Nga Bardhi Quku/Kur një media e caktuar ka denoncuar afera korruptive kryesisht ndaj klasës politike është kthyer menjëherë në një tabelë qitjeje.
Kjo ka ndodhur kryesisht me mediat në Shqipëri, të cilat janë sulmuar apo intimiduar në format nga më të ndryshmet.
Megjithatë, politika shqiptare nuk ka kursyer as mediat më prestigjioze, siç është edhe ajo gjermane ‘BILD’.
Kur gazeta gjermane, Bild, publikoi vitin e kaluar përgjimet e kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe kryebashkiakëve të tij mbi mënyrën se si bliheshin zgjedhjet në Durrës dhe në Dibër, të cilat u përfshinë përkatësisht në dosjet 339 dhe 184, ajo u gjend menjëherë nën një sulm të pashembullt politik.
Gazetari, Peter Tiede, i cili denoncoi shit-blerjen e votës, shkroi në atë kohë se po sulmohej nga kryeministri Edi Rama. Por, qeveria e kryeministrit Rama nuk u mjaftua vetëm me kaq, ajo lëshoi militantët e saj në Facebook-un e Tiede duke i drejtuar një lumë akuzash dhe fyerjesh në drejtim të tij.
“Kokoshka! Edi Rama tani po përhap mesazhe troll nga RT gjermane për mua… propagandë e kremlinit – sa i dëshpëruar duhet të jesh?”, denoncoi Tiede atë kohë.
Nga ana e tij Edi Rama u përbetua se do ta padiste gazetën gjermane, por deri më tani kryeministri nuk duket se nuk ka pasur aq këllqe të ngrejë padi ndaj një medie gjermane, aq sa guxoi të padisë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn.
Kryeministri akuzoi edhe opozitës se kishte paguar për një artikull të tillë. Historia e përgjimeve dhe Ramës me BILD zgjati vetëm ‘3 ditë’ ashtu siç zgjasin zakonisht denoncimi i aferave korruptive në Shqipëri.
Por, dje BILD i ka rikthyer sërish sytë drejt Shqipërisë. Këtë herë jo ndaj Ramës, por ndaj Bashës; konkretisht historisë së tij me rusë dhe me 675 mijë dollarë në mes, që sipas medias gjermane u përdorën kundër integrimit të Shqipërisë.
Gazeta gjermane në një analizë të gjatë theksonte se “gjithë këto para të paguara nga rusët për Nick Muzin për llogari të PD kanë pasur si qëllim pengimin e Shqipërisë drejt BE-së”.
Lexo edhe:
Lobimi rus i PD, BILD: Mijëra dollarë për të mos pranuar Shqipërinë në BE
Në Shqipëri gjykata pushoi akuzat për falsifikim kundër Lulzim Bashës në lidhje me dosjen e lobimit në SHBA por mediat ndërkombëtare vijojnë që t’i kushtojnë vëmendje.
Deri më tani Basha nuk ka reaguar ndaj këtij artikulli, që pason atë të gazetës angleze the ‘The Times’.
Megjithatë, një reagim ka ardhur nga Shqipëria dhe kryesisht nga zyra e komunikimit të kryeministrit Rama, se tashmë BILD, nuk është një media bulevardeske, siç e etiketonte Rama vitin e kaluar kur doli në përgjimet e gazetës gjermane për shit-blerjen e votave.
Ndryshe nga @lulzimbasha_al qe perdori artikullin e Bild per te tentuar rrezimin me dhune te qeverise legjitime, PD do e rrezonte me vote liderin qe fle, po t’i jepej mundesia e zgjedhjes. Sidomos pas artikujve te Bild e Times qe thane haptas te verteten qe Luli tenton te fshehe.
— Endri Fuga (@endrifuga) January 19, 2020
“Jo për gjë, por siç thotë Lulzim Basha kur e shkruan Bild është e vërtetë dhe tani Bild thotë se Basha përdori 675 mijë euro kundër integrimit të Shqipërisë. Ne 2019 Lulzim Basha tentoi të digjte Shqipërinë duke u justifikuar me artikujt e Bild. Por, 2020 filloi me faktet e Bild që bien mbi Lulin dhe PD, të cilët paguajtën mbi gjysmë milionë euro kundër integrimit të Shqipërisë. Ndryshe nga Lulzim Basha që përdori artikullin e Bild për të tentuar rrëzimin me dhunë të qeverisë legjitime, PD do e rrëzonte me vote liderin që fle, po t’i jepej mundësia e zgjedhjes. Sidomos pas artikujve të Bild e Times që thane haptas të vërtetën që Luli tenton të fshehe”, shkruan Fuga.
Në reagimet e qeverisë ndaj gazetës gjermane, duket se si media tentohet të përdoret si armë për kundërshtarin kur i leverdis qeverisë, dhe është media e blerë kur denoncohen aferat qeveritare. Është e pamundur të ketë një BILD që thotë të vërtetën dhe një BILD që blihet. BILD është një për sa kohë është gjermane, kur kalon në tokën tonë ndahet përgjysmë; një nga qeveria, një nga opozita. /Fjala.al/