Krim misterioz/Kanabisi zhduk tre kushërinjtë, dy prej tyre dyshohet se janë vrarë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vitet e fundit personazhe të njohur të krimit, por edhe persona të paskeduar që merren me aktivitet kriminal, janë zhdukur në mënyrë të mistershme. Pas zhdukjes së tyre ka pasur një histori ku ata janë përfshirë në trafikun e drogës apo ngjarje kriminale që janë bërë pothuajse të përditshme në këto vite. I tillë është edhe rasti i djeshëm në fshatin Virthë të Malësisë së Madhe, ku tre të rinj që prej 3 tetorit rezultojnë të zhdukur.


Nga Elvis Myrta

Në mungesë të “avionit special” të Guardia di Finanza-s që çdo vit fluturonte mbi Shqipëri për të zbuluar arat me kanabis, policia jonë ngriti dronët dhe nisi në terren mijëra forca, por duket se kanabisi në zonat e thella malore është një fenomen shqetësues, deri në ekzekutimin e të rinjve që e kultivojnë. I tillë është edhe rasti i djeshëm në fshatin Virthë të Malësisë së Madhe, ku tre të rinj që prej 3 tetorit rezltojnë të zhdukur. Dyshohet se dy prej tyre mund të jenë vrarë. Këto dyshime janë qoftë të të afërmve, të cilët kanë bërë një kallëzim se këta shtetas nuk janë kthyer në shtëpi, por edhe të policisë së Shkodrës. Vilson Çutaj 37 vjeç, Klement Pepaj 21 vjeç dhe Daniel Pepaj 25 vjeç, prej tri ditësh kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre në mënyrë misterioze. Denoncimi është bërë nga vëllai i njërit prej të zhdukurve.

Më konkretisht, mesditën e së shtunës vëllai i Vilson Çutajt, është paraqitur në komisariatin e Malësisë së Madhe, ku ka bërë edhe denoncimin për zhdukjen e të afërmve të tij. Pas denoncimit policia nisi kontrollin për gjetjen e këtyre shtetasve dhe ngriti një grup hetimor për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar nga blutë e qytetit verior, dyshohet se tre të rinjtë kanë pasur parcela me kanabis. Sipas burimeve, ditët e fundit ata kanë nisur një debat mes tyre, ku akuzuan njëri-tjetrin se kanë vjedhur sasi kanabisi që kishin kultivuar. Nga informacionet dhe dëshmitë e bashkëfshatarëve të tyre, përpara se të humbnin gjurmët tre të rinjtë janë takuar te kafeneja e fshatit dhe debatuan mes tyre, duke kaluar edhe në ofendime.

Edhe pse të afërm, lidhja e gjakut nuk i ka penguar Vilson Çutajn dhe Klement Pepajn të marrin në fshatin Bajzë Danjel Pepajn dhe ta mbajnë atë peng për disa orë. Madje, dyshohet se ata edhe e kanë rrahur, por më pas e kanë liruar. Pasi e kanë liruar Danjel Papaj, u ka kërkuar takim kushërinjve të tyre në fshatin Vrithë. Pas këtij takimi ata kanë humbur çdo kontakt me familjet e tyre. Që mbrëmjen e 3 tetorit të tre shtetasit janë zhdukur nga ku mendohet se Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj mund të jenë vrarë dhe trupat e tyre janë zhdukur, ndërsa shtetasi i dyshuar si i përfshirë në këtë ngjarje është Danjel Pepaj. Ky i fundit mendohet se pasi ka ekzekutuar të afërmit e tij është larguar drejt Malit të Zi. Sipas lokacionit që tregon celulari, një nga të dyshuarit si i vrarë, tregonte se ishte në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe dhe tjetri në fshatin Razëm. Por pavarësisht kërkimeve, ata nuk janë gjetur dhe GPS nuk ka funskionuar më. Ka qenë vëllai i Vilson Çutajt, ai që ka bërë denoncimin në polici dhe ka deklaruar për policinë se sherri ka nisur për një femër, por policia nuk e beson këtë version. Madje, në krimin makabër dyshohet se janë përfshirë edhe të tjerë persona.

