Nga Enver Stafuka te Jan Prenga, rastet më të bujshme të zhdukjeve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në këto 5 vitet e fundit janë raportuar shumë raste të zhdukjes së personave të ndryshëm, të cilëve u humb çdo gjurmë. Kurse familjarët e tyre do të jepnin gjithçka, vetëm që të kuptojnë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.

Gazeta “Fjala” më poshtë sjell listën e zhdukjeve më misterioze, që ga rrëmbimi dhe zhdukja e Enver Stafukës, në vitin 2015 deri në rastin e 17 janarit të 2020-s, ku u mor peng, u vra edhe u asgjësua Jan Prenga, për humbjen e një sasie kokaine në Angli.

Në këtë 5-vjeçar vendi ka njohur me dhjetëra raste rrëmbimesh, vrasjesh, zhdukjesh, po edhe hedhjesh në det. Në disa raste deti i ka nxjerrë trupat, kryesisht të djemve dhe burrave të Vlorës, ndërsa ka raste që janë zhdukur pa asnjë gjurmë sot e asaj dite. Madje, duke përjashtuar rastin mizor të vrasjes së Gaz Çollakut, ku policia u detyrua të vihej në lëvizje, në të gjitha rastet e tjera, policia ka lëvizur, por shumë ditë me vonesë. Si në rastin e Jan Prengës.

Nga Elvis Myrto

Shkurt 2015, zhduket Enver Stafuka

Rreth orës 19:45 të së dielës së 8 shkurtit të vitit 2015, Enver Stafuka thirret nga mik i tij për të pirë kafe në një lokal në Fushë-Krujë. Në momentin që ai së bashku me dy miqtë e tij ishin duke konsumuar kafenë, katër persona, të veshur me uniforma policie, e marrin me forcë dhe e fusin në një mjet. Rrëmbimi filmohet nga kamerat dhe shihet nga disa kalimtarë të rastit.

Emri i Stafukës në ato vite ishte lakuar në disa ngjarje kriminale. Ndaj tij autoritetet ngritën dyshime se ai ishte personi që grabiti makinën nga e cila u qëllua me breshëri kallashnikovi, ish-shefi i komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj. Rreth dy vite më parë në Dajt gjendet një kufomë, për të cilën u dyshua se i përkiste Stafukës, por autoritetet nuk mundën ta identifikonin viktimën. Edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 5 vite nga zhdukja e Stafukës, ende nuk ka asnjë gjurmë të tij apo të kufomës së tij.

Rrëmbimi dhe vrasja e Gazmend Çollakut

Më 6 janar të vitit 2016, tre persona të veshur me uniforma policie, thërrasin nga kafeneja ku ishte me shokët e tij, Gazmend Çollakun. Ai çohet, del jashtë, dhe “uniformat” i kërkojnë të afrohet te makina e tyre për një verifikim. Pas tij dalin edhe shokët, por ata u thonë se kanë vetëm një verifikim të vogël në komisariat dhe më pas do ta linin të lirë.

Çollaku shkon në mjet dhe më pas, dhunohet, lidhet dhe rrugës për në Shijak ndërrojnë makinë. E fusin në një makinë tjetër dhe më pas nuk dihet se çfarë ndodhi me të. Shokët shkuan në komisariatin e Durrësit, por nuk e gjetën. U thanë se mos e ka arrestuar Tirana, prandaj erdhën edhe në Tiranë, por nuk e gjetën.

Atëherë kuptuan se “policët” ishin ekzekutorët e tij. Trupi i tij u gjet të nesërmen në një kanal pranë Fushë-Krujës, i lidhur me tela. Për këtë ngjarje u akuzuan ish-polici, Ervin Dalipaj, i ekzekutuar në një atentat mafioz, në autostradën Tiranë-Durrës dhe Denis Shtraza, i dënuar me burgim të përjetshëm. Autoritetet nuk e zbardhën kurrë motivin e ngjarjes, por thanë vetëm për prishje pazaresh.

Marjo Metushaj, 16 qershor 2017

Marjo Metushaj, skafisti vlonjat që mendohet se trafikante drogë drejt Italisë, u zhduk pa lënë asnjë gjurmë mëngjesin e 16 qershorit të vitit 2017, në Vlorë. I riu, që u tha se është kushëri me Julian Sinanajn, nga autoritetet e policisë lokale njihej si skafist, dhe zhdukja e tij dyshohet se është bërë nga grupe kriminale që operojnë në qytetin bregdetar.

