Njeriu ekran

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Frrok Çupi

Nuk di si ka zbritur nga zonat katolike të Veriut, por tani jeton në një shtëpi të mirë në rrethinat e Vorës. Është një mik i këndshëm; flet e flet dhe bën ‘gropa’ në bisedë: ‘A fola shumë?! A të mërzita?’, pyet pa pushim.

-Jo, Ndoj, nuk më mërzite; ti fol, se më mirë është për ty e për mua.

-Epo mirë… Ja kështu, njerëzit shpëtuan, por gjithë çatia e shtëpisë mu ba copë kur shpërtheu Gërdeci, e këta komunista nuk po më japin lekët…

-Komunistat?!

-Po, po, komunista. Prandaj nuk m’i japin lekët e Gërdecit, sepse jam i djathtë…

‘Gërdeci’- sipas Ndoj, quhet ajo katastrofa gjigante, shpërthimi më i madh në shekuj që ka ndodhur në Shqipëri. Një punishte e demontimit të armëve të të gjitha llojeve shpërtheu në 15 mars 2008, ora 12:05. Biznesi i armëve përfshihej ndër prioritetet e qeverisë së vendit që kryesohej nga Partia Demokratike. Nga shpërthimi u vranë 26 vetë, disa vdiqën në vend, ndërsa të tjerë nëpër spitale. U plagosën dhjetëra të tjerë që mbushën spitalet si në kasaphanë, shumica të gjakosur e të gjymtuar, pa duar e pa këmbë. U shembën e u dogjën qindra shtëpi. Lajmi shkundi botën; gazeta amerikane ‘The New York Times’ shkroi për afera korruptive që shkonin shumë lart në piramidën qeveritare shqiptare…

Ndoj, banor i zonës, e ka harruar shpërthimin e tmerrshëm dhe kujton vetëm faktin se qeveria që erdhi në fuqi pesë vjet pas shpërthimit, nuk po i jep lekët e dëmit… Unë e kam mik këtë njeri interesant, por a nuk do të ishte edhe një ‘njeri eksperiment’ për Zigmund Frojdin?! Për këtë lloj njeriu, studiuesi i madh i mendjeve njerëzore, ka ardhur në përfundimin se ‘mund t’i emërtoj si njerëz me kujtime-ekran’.

Guxova ta ndërpres bisedën e nxituar të njeriut përballë, i bëra një pyetje:

‘Po mirë, o Ndoj, cili të ka më shumë borxhe, ai që shkatërroi shtëpinë tënde dhe një mijë të tjera, apo ky që nuk po të shlyen lekët e dëmit?’.

-Këta! – tha tjetri vetëtimthi. – Këta, se po të më japin lekë këta, mua më bëhet mirë.

Sa njerëz vuajnë nga amnezia infantile, mes turmave që na rrethojnë? Me siguri, askush nuk i ka numëruar; këta më shumë rreshtojnë vetveten sesa i numëron ndonjë institucion. Vetveten e shënjojnë duke u shfaqur në mediat sociale ose edhe në ekrane; përveç se të tmerrojnë po të kapën në rrugë dhe në dasma… Por nuk janë vetëm ‘infantilë’, që do të thotë mungesë e kujtimeve të fëmijërisë. Jo, ka të tjerë që kujtojnë ngjarjen e thellë dhe harrojnë këtë që ndodh sot. Disa kujtojnë se komunizmi ishte një ‘mrekulli’ për qetësinë e për ‘nderin’; ndërsa të tjerë e quajnë diktaturë ‘maskën anti Covid’, që ndodh sot.

Lexo edhe :  Gonzato, mesazh prokurorëve: Puna juaj ndikon direkt tek integrimi i Shqipërisë

A janë këta aq të rrezikshëm sa ç’janë, për shembull, skizofrenët agresivë ose të marrët e bezdisshëm? Dëmi do të ishte kolosal, sikur të ndodhte që këta, në një moment të caktuar, të përbënin atë grupimin, i cili në gjuhën angleze, quhet ‘king-maker’. Grupimi me këtë nofkë, zakonisht, edhe pse në pakicë, gjen rast të bashkohet me një shumicë dhe të bëjë qeverinë. Kemi pasur rastin e partisë LSI si ‘king-maker’, parti që nuk ka lidhje me amnezinë, por që ka shfrytëzuar amnezinë popullore dhe ka futur duart në financa e në thesar, ku ka bërë namin.