Kallëzimi dhe hetimet

Paditen e të dielës, Oslon Çutaj ka bërë kallëzim se prej orës 15:00 të të shtunës, ai ka humbur çdo kontakt me vëllain e tij, Vilson Çutaj, dhe dy kushërinjtë Klement Pepaj dhe Danjel Pepaj. Burime nga policia thonë se dyshohet që Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj mund të jenë vrarë, ndërsa autor i dyshuar është Danjel Pepaj, për të cilin ka dyshime se është larguar drejt Malit të Zi, të dhëna të cilat pritet të verifikohen më tej. Të njëjtat burime thanë për gazetën “Fjala” se në kallëzimin e tij, vëllai i njërit prej të zhdukurve ka treguar se të rinjtë kanë pasur një sherr për një vajzë më herët, megjithëse hetuesit kanë dyshime se ngjarja, në fakt, ka prapavijë tjetër. Pista kryesore e hetimeve deri tani mbetet ajo e ndonjë përplasjeje për parcelat me kanabis, pasi nga disa dëshmi të marra nga persona të tjerë të zonës, është ngritur pretendimi se kanë qenë të implikuar.

Deri më tani policia në bashkëpunim dhe me prokurorinë kanë marrë një sërë dëshmish që të hedhin dritë për momentin e fundit kur janë parë të rinjtë. Sipas këtyre dëshmive, mësohet se Danjel Pepaj, është parë me armë në dorë për herë të fundit, ndërsa dy personat e tjerë janë larguar nga banesat, duke thënë se do të konsumonin kafe. Burime thanë për Syri Televizion se Vilson Çutaj ka qenë i arrestuar vite më parë për falsifikim dokumentesh, ndërsa Klement Pepaj ka pasur probleme me drejtësinë në Zvicër, konfirmuar kjo edhe nga babai i tij. Ndërkohë nga kontrollet e ushtruara ende nuk është bërë gjetja e tyre, ndërsa deri më tani hetuesit janë duke ecur vetëm me dyshime. Nga ana tjetër, prindërit e Klement Pepajt folën për mediat duke thënë se nuk kanë asnjë dyshim dhe se djali i tyre nuk ka pasur konflikte.

Dëshmitë e familjarëve

Babai i Klement Pepajt shpreh dyshimet se djali i tij është vrarë nga Danjeli, kjo për shkak se ai është parë me automatik. Gjithashtu, Nush Pepaj thotë se ka pasur kontakt me djalin e xhaxhait, i cili i ka thënë se Danjeli prej një jave nuk ishte në shtëpi ndërkohë që banorët e zonës thonë se gjatë kësaj periudhe e kanë parë atë në fshat. “Thonë që kanë marrë drejtimin e malit dhe nuk janë kthyer më prej atje. Klementi ka ardhur një vit më parë, pasi e ekstraduan nga Zvicra dhe ka punuar në një kioskë të vogël. Djali im ka qenë punëtor dhe kam frikë se e ka implikuar kushëriri në ndonjë problem. Disa bashkëfshatarë kanë thënë në polici se ka qenë konflikt droge. Sipas policisë, djali i xhaxhait është parë me automatik, Danjeli. Për djalin tim dhe Vilsonin nuk dimë ende asgjë. Mund të jenë dhe hamendje për të krijuar një konflikt”, u shpreh babai i njërit prej të zhdukurve. Përpara gazetarëve babai i Pepajt i bëri thirrje ministrit Lleshaj që të shtojë forcat policore për gjetjen e djalit i tij.

