Forcat Ajrore të Kinës publikuan një video që shfaqte një bombardues bërthamor që simulonte një sulm ndaj Bazës Ajrore Amerikane në Ishullin Guam në Paqësor.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë arritur nivele tepër të larta. Këtë e tregon dhe mesazhi i drejtpërdrejtë që Pekini ka lëshuar së fundmi.
Pamjet filmike të Ushtrisë Popullore Çlirimtare, erdhën teksa Kina po zhvillon disa stërvitje ushtarake në afërsi të Tajvanit, duke shprehur në këtë mënyrë zemërimin e saj për vizitën e zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Taipei.
Në sekuencën e filmuar përfshihen efekte audio dramatikeqë ngjasojnë me një trailer dhe titullohet: “Zoti i Luftës, H-6K, hidhet në sulm!”.
Bombarduesi kinez niset nga një bazë në shkretëtirë dhe më pas lëshon një raketë në një zonë të paidentifikuar që i ngjason bazës Andersen. Më pas toka fillon të dridhet derisa ndodh një shpërthim i madh.
“Ne jemi mbrojtësit e sigurisë ajrore të atdheut”, shkruan ushtria e Kinës në një përshkrim të shkurtër të pamjeve filmike. Ishulli i Guam është i një rëndësie të madhe për Shtetet e Bashkuara pasi strehon shumë ushtarë dhe mjete luftarake.
Kjo bazë amerikane konsiderohet tepër thelbësore në rast të ndonjë konflikti në Paqësorin Aziatik. Ru. Do/ Fjala.al