Dy çështjet e ngutshme që çuan Ramën në Itali

Kryeministri Edi Rama ka zbarkuar mëngjesin e sotëm në Itali, ku do të diskutojë dy çështje themelore me homologun e tij italian.

Në këtë takim me Giuseppe Conte, Rama do të shtrojë çështjen e negociatave dhe konferencën e donatorëve që do të mbahet 17 shkurt në Bruksel, për rindërtimin e njerëzve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryeministri Giuseppe Conte, e enjte 23 janar, do të takohet në orën 10.30 me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama“, shkruhet në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave të Italisë.

Rama do të takojë edhe Ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio. Ata do t’i bashkohen një tryeze diskutimesh me të tjerë të pranishëm, në Palazzo della Farnesina, në Romë.

Në takimin e sotëm pritet që të pranishmit të diskutojnë në lidhje me detajet për organizimin e Konferencës së Donatorëve.

Kjo është hera e tretë që kryeministri Rama dhe ai italian takohen në pak muaj. Kryeministri Rama shoqërohet në këtë takim nga Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj./Fjala.al/