Nga Frrok Çupi
Menjëherë pas pyetjes së parë ‘a rrezikohemi këtu?, mund të bëjmë një pyetje tjetër: ‘Çfarë po kërkon terrorizmi të godasë?’. Fillimisht ka targetuar pikën ekzekutive të shtetit, dmth qeverinë dhe kryeministrin; pas kësaj ka kërkuar ndihmën e pandemisë së Covid dhe po përdor karikaturat.
Pse e goditën Vjenën?
E para, se Vjena ishte perceptuar si e sëmurë me Covid dhe në një gjendje të rëndë, krahas Italisë, Francës, Gjermanisë, etj. Me bllokimin e fundit të Austrisë me Covid, bllokim që do të fillojë sot në mesnatë, qytetarët vjenezë po shijonin një natë të fundit të lirisë.
Por menjëherë filluan të shtënat. Moti ishte i ngrohtë për këtë periudhë të vitit, dhe njerëzit ishin ulur në tryezat dhe trotuaret jashtë lokaleve dhe kafeneve, duke shijuar dhuratën e natyrës me mot mesdhetar dhe duke iu bindur udhëzimeve kundër koronavirusit.
U godit paqja dhe individi… Këtu nisi terrori mu në zemër të Austrisë. Ajo që pasoi ishte ajo që kancelari Austriak, Sebastian Kurz, e quajti një ‘sulm terrorist neveritshëm ’. Vetë kancelari është nën rrezikun e atakut.
Deri më tani katër civilë raportohen të vdekur – dy burra dhe dy gra. Shtatëmbëdhjetë të tjerë janë në spital me plagë të rënda, duke përfshirë një polic. Shtatë nga këto lëndime raportohen si kritike.
Një sulmues u qëllua për vdekje nga policia. Të paktën një person i armatosur besohet të jetë ende i lirë. Shkollat në Vjenë janë të mbyllura dhe autoritetet i kanë nxitur njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.
Ja, këtë bëri terrorizmi në zemër të Evropës…
A është ky një sulm për arsye të karikaturave? A është një sulm për arsye fetare? Apo është një sulm që në fillesë ka kulturën?
Ende pa u identifikuar plotësisht se çfarë ndodhi në Vjenë, në Tiranë u ngrit alarmi për një gatishmëri kundër terrorizmit. Prapë pyetja këtu bëhet po kaq e qartë: ‘Pse mund të godasë terrorizmi këtu në Tiranë? Mund të godasë për karikatura?’… Nuk ka karikatura. Vetëm një piktor karikaturash, i lidhur me politikën më shumë, deklaroi publikisht në ekranin e televizionit se ‘unë të vras po më preke…’. Po pas besimit fetar, a mund të shpërthejnë sulme këtu?… Vendi ynë një jetë të tërë nuk ka kurrë ndonjë vepër të tillë që mund të quhej ‘e turpshme’.
Vetëm një avokate të mbuluar me shami, edhe kjo në ekran, kam parë që gati po thoshte se ’mirë ia bënë mësuesit që i prenë kokën në Francë, pse iu preku fenë’… Ne këtu në Tiranë jemi pajisur me masa të reja kundër terrorizmit, menjëherë pas sulmit në Vjenë, për arsyen kryesore se lufta kundër terrorizmit tanimë është një agjendë ndërkombëtare.
‘Lufta kundër terrorizmit’, e udhëhequr nga SHBA dhe e mbështetur nga shtete të tjera, ka qenë faktori kryesor që formoi agjendën ndërkombëtare gjatë katër viteve të fundit. Shumë burime financiare, kapital njerëzor dhe përpjekje politike dhe ushtarake janë investuar në fushatën që synon shfarosjen e organizatave terroriste kudo që janë.
Ne në Tiranë jemi pjesë e këtij zinxhiri ndërkombëtar kundër të keqes. Tani që na afrohet kaq shumë rreziku dhe këtu shtohen masat e sigurisë- tani na vijnë më afër edhe disa thirrje politike apo gazetareske që thonë ‘pse dëgjoni mesazhet e ambasadës së Amerikës?’, ‘pse mesazhet e Evropës’?.
Gjithë idenë për të mbajtur larg Amerikën në një ditë terrorizmi, e mbështjellin në ‘pakon’ e vetëqeverisjes ‘pa pyetur të huajt’. Aq më tepër kur përfaqësitë diplomatike të Perëndimit paraqiten si ‘karikaturë’.
A nuk vjen këtu në pyetje edhe shqetësimi për karikaturën e profetit? Terrorizmi nuk është një fenomen i ri në historinë njerëzore, siç edhe aleancat tona me Perëndimin kanë themele të forta në historinë e përbashkët.
Por sado global e i rrezikshëm që shfaqet terrorizmi prej mbi 2000 vjet, në thelbin e vet ka një synim ‘të vogël’, aq të vogël sa ç’është individi me jetën dhe interesat e tij. A është tronditur individi këtu nga rreziku i terrorizmit?
Mes nesh duket se ka një mekanizëm të fshehtë, të fshehur diku në thellësi të tokës ose të zyrave, që ia arrin ta ‘zbusë ujkun’. Politika, sidomos kjo dhe mediat, sa shpesh herë e bëjnë terrorizmin një gjë ‘të huaj’ për ne. Qeshin nëpër dhëmbë dhe thonë ‘po ç’punë ka terrorizmi me Shqipërinë?’.
Ashtu siç edhe përqeshin vlerat kombëtare duke thënë ‘u bëmë ne shqiptarët të kemi shtet të mirë?’. Iniciativa më e fundit që i bën nder vetë terrorizmit është sulmi kundër kualiteteve politike të kombit që ‘nuk hap dot negociata me Evropën’.
Lajmi i fundit se shteti holandez ka vënë veton kundër nesh, i ka gëzuar disa politikanë deri në qiell. Në thelb gëzimi ka lidhje me zinxhirin e luftës kundër terrorizmit: Nëse do të mbetemi vetëm, atëherë ujku do ta ketë më të lehtë.
Me luftën kundër pandemisë, e njëjta gjë po ndodh. Një parti politike LSI, vetë kryetarja e partisë, dhe disa grupime të vogla, janë vendosur për ta përhapur sa më shumë virusin vdekjeprurës.
Ky në thelb është vetë një akt politik terrorist me pasoja të rënda. Pastaj ‘vdekjet pa kontroll’ do të sillnin një klimë edhe më të rëndë në favor të terrorizmit…. Po thërritet lart e poshtë në politikë me slogane thuajse si në Xhihad: ‘Ne jemi tritoli njerëzor për të arritur qëllimet…’. Mes nesh kemi terrorizëm, siç kemi koronavirus, siç kemi politika të etura për pushtet.
Kjo ka ndodhur edhe para aktit të Vjenës, por Vjena na kujton t’i drejtojmë sytë te diferenca në kultura. Karikaturat dhe ‘kodi zgjedhor’ janë vetëm një sebep për terrorizëm.
la.mi/Fjala.al