Topalli-Patozi, “asat”e Ramës kundër Bashës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Posaçërisht për fjala nga LEONARD KARAJ

Është unikale. Në 29 vjet demokraci nuk ka ndodhur asnjëherë që një parti politike në opozitë prej më shumë se 1 mandati të jetë anatemauar, apo sulmuar kaq shumë nga “vetvetja”. Asnjë opozitë nuk ka pasur kaq shumë opozitarizëm mediatik dhe jo vetëm, sa PD-ja e Bashës. Aq sa të duket tejet e çuditshme dhe krejt e pamoralshme kur sheh deputetë dhe ish-deputetë që me të madhe theksojnë se gjoja janë opozitarë të devotshëm, por në 10 fjalë ama, nëntë i kanë kundër Bashës dhe PD-së.

Tani se ku janë opozitarë këto personazhe sa qesharake, po aq edhe groteske, kjo nuk ka shumë nevojë për shpjegime. Madje, në mjaft raste janë edhe më “rilindas” se vetë “rilindasit” e Ramës, duke bërë të skuqen për injorancën e tyre, edhe mazhorancën në tërësi.

Po, Basha ka bërë gabime në drejtimin e Partisë Demokratike. Po edhe po, se si lider i partisë më të madhe opozitare në vend, do të duhej (të paktën teorikisht), të kishte një qasje ndoshta më bashkëpunuese, dhe më joshëse ndaj “të pakënaqurve”.

Po, besueshmëria e PD-së në elektorat ka pasur luhatje të frikshme në tri vitet e fundit, duke filluar që nga çadra e 2017-s, lista e turpshme për deputetë, bojkoti i Parlamentit, djegja e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhjet vendore, duke ia falur në tavolinë Ramës të gjitha bashkitë, dhe shumë iniciativa të tjera, të nisura me shumë bujë dhe me një sens tejet demokratik, por me një përfundim, pak të thuash vetëvrasës.Por, kjo nuk mund të justifikojë në asnjë rast dhe për asnjë arsye opozitarizmin ndaj opozitës. Rruga dhe mënyra që kanë gjetur kundërshtarët e devotshëm të Bashës është tipike e asaj shprehjes: për inat të sime vjehrre (kupto Bashën), shkoj e fle me mullixhiun (kupto Ramën).

Gjithsesi, fakt është se sot, nesër dhe me shumë gjasa deri më 25 prill, opozita nuk do të ketë kundër vetëm PS-në e Ramës me sërën e “falangave” mbështetëse, por edhe plot gjashtë parti të dala nga PD-ja, por që sot “puthin” me kënaqësi dorën e Ramës.

Kështu, Bindja Demokratike e Astrit Patozit, pavarësisht artikulimit si një forcë politike e qendrës së djathtë, me nuanca opozitarizmi ndaj Ramës, në fushë-mejdan më shumë ka dalë për t’i hequr ca vota Bashës sesa për të luftuar ndaj mazhorancën më të korruptuar sipas statistikave dhe deklaratave edhe nga vetë ndërkombëtarët, që ka pasur ndonjëherë ky vend në 29 vjet demokraci.

Madje, edhe krijimi i kësaj force politike në maj të 2019-s ishte një rekord turpi më vete, i mbrojtur në mënyrë qesharake nga vetë Rama. Kërkesa për regjistrimin e kësaj partie në Gjykatë u protokollua në sekretari në orën 08:00. I kaloi “urgjent” nga sekretaria, kryetarit të Gjykatës. Ky i fundit përgatiti menjëherë goglat dhe inicioi hedhjen e shortit. U gjend gjyqtari krejt i lirë (pa asnjë çështje ditore), i cili po atë ditë, “mori seriozisht” dosjen voluminoze me statutin, aktin e themelimit dhe 3000 firmat e qytetarëve që kërkonin regjistrimin e Bindjes së Patozit.

“U verifikua” në kohë rekord nga gjyqtari dhe u gjend që jo vetëm statuti dhe akti i themelimit ishte konform Kushtetutës, por edhe 3000 firmat ishin ekzakte, të paduplikuara, të rregullta në të gjitha kuptimet. U mor vendimi nga gjyqtari. U zbardh. Iu dërgua sekretarisë së Gjykatës, u shpall në faqen zyrtare dhe iu dha edhe një kopje kërkuesit. E gjitha kjo përfundoi në orën 12:00 të së njëjtës ditë. Tani, edhe më injoranti e kupton se “Bindja” nuk të bindte aspak që në nisje…

Lexo edhe :  Pse Berishët braktisën Austrinë e ‘pushojnë’ në Gjermani si ‘rezidentë?!

Për të vijuar me “Lëvizjen për ndryshim” të proklamuar së fundmi nga Jozefina Topalli. Pasi nuk la status në fb, dhe dalje publike në media vizive dhe të shkruara pa ofenduar dhe bërë opozitë ndaj Bashës, në fund vendosi që t’i bëjë një “nder” Ramës. Qasja politike e Topallit shkon veçse në favor të mazhorancës dhe në asnjë rast si një risi apo në ndihmë të opozitarizmit në vend.