Ai i kërkoi ministrit ngritjen edhe të një helikopteri që t’u vijë në ndihmë efektivëve që janë duke kryer kërkimet nga toka, pasi për shkak të terrenit të vështirë malor gjetja e të rinjve vështirsohet. “Unë i kërkoj ministrit të Brendshëm të vërë në dispozicion të gjtha mjetet në tokë dhe ajër që të gjejmë djalin. Në Malësi të Madhe më kanë thënë që këta të 3 kanë pasur konflikt. Kam folur me djalin e xhaxhait dhe ai më tha se prej 2 javësh nuk e kam parë. Ndërsa të tjerë thonë që e kanë parë. Unë dyshoj se më ka mashtruar. Dyshimet më të mëdha i kam te Danjeli se më ka vrarë djalin”, tha Nush Pepaj. Në fund ai tha se djali kur kishte dalë nga shtëpia i kish thënë që po shkoj të pi kafe me Vilsonin. Deri tani ne nuk dimë asgjë për ta. Policia ka bashkëpunuar me ne, kanë kërkuar, por nuk i kanë gjetur. Unë djalin tim e kam lënë në shtëpi. Kur erdha në banesë pyeta bashkëshorten se ku është djali, dhe më tha që ka dalë për një kafe me Vilsonin. Me djalin kam biseduar vazhdimisht, por ai nuk më ka thënë kurrë nëse ka problem me ndonjë person”, tha babai, Nush Pepaj. Ndërsa e ëma e të riut është shprehur se në dijeninë e saj djali nuk ka pasur konflikte me njeri. Më tej ajo shton se ditën që Pepaj humbi kontaktet me familjen, doli për të pirë kafe e më pas nuk u kthye më. “Unë isha në shtëpi me djalin. Doli me xhup për të pirë një kafe, por që prej asaj dite nuk e pashë më. Nuk dimë asgjë. Veç kur na erdhi policia në 3 të natës dhe na tha ku është Klementi”, tha e ëma Klodianit, Gjelina Pepaj.

Një fenomen që përsëritet…

Çdo ditë Shqipëria po tronditet nga një ngjarje e rëndë. Ekzekutime për shkak të larjes së hesapeve, gjobëvënie, pengmarrje, atentat me bombë, atentat me snaiper, janë këto disa ngjarjet e rënda që kanë ardhur nga përplasjet mes grupeve kriminale që kanë tronditur vendin së fundmi. Por, pas fuqizimit të grupeve kriminale dhe përfshirjes së tyre në trafikun e drogës, do të ndryshonte çdo gjë. Në dekadën e fundit përplasjet mes grupeve kriminale, përplasjet mes bandave kanë qenë të shumta, ku qindra apo ndoshta edhe mijëra persona janë ekzekutuar në atentate mafioze të llojeve të ndryshme. Historitë e këtyre ekzekutimeve kanë qenë nga më të ndryshmet, për kapriçio, për nxjerrje informacioni, për mosdorëzim malli, për shkelje rregullash, dominim territori etj. Por vitet e fundit këto vrasje ia kanë lënë vendin një akti tjetër kriminal, atij të rrëmbimit, vrasjes dhe asgjësimit të kufomës së shënjestrës, duke ua bërë punën shumë të vështirë autoriteteve për zbardhjen e këtyre ngjarjve, duke mos lënë pas asnjë provë. Së fundmi, disa herë është raportuar për zhdukje të mistershme të personazheve me precedentë kriminalë, por edhe të panjohur për drejtësinë, të cilët janë të përfshirë në aktivitete kriminale. Disa ngjarje janë zbardhur, ndërsa për disa të tjera dosjet e të zhdukurve kanë zënë “pluhur”, pasi autorët i kanë kryer krimet ndaj shënjestrave të tyre në mënyrën më perfekte të mundshme, duke mos lënë asnjë gjurmë pas.

Lexo edhe :  Pas rreth 7 orësh seancë për Erion Veliajn, GJKKO tërhiqet për vendim

