Në 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit, numri i politikanëve të arrestuar për korrupsion është i vogël ose zero. Përgjigjen më me kompetencë se sa ish-Prokurori i përgjithshëm Arben Rakipi nuk mund ta japë askush. Në emisionin HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU, Rakipi jep një deklaratë të fortë sipas të cilit korrupsioni është pjesë e programit politik.
-Si ka mundësi që nuk arrestohet asnjë politikan i korruptuar?
-Kjo është një çështje që do kohë për tu biseduar. Ambienti dhe zakoni që krijohet në këtë strukturë të posaçme ka rrënjë të thella që vijnë nga kohë të shkuara dhe ambientimi me atë situatë është një çështje që ndikon tek të gjithë. Mungesa e shembullit të mirë nga drejtuesi ose shembulli i keq nga drejtuesi është një këmbanë shumë e fortë për atë që punon në bazë. Për ta mbyllur, mund të shtoj edhe disa fakte të vërteta, reale që janë gjetur gjatë praktikës jo të vogël. Mënyra se si është bërë karriera, se si janë përmbushur nevojat e individëve, shpesh herë ka bërë që individët e pa përfshire në atë mënyrën e parë kanë qenë të shokuar dhe e kanë kuptuar plotësisht faktin që fati i tyre nuk varet më nga profesioni por nga kontakti dhe precedenti sipas mënyrës që ai ishte në dijeni. Ka një kompleks gjërash të cilat bëjnë të pamundur për të besuar që sistemi do të reagojë. Po ti shtosh atë që thashë në fillim, influencën e madhe të politikës , shtypjen, sulmet e përditshme i drejton sistemit, kupton se është relativisht e pamundur të gjesh elementë të cilët mund të kenë iniciativa të pavarura për të arritur një rezultat pozitiv.
-Unë e di që ju keni dashur të ndaloni korrupsionin në politikë por nuk ju lejuan.
-Korrupsioni në politikë është vijë politike. Është sjellje politike, nuk është sjellje kriminale. Është program politik. Është shumë e vështirë për ta luftuar./Fjala.al/Ke.Ba