Hapja e negociatave me BE-në, në dorë të drejtësisë së re

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tashmë drejtësia e re duket se po bëhet pengesë edhe për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe marrëveshja politike për ligjin zgjedhor ende dy pika që mbajnë peng vendin. Ambasadorja e SHBA-së bën thirrje që në fundin e këtij viti kushtetuesja të jetë funksionale.

Në fundin e këtij viti strukturat e BE-së pritet të vendosin për hapjen ose jo të negociateve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por gjithçka për vendin tonë duket se varet nga krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë.

Veçanërisht është Gjykata Kushtetuese e cila ka mbetur me katër anëtarë nga nëntë që ka në organikë duke mos e pasur të mundur marrjen e vendimeve. Pikërisht nga ky ngërë varen edhe “fatet” e hapjes ose jo të negociatave me BE-në.

Ministeriali i vendeve të BE-së kërkoi për Shqipërinë që të plotësojë dy kushte kryesore; zbatimi i ligjit zgjedhor dhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese që do shqyrtojë ëështje të rëndësishme përfshi edhe ato të Kodit Zgjedhor, apo edhe ligjshmërinë ose jo të zgjedhjeve lokale të vitit të shkuar.

Por ndërsa është bërë e qartë se pa Gjykatë Kushtetuese dhe marrëveshje politike për zgjedhjet vendi nuk mund të marrë nëgociatat, krijimi i kushtetuese në fundin e këtij viti duket një mision i vështirë. Nëse këto dy kushte nuk plotësohen, atëherë sërish Shqipërisë do t’i refuzohet për të disatën herë hapja e negociatave.

Kushtetuesja me sytë nga KED

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili jep dakordësinë në garën e kandidatëve për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, ka sqaruar se shpejtësia e këtij procesi varet jo vetëm prej tyre.

Edhe pse janë duke u bërë përpjekje maksimale që kërkesat e ndërkombëtarëve të plotësohen që kjo gjykatë të bëhet funksionale brenda këtij viti, duket se një gjë e tillë do jetë e pamundur. Dhjetë ditë më parë KED sqaroi se vonesat e krijuara për verfikimin e kandidatëve në garë për Gjykatën Kushtetuese nuk rrjedhin vetëm nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

“Angazhimi i KED mbetet maksimal për të përfunduar në kohë të shpejtë verifikimin e çdo kandidati, por puna varet nga përgjigjet se thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve”, reagoi KED. Aktorë të tjerë sipas KED nga e cila kushttëzohet ecuria e verifikimit janë edhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED.

Aktualisht ky këshill ka çertifikuar për të vazhduar garën në kushtetuese dy kandidatë prokurorin Altin Binaj dhe jursiten me profesion notere e avokate Sonila Bejtja. Por ky nuk është numër i mjaftueshëm për të kaluar në Parlament dhe Presidencë për miratim, pasi duhen më shumë se tre emra të propozuar dhe, ku presidenti dhe Parlamenti zgjedhin një prej tyre.

Që të bëhet funksionale Gjykata Kushtetuese kërkohen jo më pak se gjashtë anëtarë. Problemi kryesor që duket se do ta bëjë edhe këtë raund të vështirë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, është mungesa e kandidatëve. Nga vështrimi i bërë listave të kandidatëve për 3 vendet, ato përsëriten, të njëjtët kandidatë kanë shprehur interes për dy ose edhe tri vende vakante, ndërsa një pjesë e tyre janë përjashtuar më herët në garat e KED-së.

Ambasadorja e SHBA-së: Vazhdoni të punoni me urgjencë

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim u ka bërë thirrje përsëri Presidencës, Parlamentit dhe institucioneve të drejtësisë që të vazhdojnë të punojnë me urgjencë për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo thekson se vetëm 6 javë kanë mbetur deri në fund të vitit ëka është një kohë e vyer, pasi duhet mbushur premtimi për drejtësinë e munguar.

“Është mirë të shoh progresin drejt funksionimit të Gjykatës Kushtetuese deri në fund të këtij viti. 6 javë të mbetura, Presidenca, Parlamenti dhe institucionet e drejtësisë duhet të vazhdojnë të punojnë me urgjencë. Faleminderit JAC për sigurimin e kandidatëve të kualifikuar. Udhëheqësit duhet të përmbushin premtimin e Shqipërisë për drejtësi!”, shkruan Kim.

Ambasadorja ka qenë mjaft active kohët e fundit duke nxitur institucionet e reja të drejtësisë veëanërisht KED dhe BKH që të vijojnë punën me intensitet për të qenë në funksion sa më parë. Kim gjithashtu u ka bërë shumë herë thirrje presidentit Ilir Meta e kreut të parlamentit Gramoz Ruçi duke theksuar se më 1 janar 2021 Gjykata Kushtetuese duhet të nisë nga puna.

Gjykata Kushtetuese inekzistente prej pesë vitesh

Është në kufijtë e absurdit por Gjykata Kushtetuese prej pesë vitesh është inekzistente, jo si godinë apo “hierarki shtetërore” por funksionim të saj. Që prej vitit 2015 Gjykata Kushtetuese në vendin tonë nuk ka mundësi të marrë vendime, pasi nuk janë plotësuar vendet e anëtarëve të saj.