Dyshohet se ai nuk ishte paguar për 7 rrugë, që kapnin një vlerë totale prej 200 mijë eurosh. Sipas dëshmive të familjarëve, ditën kur u zhduk, i ishte premtuar se do të merrte shumën e parave që i detyroheshin, përmes një dyqani dhe lokali, si dhe një shume cash. Kur kishte kaluar një vit nga zhdukja e Metushajt, i ati mori guximin dhe doli publikisht në mediat lokale. I bëri thirrje kujtdo që kishte dijeni për fatin e të birit të tregonte, por sot e kësaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Adriano Jaho dhe Ariseld Maze, 4 korrik 2017

Pronari i një hoteli në Vlorë së bashku me ndihmësin e tij rezultojnë të zhdukur që prej 4 korrikut të vitit 2017. 52-vjeçari Adriano Jaho dhe 28-vjeçari Ariseld Maze dolën në det për të provuar një mjet që sapo e kishin riparuar, por nuk u kthyen më në banesë.

Djali i biznesmenit vlonjat, Fabion Jaho, thotë se lajmin e mori nga e ëma. Në telefonatën e fundit, 52-vjeçari i kërkoi ndihmë një mikut të tij, pasi skafi po merrte ujë. Sipas Përparim Mazes, babait të 28-vjeçarit, të dy ishin të apasionuar pas peshkimit dhe e njihnin mirë detin.

Ndërkohë, sipas dëshmive të familjarëve, mjeti me të cilin lundronin biznesmeni vlonjat me të riun është një motoskaf me gjatësi 8 metra, me dy motorë dhe me dokumentacion të rregullt. Vitin e kaluar Adriano Jaho kishte përjetuar të njëjtën situatë me një skaf tjetër, por arriti të shpëtonte, edhe pse mjeti pësoi defekt.

Lexo edhe :  Italia nis transferimin e emigrantëve të jashtëligjshëm në shtetin shqiptar

Zhdukja e Albano Xhaferrit

Albano Xhaferri, i zhdukur në qershor të vitit 2018, kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Belgjika. Deri më 2 gusht të po atij viti, kur kishte kaluar më shumë se një muaj e gjysmë nga zhdukja, asgjë nuk dihej për fatin e tij.

Gazmend Merkaj, banues në Vlorë, më 1 gusht u dorëzua në policinë e Fierit duke shpjeguar se ndihej i kërcënuar për jetën nga shtetasit Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj. Merkaj ka shpjeguar se ka dijeni për zhdukjen e Albano Xhaferrit, pasi ka qenë me shtetasit e mësipërm kur ata kanë organizuar dhe marrë atë, me qëllim për ta dorëzuar në ambientet e kompleksit “Oslo”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, për llogari të shtetasit Edison Harizaj. Përpara oficerëve të policisë gjyqësore Merkaj është shprehur se i riu është vrarë me çekiç.

Zhdukja e Elvis Troqes

Një muaj pas zhdukjes së Albano Xhaferrit, në Vlorë një tjetër i ri humbte gjurmët, ku edhe sot e kësaj dite ende nuk dihet fati i tij. Më 17 korrik të vitit 2018, disa persona e thërrasin dhe e hipin në një makinë tip “Mercedez Benz”, Elvis Troqen.

Që prej atij momenti nuk dihet ende asgjë mbi fatin e tij. 24-vjeçari vëzhgohej fillimisht për vendndodhjen e tij, teksa ndodhej në ambientet e një bar-kafeje, rrëmbyesit sinjalizohen nga informatori dhe më pas aty mbërrin makina tjetër, një automjet tip “Mercedes-Benz” ngjyrë gri. Elvis Troqe është ngritur nga ambientet e kafesë ku ishte ulur me një shok, pa e marrë telefonin celular me vete. Edhe ai i sapokthyer nga Belgjika!

Vlora numër rekokord, në pesë vite janë zhdukur 23 persona

Dy vite më parë Prokuroria dhe Policia e Vlorës thanë zyrtarisht se në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23. Sipas dy institucioneve, në vitin 2016 janë katër persona të larguar, në vitin 2017 janë gjashtë dhe në 2018, 13 të larguar nga banesat e tyre.