Nga Enver Stafuka te Jan Prenga, rastet më të bujshme të zhdukjeve

Në këto 5 vitet e fundit janë raportuar shumë raste të zhdukjes së personave të ndryshëm, të cilëve u humb çdo gjurmë. Kurse familjarët e tyre do të jepnin gjithçka, vetëm që të kuptojnë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre. Gazeta “Fjala” më poshtë sjell listën e zhdukjeve më misterioze, që ga rrëmbimi dhe zhdukja e Enver Stafukës, në vitin 2015 deri në rastin e 17 janarit të 2020-s, ku u mor peng, u vra edhe u asgjësua Jan Prenga, për humbjen e një sasie kokaine në Angli. Në këtë 5-vjeçar vendi ka njohur me dhjetëra raste rrëmbimesh, vrasjesh, zhdukjesh, po edhe hedhjesh në det. Në disa raste deti i ka nxjerrë trupat, kryesisht të djemve dhe burrave të Vlorës, ndërsa ka raste që janë zhdukur pa asnjë gjurmë sot e asaj dite. Madje, duke përjashtuar rastin mizor të vrasjes së Gaz Çollakut, ku policia u detyrua të vihej në lëvizje, në të gjitha rastet e tjera, policia ka lëvizur, por shumë ditë me vonesë. Si në rastin e Jan Prengës.

Shkurt 2015, zhduket Enver Stafuka

Rreth orës 19:45 të së dielës së 8 shkurtit të vitit 2015, Enver Stafuka thirret nga mik i tij për të pirë kafe në një lokal në Fushë-Krujë. Në momentin që ai së bashku me dy miqtë e tij ishin duke konsumuar kafenë, katër persona, të veshur me uniforma policie, e marrin me forcë dhe e fusin në një mjet. Rrëmbimi filmohet nga kamerat dhe shihet nga disa kalimtarë të rastit. Emri i Stafukës në ato vite ishte lakuar në disa ngjarje kriminale. Ndaj tij autoritetet ngritën dyshime se ai ishte personi që grabiti makinën nga e cila u qëllua me breshëri kallashnikovi, ish-shefi i komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj. Rreth dy vite më parë në Dajt gjendet një kufomë, për të cilën u dyshua se i përkiste Stafukës, por autoritetet nuk mundën ta identifikonin viktimën. Edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 5 vite nga zhdukja e Stafukës, ende nuk ka asnjë gjurmë të tij apo të kufomës së tij.

Rrëmbimi dhe vrasja e Gazmend Çollakut

Më 6 janar të vitit 2016, tre persona të veshur me uniforma policie, thërrasin nga kafeneja ku ishte me shokët e tij, Gazmend Çollakun. Ai çohet, del jashtë, dhe “uniformat” i kërkojnë të afrohet te makina e tyre për një verifikim. Pas tij dalin edhe shokët, por ata u thonë se kanë vetëm një verifikim të vogël në komisariat dhe më pas do ta linin të lirë. Çollaku shkon në mjet dhe më pas, dhunohet, lidhet dhe rrugës për në Shijak ndërrojnë makinë. E fusin në një makinë tjetër dhe më pas nuk dihet se çfarë ndodhi me të. Shokët shkuan në komisariatin e Durrësit, por nuk e gjetën. U thanë se mos e ka arrestuar Tirana, prandaj erdhën edhe në Tiranë, por nuk e gjetën. Atëherë kuptuan se “policët” ishin ekzekutorët e tij. Trupi i tij u gjet të nesërmen në një kanal pranë Fushë-Krujës, i lidhur me tela. Për këtë ngjarje u akuzuan ish-polici, Ervin Dalipaj, i ekzekutuar në një atentat mafioz, në autostradën Tiranë-Durrës dhe Denis Shtraza, i dënuar me burgim të përjetshëm. Autoritetet nuk e zbardhën kurrë motivin e ngjarjes, por thanë vetëm për prishje pazaresh.

Marjo Metushaj, 16 qershor 2017

Marjo Metushaj, skafisti vlonjat që mendohet se trafikante drogë drejt Italisë, u zhduk pa lënë asnjë gjurmë mëngjesin e 16 qershorit të vitit 2017, në Vlorë. I riu, që u tha se është kushëri me Julian Sinanajn, nga autoritetet e policisë lokale njihej si skafist, dhe zhdukja e tij dyshohet se është bërë nga grupe kriminale që operojnë në qytetin bregdetar. Dyshohet se ai nuk ishte paguar për 7 rrugë, që kapnin një vlerë totale prej 200 mijë eurosh. Sipas dëshmive të familjarëve, ditën kur u zhduk, i ishte premtuar se do të merrte shumën e parave që i detyroheshin, përmes një dyqani dhe lokali, si dhe një shume cash. Kur kishte kaluar një vit nga zhdukja e Metushajt, i ati mori guximin dhe doli publikisht në mediat lokale. I bëri thirrje kujtdo që kishte dijeni për fatin e të birit të tregonte, por sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Adriano Jaho dhe Ariseld Maze, 4 korrik 2017