Grupimi i njerëzve me ‘kujtime-ekran’, edhe pse në minorancë, mund t’i bëjë namin gjithë kombit, duke i vënë vulën e zezë të ‘kombit pa kujtesë’. Bie fjala, sikur miku im i Vorës të flasë prapë tani për gazetën amerikane dhe t’i thotë se ‘fajin nuk e kanë ata që shpërthyen Gërdecin, por këta që nuk më japin lekët’, atëherë gazetari do të tmerrohej dhe media e botës do të shkruante se çfarë specie ka zbuluar te shqiptarët.

Edhe disa pak herë të tjera e kemi dëshmuar ‘amnezinë infantile’, por akoma nuk quhemi të tillë si komb. Në vitin 2005 erdhi në fuqi e njëjta qeveri që kishte shkaktuar dhe udhëhequr luftën e tmerrshme të vitit 1997; ishin vrarë rreth 3000; ishin plagosur mijëra; ishte shkatërruar shteti; Veriun e ngritën kundër Jugut; arka e shtetit u boshatis; fuqitë e huaja dërguan 6000 ushtarë roja për shqiptarin kundër shqiptarit… Por autorët u votuan, pa u kujtuar për atë që sapo kishte kaluar.

Ishte krijuar edhe një psikozë e tillë në vitin 1991, mars; kur populli i vuajtur nga diktatura komuniste votoi në shumicë për komunistët. Si në vitin 2005. Se ‘kujtimet-ekran’ nuk kanë vetëm një kah, si me thënë që të fshihen kujtimet e para dhe të mbetën kujtimet e fundit. Jo. Ekrani lëviz sa prapa në kujtesë, sa përpara në sekondën e fundit. Më të shumtë janë ata që, në fakt, nuk janë të sëmurë me amnezi, por stimulojnë veten me vdekjen e kujtesës…

Po sikur prapë të ketë njerëz që të votojnë pro qeverisë që vuri zjarrin në Gërdec dhe vrau e shkatërroi mijëra? Njerëz që nuk i bëjnë pyetje vetes, edhe mund të bien në amnezi. Për shembull, miku im nga Vora, edhe pse nuk është i sëmurë, e ka gati përgjigjen: ‘Ata që bënë tërmetin e Gërdecit janë më të mirë…’.

Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Si lindi jeta? Zbulohet ‘Qyteti i Humbur’ nën oqeanin Atlantik

Thellë në zemër të Oqeanit Atlantik, shkencëtarët kanë zbuluar një botë nënujore të pabesueshme dhe të mistershme, që mund...

Irani e sheh Shqipërinë si vend armik? Flet teologu shqiptar

Eni Kokomani, teolog shqiptar që jeton në Iran, tregoi në një intervistë për emisionin “Now” me gazetaren Greta Topjana se në Iran Shqipëria nuk...

E bleu 500 mijë euro, zjarr në apartamentin e Françeska Muratit në Tiranë

Flakët kanë përfshirë pasditen e kësaj të diele apartamentin e ish-banores së Big Brother Vip, Franceska Muratit. Burime për mediat bëjnë me dije se banesa...

Flet shqiptari nga Irani: Kishim informacion për sulmin, uraniumi u largua më para

Eni Kokomani, teolog shqiptar që jeton në Iran, tregoi në një intervistë për emisionin “Now” me gazetaren Greta Topjana se Irani kishte informacione para...

Netanyahu i ndryshoi mendjen Trump-it me një telefonatë (prapaskena)

Pasi vendosi të sulmonte Iranin, presidenti amerikan Donald Trump donte të përqendrohej vetëm në bazën e Fordow, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e bindi...

Lajme të tjera

Web TV