Kategoria Superiore mbyll javën e dytë, shkodranët, të vetmit me 100% fitore. Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të dielën të gjitha takimet e javës së saj të dytë dhe Vllaznia mbetet e vetmja skuadër me një bilanc prej 100 % fitoresh, pasi ka triumfuar edhe në Korçë ndaj Skënderbeut.
Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria Superiore ka mbyllur javën e dytë të sezonit të ri, duke i luajtur të dielën të 5 takimet.
Dhe në takimin e vetëm të luajtur në mbrëmje, Vllaznia ka triumfuar 2-0 në Korçë ndaj Skënderbeut vendas, duke u bërë skuadra e vetme që kryeson renditjen me pikë të plota, 6, pas dy fitoresh në këto dy javë të para.
Harris Dilaveri në minutën e 33-të dhe Viktor da Silva 3 minuta para fundit të pjesës së parë, u kanë mjaftuar shkodranëve për të marrë fitoren dhe pikët e plota, teksa pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë.
Në fakt, ishte një ditë e skuadrave udhëtuese e diela, pasi, përveç Vllaznisë, edhe Teuta mposhti minimalisht Tiranën 1-0, në takimin ku bardheblutë luajtën si pritën në Pogradec, por edhe Partizani fiton ndaj Kukësit që luajti se vendas në “Loro Boriçi” të Shkodrës, me dy gola të shënuar në gjysmëorën e fundit të pjesës së dytë.
Dy takimet e tjera u mbyllën në barazim, teksa në Laç, Sebina Plaku u ka mohuar vendasve fitoren në minutat shtesë, me ndeshjen që mbyllet në barazim 1-1, rezultat ky që çon edhe në dorëheqjen e Armando Cungut nga detyra e trajnerit të kurbinasve pas vetëm dy javësh kampionat.
Në barazim, por në shifrat 2-2, është mbyllur edhe përballja në Fier, midis Apolonisë dhe Bylisit, me vendasit që kaluan në epërsi të dyfishtë pas vetëm 12 minutash lojë dhe me miqtë që barazuan gjithçka me nga një gol për secilën pjesë loje.
Pas dy javëve të para, Vllaznia kryeson me 6 pikë, dy më tepër sesa Kastrioti dhe Teuta dhe 3 më tepër sesa Partizani dhe Tirana.
Kategoria Superiore
Java e dytë:
Tirana 0-1 Teuta
Shënues: L. Vila 32’
Laçi 1-1 Kastrioti
Shënues: E. Musta 48’ / S. Plaku 90’
Apolonia 2-2 Bylis
Shënues: R. Haxhiu 7’, R. Mihana 18’ / E. Ndreca 28’, 60’
Kukësi 0-2 Partizani
Shënues: Lukas 60’, Solomon 89’
Skënderbeu 0-2 Vllaznia
Shënues: H. Dilaver 33’, Viktor Da Silva 42’
la.mi/Fjala.al