Pronari i një hoteli në Vlorë së bashku me ndihmësin e tij rezultojnë të zhdukur që prej 4 korrikut të vitit 2017. 52-vjeçari Adriano Jaho dhe 28-vjeçari Ariseld Maze dolën në det për të provuar një mjet që sapo e kishin riparuar, por nuk u kthyen më në banesë. Djali i biznesmenit vlonjat, Fabion Jaho, thotë se lajmin e mori nga e ëma. Në telefonatën e fundit, 52-vjeçari i kërkoi ndihmë një mikut të tij, pasi skafi po merrte ujë. Sipas Përparim Mazes, babait të 28-vjeçarit, të dy ishin të apasionuar pas peshkimit dhe e njihnin mirë detin. Ndërkohë, sipas dëshmive të familjarëve, mjeti me të cilin lundronin biznesmeni vlonjat me të riun është një motoskaf me gjatësi 8 metra, me dy motorë dhe me dokumentacion të rregullt. Vitin e kaluar Adriano Jaho kishte përjetuar të njëjtën situatë me një skaf tjetër, por arriti të shpëtonte, edhe pse mjeti pësoi defekt.

Zhdukja e Albano Xhaferrit

Albano Xhaferri, i zhdukur në qershor të vitit 2018, kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Belgjika. Deri më 2 gusht të po atij viti, kur kishte kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga zhdukja, asgjë nuk dihej për fatin e tij. Gazmend Merkaj, banues në Vlorë, më 1 gusht u dorëzua në policinë e Fierit duke shpjeguar se ndihej i kërcënuar për jetën nga shtetasit Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj. Merkaj ka shpjeguar se ka dijeni për zhdukjen e Albano Xhaferrit, pasi ka qenë me shtetasit e mësipërm kur ata kanë organizuar dhe marrë atë, me qëllim për ta dorëzuar në ambientet e kompleksit “Oslo”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, për llogari të shtetasit Edison Harizaj. Përpara oficerëve të policisë gjyqësore Merkaj është shprehur se i riu është vrarë me çekiç.

Zhdukja e Elvis Troqes

Një muaj pas zhdukjes së Albano Xhaferrit, në Vlorë një tjetër i ri humbte gjurmët, ku edhe sot e kësaj dite ende nuk dihet fati i tij. Më 17 korrik të vitit 2018, disa persona e thërrasin dhe e hipin në një makinë tip “Mercedez Benz”, Elvis Troqen. Që prej atij momenti nuk dihet ende asgjë mbi fatin e tij. 24-vjeçari vëzhgohej fillimisht për vendndodhjen e tij, teksa ndodhej në ambientet e një bar-kafeje, rrëmbyesit sinjalizohen nga informatori dhe më pas aty mbërrin makina tjetër, një automjet tip “Mercedes-Benz” ngjyrë gri. Elvis Troqe është ngritur nga ambientet e kafesë ku ishte ulur me një shok, pa e marrë telefonin celular me vete. Edhe ai i sapokthyer nga Belgjika!

 