Më tej në deklaratën e policisë dhe të prokurorisë nënvizohet se, megjithëse të gjitha rastet janë referuar në prokurori, vetëm për katër raste janë konstatuar elemente të veprës penale dhe janë regjistruar në prokurori si çështje, ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre. Të katërta këto raste i përkasin vitit 2018.

Rastet më të bujshme të të zhdukurve në Vlorë, të cilët dyshohet se janë ekzekutuar nga grupet kriminale janë Albano Xhaferri dhe Elvis Troqe. Ata i kanë humbur gjurmët përkatësisht në qershor dhe korrik të vitit 2018. Dy të rinjtë kishin pak kohë që ishin kthyer nga Spanja dhe ngjarja u mendua se kishte lidhje me prishjet e pazareve të drogës.

Ka qenë një person i identifikuar si Gazmend Merkaj, i cili hodhi dritë mbi rrëmbimin e Albano Xhaferrajt. Në atë kohë, ai bëri një kallëzim në policinë e Fierit, duke u thënë oficerëve të policisë se Albano Xhaferri është ekzekutuar me çekic. Sipas tij, ai është ekzekutuar nga tre persona për llogari të Edison Harizajt, i cili u ekzekutua në Durrës, në nëntor të vitit 2018. Ndërsa për zhdukjen e Ervis Troqes, babai i tij është shprehur në media se ka shumë pak gjasa që djali i tij të jetë gjallë.

Elvis Troqe u zhduk pasditen e 17 korrikut 2018 ne qytetin e Vlorës. Në një video të publikuar në media, i riu shihet teksa hipën në një automjet tip “Mercedes-Benz” dhe prej atij momenti fati i tij nuk dihet. Ndërsa prej qershorit 2017 rezulton i zhdukur Marjo Metushi, i cili njihej në qytetin e Vlorës si skafist, i cili kishte bërë drejt Italisë rreth 7 rrugë me gomone, duke trafikuar kanabis dhe një grup kriminal i detyrohej një sasi parash, rreth 200 mijë euro.

Edhe për këtë person babai i tij deklaron se djali i tij është ekzekutuar dhe është zhdukur nga personat që i kishin borxh. Leonard Mehmeti, babai i tre fëmijëve, është një tjetër i zhdukur mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016. Leonardi, i njohur me emrin Nani, kishte ngritur bizneset e tij. Një restorant në zonën e “Lungo mares” dhe një fermë kuajsh në Panaja të Vlorës, ku dhe është parë herën e fundit i gjallë.

Vëllai i Nanit ka thënë se nuk ka dyshime që vëllai i tij është ekzekutuar dhe është zhdukur, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Mehmeti tregon se i vëllai frekuentonte shpesh Durrësin, për shkak të miqësisë që kishte me Ervin Dalipajn dhe Xhino Dautajn. Dalipaj akuzohej për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut. Ai së bashku me Dautajn u ekzekutuan në vitin 2016, në autostradën Tiranë-Durrës.

La.Mi.Fjala.al

Të fundit

7 arsye pse duhet përpjekje për të pasur miq

Mbajtja e miqësive si i rritur mund të jetë e vështirë për shumë njerëz. Hapi i parë është të...

Tentohet të hakohet WhatsApp, mes personave të shënjestruar nga spyware izraelit

Sistemi i spiunimit i Izraelit, Paragon, ka shënjestruar dhjetëra përdorues të WhatsApp-it, përfshirë gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, tha të premten një zyrtar...

Kërcënimet e Donald Trump, Kanadaja thotë se do t’i përgjigjet ashpër

Kanadaja do të përgjigjet menjëherë me një sërë kundërmasash të forta nëse presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon kërcënimet për të vendosur tarifa, tha kryeministri...

I mori makinën një personi dhe nuk ia ktheu më, shpallet në kërkim 32-vjeçari

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë bënë shpalljen në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit Sh. Xh., 32...

Janar-gusht 2024, cilat ishin institucionet me performancën më të dobët me shpenzimet

Raportet zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se realizimin më të ulët të investimeve e ka Ministria e Ekonomisë, ndërsa më të mirë ajo...

Lajme të tjera

Web TV