Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka marrë 84 masa administrative ndaj subjekteve të ndryshëm me një vlerë prej 26 milionë lekësh. Në muajin dhjetor inspektorati ka marrë masa vetëm ndaj një subjekti për shkak të mungesës së dokumentacionit tekniko-ligjor me një vlerë 150 mijë lekë.
Ndërkohë në nëntor numri i subjekteve të penalizuara ishte 9 ku edhe në këtë rast arsyeja kryesore kishte të bënte me mungesën e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor për të ushtruar aktivitetin. Po kështu nuk kanë munguar masat përsëritëse ndaj subjekteve që nga kontrollet e mëparshme u ishin lënë detyra për rinovimin e dokumenteve specifike.
Më herët gjatë vitit 2019 qeveria njoftoi nisjen e një aksioni specifik kryesisht në fushën e hidrokarbureve ku në fokus u vunë rafineri, pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Kjo erdhi në funksion të uljes së informalitetit ku u nënvizua se do të kontrolloheshin të gjithë elementët e tregut përfshirë pikat e pakicës për kolaudimin e pompave.
ISHTI u ndal gjatë 2019 edhe në disa pika të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike janë vënë në fokus të kontrolleve dhe ndaj tyre është marrë masë administrative kjo e nxitur nga disa aksidente me pasojë të rëndë.
Të tjerë janë qenë subjekte private në fushën e hotelerisë apo restorante të cilëve u është gjetur në përdorim rezervuar gazi por për të cilin nuk disponoheshin dokumentet që sanksionon kuadri ligjor. Ky aksion me fokus enët nën presion zë vend zakonisht përgjatë verës në bregdet por nuk përjashton edhe aksionet përgjatë gjithë vitit dhe në gjithë vendin.