Gjiknuri: Ndryshimet kushtetuese janë në fuqi. Hajdari: Rama do tepsinë, Mona s’do t’i shqitet Lulit

Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri duket se nuk bën asnjë hap pas për implementimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Gjiknuri  i ka bërë të qartë Opozitës së Bashkuar se ndryshimet kushtetuese janë në fuqi, dhe se tashmë mbetet detyrimi që të reflektohen në Kodin Zgjedhor.

Po ashtu Gjiknuri i ka bërë ftesë që deri të premten të sjellin propozimet për pragun kombëtar zgjedhor, afatet e paraqitjes së listës unike nga aleancat dhe si do të kryhet aspekti procedurial i votimit për  kandidatët në lista të hapura.

Gjiknuri shton se fillimisht duhet që të në fillim duhet të reflektohen ndryshimet kushtetuese, më pas i drejtohet ODIHR-it për rekomandime.

“Ndryshimet kushtetuese tashmë janë në fuqi. I doni apo nuk i doni kjo është tjetër çështje. Kemi Kushtetutën në fuqi dhe detyrimin për ta reflektuar në Kodin Zgjedhor. Ju lutem, ju ftoj që në ditët e ardhshme, deri të Premten të sillni propozimet tuaja.

Kërkesa juaj për të kërkuar në këtë fazë mendimin e ODIHR është e çuditshme kur jeni ju që na detyruat që të bëjmë një marrëveshje në 5 Qershor e cila binte në kundërshtim me rekomandimin kyç të ODIHR që ishte depolitizimi i administratës zgjedhore.

Atëherë nuk donit të pyesnit për ODIHR ndërsa tani qenkeni kujtuar ti kërkojmë mendim! Ne pranuam atë çka kërkuat ju në 5 Qershor dhe firmosëm bashkarisht pikërisht për t’ju plotësuar juve kërkesat. Gjithsesi e kemi firmosur atë marrëveshje dhe i kemi qëndruar asaj plotësisht”, tha Gjiknuri.

Ndërsa përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari në një prononcim për mediat, pas mbledhjes ka thënë se i qëndron bindjes dhe do kërkojë 100% lista të hapura.

Lexo edhe :  “Fund i verës apo fillim i vjeshtës?/ Ekspertja e IGJEUM zbulon çfarë do ndodhi me motin

Po ashtu Hajdari vuri në pah edhe atë që ajo e ka quajtur problemin më të madh në Këshillin Politik: “Rama do të mbajë tepsinë e vet, kemi Monën që s’do ti shqitet Lulit dhe Luli që do të mbajë vagonin e partiçkave”.

“I thash që ne mund të ruajmë listat 100%, duke përdorur një mekanizëm që ka të bëjë me korrektimin e listave në bazë të gjinisë. Kjo do të thotë që qytetarët mund të votojnë në mënyrë të drejtë, por në fund i japim përparësi grave që marrin më shumë vota.

Sot ishte e qartë për mua dhe publikun, dhe problemi më i madh që ka ky Këshill është: Rama do të mbajë tepsinë e vet, kemi Monën që s’do ti shqitet Lulit dhe Luli që do të mbajë vagonin e partiçkave.

Ne kemi qytetarët që duan që në 25 prill të rrëzojnë këto parti të vjetra. Shqetësimi dhe propozimi im është lista të hapura 100% dhe do kërkoj nga Këshilli një qartësim sa i përket votës së diasporës. Do kërkoj që kjo çështje të zgjidhjet”, tha Hajdari./Bl.Ba/Fjala.al