Vlora numër rekokord, në pesë vite janë zhdukur 23 persona

Dy vite më parë Prokuroria dhe Policia e Vlorës thanë zyrtarisht se në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23. Sipas dy institucioneve, në vitin 2016 janë katër persona të larguar, në vitin 2017 janë gjashtë dhe në 2018, 13 të larguar nga banesat e tyre. Më tej në deklaratën e policisë dhe të prokurorisë nënvizohet se, megjithëse të gjitha rastet janë referuar në prokurori, vetëm për katër raste janë konstatuar elemente të veprës penale dhe janë regjistruar në prokurori si çështje, ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre. Të katërta këto raste i përkasin vitit 2018. Rastet më të bujshme të të zhdukurve në Vlorë, të cilët dyshohet se janë ekzekutuar nga grupet kriminale janë Albano Xhaferri dhe Elvis Troqe. Ata i kanë humbur gjurmët përkatësisht në qershor dhe korrik të vitit 2018. Dy të rinjtë kishin pak kohë që ishin kthyer nga Spanja dhe ngjarja u mendua se kishte lidhje me prishjet e pazareve të drogës. Ka qenë një person i identifikuar si Gazmend Merkaj, i cili hodhi dritë mbi rrëmbimin e Albano Xhaferrajt. Në atë kohë, ai bëri një kallëzim në policinë e Fierit, duke u thënë oficerëve të policisë se Albano Xhaferri është ekzekutuar me çekic. Sipas tij, ai është ekzekutuar nga tre persona për llogari të Edison Harizajt, i cili u ekzekutua në Durrës, në nëntor të vitit 2018. Ndërsa për zhdukjen e Ervis Troqes, babai i tij është shprehur në media se ka shumë pak gjasa që djali i tij të jetë gjallë. Elvis Troqe u zhduk pasditen e 17 korrikut 2018 ne qytetin e Vlorës. Në një video të publikuar në media, i riu shihet teksa hipën në një automjet tip “Mercedes-Benz” dhe prej atij momenti fati i tij nuk dihet. Ndërsa prej qershorit 2017 rezulton i zhdukur Marjo Metushi, i cili njihej në qytetin e Vlorës si skafist, i cili kishte bërë drejt Italisë rreth 7 rrugë me gomone, duke trafikuar kanabis dhe një grup kriminal i detyrohej një sasi parash, rreth 200 mijë euro. Edhe për këtë person babai i tij deklaron se djali i tij është ekzekutuar dhe është zhdukur nga personat që i kishin borxh. Leonard Mehmeti, babai i tre fëmijëve, është një tjetër i zhdukur mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016. Leonardi, i njohur me emrin Nani, kishte ngritur bizneset e tij. Një restorant në zonën e “Lungo mares” dhe një fermë kuajsh në Panaja të Vlorës, ku dhe është parë herën e fundit i gjallë. Vëllai i Nanit ka thënë se nuk ka dyshime që vëllai i tij është ekzekutuar dhe është zhdukur, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Mehmeti tregon se i vëllai frekuentonte shpesh Durrësin, për shkak të miqësisë që kishte me Ervin Dalipajn dhe Xhino Dautajn. Dalipaj akuzohej për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut. Ai së bashku me Dautajn u ekzekutuan në vitin 2016, në autostradën Tiranë-Durrës. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

Të fundit

Nga xhenxhefili te kanella, ja erëzat që nxisin në mënyrë natyrale metabolizmin

Rritja e metabolizmit është një nga rezultatet më të dëshiruara në një dietë dhe mënyrë jetese të shëndetshme. Natyra,...

Derbi Everton-Liverpool, sherr masiv në fushë, ndërhyn edhe Policia

Një sherr masiv ka ndodhur në fushë gjatë derbit Everton-Liverpool, prej atyre që në Premier Ligën angleze kishte kohë që nuk shiheshin. Pas barazimit të...

Mot i paqëndrueshëm në vend/ Ja kur rikthehen temperaturat tipike të dimrit

Dita e sotme ka nisur me reshje shiu dhe gjatë pasdites ato do të përfshijnë të gjithë territorin. Meteorologia Tanja Porja, informoi mbi kushtet...

Trump do takojë Putin në Arabinë Saudite, pritet t’i jepet zgjidhje luftës në Ukrainë

Takimi Donald Trumpit me homologun rus Vladimir Putin do të zhvillohet në një të ardhme jo shumë të largët, dhe vendi i përballje së...

Deputeti i PD heq rripin e pantallonave live në studio, sqaron çfarë ndodhi në seancë

Maxhoranca dhe opozita u përplasën ashpër të enjten në Kuvend, kryesisht për arrestimin e Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj. Situata degjeneroi në konfrontim fizik...

Lajme të tjera

Web TV