Por përtej krijimit të këtyre dy forcave politike të reja, të dala pikërisht nga Partia Demokratike, ajo që “vret” më së shumti është egoizmi tipik shqiptar dhe mungesa e moralit, qoftë edhe minimal. Nuk kritikohet dot (të paktën jo me të njëjtin metër kritik), Myslim Murrizi, për lëvizjen e tij të re, edhe ky të sapokrijuar. Justifikohet edhe Rudina Hajdari, për aq kapacitet politik sa ka treguar, se disponon dhe për infantilitetin e saj gati-gati grotesk. Lihet mënjanë disi Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, duke pasur parasysh përplasjet e mëdha të këtij të fundit nën vesturën e presidentit, me ish-kryeministrin Berisha. Nuk është parë as me ndonjë sy të keq apo me skepticizëm të madh edhe lëvizja “SFIDA” e Gjergj Bojaxhiut, edhe kjo e dalë nga paradhoma e PD-së. Të gjithë këta mund të jenë disi të justifikuar. Por asesi Topalli dhe Patozi.

Të kesh qenë në postet më të larta drejtuese të PD-së. Të kesh pasur mundësinë për të qeverisur dhe për të thithur dhe shijuar pjalmin e të qenit në pushtet. Të kesh drejtuar për plot tetë vjet institucionin nr.2 në vend, Parlamentin e Shqipërisë, kjo natyrisht falë PD-së, dhe më pas për shkak të egos tënde personale dhe vetëm për këtë dhe për asgjë tjetër, “t’i bësh fresk” Ramës, kjo është pak të thuash amatorizëm politik. Çdokush që mendon, jo si “Rilindja”, ose çdokush që beson se kjo mazhorancë nuk duhet më të jetë e tillë, pas 25 prillit 2021, do të duhej të “vinte një tullë” në opozitarizmin e ditës dhe t’i bashkohej lokomotivës së Bashës. Në të kundërt, është e turpshme dhe e pamoralshme të thuash që unë jam opozitar, por nuk jam me këtë opozitë.

Kjo lloj mendësie çon ujë vetëm te mulliri i “Rilindjes”, e cila me dashje apo jo, artikuloi së fundmi nëpërmjet lalit të bashkisë, faktin se PD-ja po luftohet nga vetë PD-ja, përderisa gjashtë “PD të vogla” pretendojnë ta rrëzojnë Ramën nga pushteti. Dalja e Patozit, Topallit, Murrizit, Topit, Hajdarit dhe Bojaxhiut më vete në zgjedhjet e ardhshme nuk do të thotë se këta të fundit do të mund të shkojnë në Parlament.

Sigurisht që jo. Madje edhe vetë ata e dinë se kjo ëndërr është shumë e bukur për t’u bërë realitet. Por që këto partiçka me gjasë do t’i heqin një grusht vota më shumë PD-së; që do të jenë si shushunja të Ramës kundër Bashës në veçanti dhe opozitës në përgjithësi; që do ndihmojnë me vetëdije të plotë qëndrimin teorik të “Rilindjes” ende në pushtet, kjo është pak, por e sigurt. Të duket sikur (dhe ndoshta është kështu), më shumë sesa vetë Rama, janë këta të fundit që shpresojnë, urojnë dhe ëndërrojnë, humbjen e PD-së në zgjedhjet e ardhshme. Ndaj të thuash që Patozi-Topalli & CO e bëjnë këtë gjë për hir të demokratizimit të vendit, është si të kërkosh një virgjëreshë në një shtëpi publike.

Të fundit

“Roasting Marshmallow”: Një ekzoplanet i kuq i nxehtë që bie shi rubinësh dhe safirësh

WASP-121b, i mbiquajtur "alte i pjekur", është një ekzoplanet që arrin temperaturat prej 2500 gradë Celsius. Këtu bie shi...

“Pa shtyllë kurrizore”/ 2 muaj pas sherrit, Xhelal Mziu e Gjekmarkaj bëjnë fushatë bashkë

Rreth dy muaj pasi u përfshi në vorbullën e rrjeteve sociale duke shpërndarë në profilin e tij në Instagram një “meme” që ironizonte deputetin...

Sëpata e Trump dhe Musk: njerëzit do përballen me terrorin e do vdesin nga uria

Shkatërrimi i USAid tashmë ka një efekt të tmerrshëm në disa nga vendet më të varfra të planetit. Ajo dëmton Amerikën: do të na...

Të bojkotojmë ata që paguajnë taksa në favor të atyre që s’paguajnë?!

Shpëtim Luku Sikurse mund ti ketë rënë në sy cdokujt, së fundmi është ndërmarrë një iniciativë e cila synon bojkotin e blerjeve nëpër supermarkete një...

Rama: TikTok-u është toksik, do ta mbyllim brenda pak ditëve, prindërit të tmerruar

Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, gjatë së cilës ndër të tjera flet për politikat e...

Lajme të tjera

Web TV