Në bashkëbisedimin e tij të radhës me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila dje në Kuvend tha se nëse spitalet do të mbingarkohen, do duhet të zgjidhet mes pacientëve që do trajtohen ose jo. Kjo sipas Bashës, do të thotë se do zgjedhin “kush do jetojë e kush do vdesë”.
“E dëgjuat ministren e Shëndetësisë që tha do zgjedhim kush do trajtohet e kush nuk do marrë trajtim, e dëgjuan të gjithë tek e tha me zë e figurë do zgjedhim kush do trajtohet e kush jo. Pse?
Pse kemi ardhur në këtë pikë? Se paratë që duhet të shkonin për të trajtuar të gjithë të sëmurët me Covid, i kanë vjedhur, kjo është e vërteta. Kush ia jep të drejtën Ramës e kukullave të tij të vendosin kush duhet të marrë trajtim ose jo? Krim më të rëndë se ky a mund të ketë ndaj qytetarëve? Me fjalë të tjera do zgjedhin kush do jetojë e kush do vdesë. Kush ia jep të drejtën Edi Ramës të zgjedhë kush do të jetojë e kush do të vdesë?”, u shpreh Basha.
Sipas Bashës, numri i viktimave ka shkuar në 500 dhe se të infektuarit kanë mbërritur mbi 20 mijë persona.
“Pse nuk rritet numri i testimeve? Ata po fshehin të keqen, shifrat janë dyfish më të larta nga sa raportohen. Paratë për oksigjenët dhe tamponët i kanë vjedhur, paratë i çojnë te mafia e plehrave dhe thonë pastaj se kush do jetojë e kush do vdesë, jo se nuk ka para, por paratë tuaja shqiptarë i ka vjedhur, i ka çuar te zyrat e luksit, në kohë pandemia ka vijuar të vjedhë taksat e shqiptarëve dhe tani thotë se kush do vdesë e jetojë”, vijon kryedemokrati.
Basha shtoi se vendi është në “emergjencë për jetë a vdekje, në emergjencë shëndetësore, mos e lejoni propagandën e njeriut të lidhur me mafien e plehrave. Pse nuk bën 2.100 testime në ditë, pse nuk paguan bonusin për të gjithë mjekët e infermierët sipas propozimit tonë. Nuk ka nevojë të merrem me gojën e tij të ç ‘thurur”, tha mes të tjerash ai.
Ndërsa i pyetur për një mbyllje të dytë, kreu i PD-së tha se nuk ka asnjë dyshim që ai grup i ekspertëve po vepron si fasadë e dështimeve të Ramës. “Ai ka dështuar me qëllim me menaxhimin e krizës. Arsyet ja u thashë. Paratë që duhet të shkonin për shëndetësinë, pacientët e qytetarët. Rama ia ka harxhuar për klientët.
Përgjegjësia është e tij, nuk mund të fshihet pas grupit të ekspertëve. Ekspertët kanë folur para nesh, kanë kërkuar rritje të testimeve, rimbursim të paketës së ilaçeve, këta janë të vërtetët. Të tjerët janë fasadë e Ramës. Çdo dështim dhe masë kufizuese është rezultat dhe produkt i dështimit të Ramës, i menaxhimit në kohë. Vendi ka mundësi financiare për t’u pëballuar, por kryeministri vijon vjedh.”, përfundoi Basha./Bl.Ba/Fjala.al