë disa nga përfitimet shëndetësore të saj në organizëm

Nëse ekziston një frut që të bën shumë mirë për organizmin ajo është molla. Molla njihet për vlera dhe përbërës të jashtëzakonshëm ushqimorë që...

Lajme të tjera

Web TV