Problemi u shfaq me fillimin e reformës në drejtësi, pasi disa gjyqtarë të saj dhanë dorëheqjen, për shkak të vetingut ose u mbaroi mandati dhe nuk u zëvendësuan. Kështu, nga 9 anëtarë që kishte me fillimin e kësaj reforme, ajo tashmë ka 4 anëtarë dhe, madje, njërit prej tyre i ka mbaruar mandati. Në prill të vitit 2016 gjyqtarit Vladimir Kristo i mbaroi mandati dhe ai u tërhoq, edhe pse mund të qëndronte deri në zëvendësimin e tij. Tërheqja e shpëtoi Kriston nga procesi i vetingut.

Po ashtu, anëtari tjetër, Sokol Berberi, vendosi të tërhiqej nga pozicioni, pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Të njëjtën rrugë zgjodhi dhe Besnik Imeraj, në vitin 2018, duke u dorëhequr “për arsye personale dhe shëndetësore”. Imeraj tentoi t’i shpëtonte procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e referoi atë në prokurori.

Kur kishin mbetur vetëm 6 anëtarë, anëtari Fatos Lulo, iu nënshtrua procesit të vetingut. Më 23 mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shpalli atë të papërshtatshëm, me argumentin se dispononte pasuri të shumta me burime të pajustifikuara. Vetingu më pas rrëzoi Altina Xhoxhajn, Fatmir Hoxhën dhe Gani Dizdarin.

Vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, u konfirmua në hallkën e parë të vetingut, por u shkarkua më vonë për mospërputhje të pasurisë. Vetëm një nga nëntë anëtarët fillestarë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, u konfirmua nga vetingu dhe vijon detyrën, edhe pse i ka mbaruar mandati.

Lexo edhe :  KQZ: Nuk ka kapacitete për regjistrimin e emigrantëve pa dokumente shqiptare

Ambasadori i BE-së Soreca: Duhen realizuar detyrat e shtëpisë para fundit të vitit!

Ambasadori i BE-së në vendin tonë Luigi Soreca në një intervistë për DW thekson se kushtet që BE i ka vendosur Shqipërisë në marsin e këtij viti ende nuk janë plotësuar, por shpreson që kjo të arrihet deri në fund të vitit, sië është ngritja e Gjykatës Kushtetuese apo edhe dialogu politik për ligjin zgjedhor.

Në një intervistë për DW, ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca i kërkon politikës shqiptare, por edhe institucioneve të drejtësisë që të plotësojnë kushtet deri në fund të vitit, në mënyrë që Shqipëria të marrë negociatat për në BE.

“Mendoj se Këshilli i Përgjithshëm dërgoi një sinjal shumë të fortë për faktin se puna duhet të vazhdojë për të dy vendet deri në ditën e fundit të Presidencës Gjermane. Si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, shtetet anëtare janë të gatshme të miratojnë atë që ne e quajmë kornizën e negociatave.

Këto janë rregullat e lojës për të dy vendet për vitet në vijim deri në momentin kur do të fillojnë negociatat. Një prej shteteve anëtare e ka bllokuar, për fat të keq, këtë miratim për Maqedoninë e Veriut, ndërsa teksti i kornizës negociuese për Shqipërinë është pranuar nga të gjithë.

Pra, nëse do të ketë ndonjë zgjidhje të mosmarrëveshjes dypalëshe në lidhje me Maqedoninë e Veriut, atëherë të dy kornizat negociuese ende mund të miratohen ende para fundit të vitit. Ky është objektivi i Presidencës Gjermane, ky është objektivi i Bashkimit Evropian”-tha Soreca.

Më tej gjatë intervistës ai u ndal edhe në kushtet që BE- i ka vendosur Shqipërisë që nga mars ii këtij viti.

“Thirrja e Konferencës Ndërqeveritare është tjetër gjë, miratimi i kornizës negociuese është kushti për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare. Për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare për Shqipërinë, siç e dini që nga marsi i këtij viti, janë identifikuar disa kushte.

Ka disa prej tyre që ende duhet të plotësohen, dhe kjo është e qartë, kjo është arsyeja pse unë them se mesazhi është që puna duhet të vazhdojë. Kjo është thënë nga Ministri Roth, kjo është thënë nga Komisioneri Varheley dje në takim.

Çfarë pune duhet bërë për të vazhduar? Së pari, siç përmendët Gjykata Kushtetuese. Javët e fundit kam bërë disa herë thirrje që Këshilli i Emërimve në Drejtësi të përshpejtojë punën në lidhje me vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve në tri pozicionet e hapura. Me sa kam kuptuar në ditët në vijim do të ketë takime të Këshillit – KED – dhe është e rëndësishme që KED të dalë me një listë që do t’u dërgohet dy autoriteteve emëruese, Presidentit të Republikës dhe Parlamentit për emërime”-theksoi ai.

Një pikë e rëndësishme ku në mënyrë tashmë indirekte varet edhe “fati” i mëtejshëm i integrimit në BE është funksionimi i institucioneve të reja të drejtësisë. “A është e mundur kjo para fundit të vitit? Po, nëse puna përshpejtohet. Dhe ky është mesazhi që unë do të doja t’i dërgoja edhe një herë KED-it që po bën një punë të shkëlqyer, e cila gjithashtu mund të kontribuojë më tej për të ecur përpara. Është përmendur gjithashtu zbatimi i Ligjit Zgjedhor.

Unë mendoj se kjo çështje ka dy nën-elemente, njëri ka të bëjë me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili siç e dini do të publikohet më 10 dhjetor dhe do të ndihmojë për të dhënë qartësi në lidhje me çështjen mbi të cilën ka një mosmarrëveshje politike midis qeverisë dhe opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare. Çështja u ngrit nga Presidenti, siç e dini. Tjetra është zbatimi konkret i Ligjit Zgjedhor në funksion të zgjedhjeve, të cilat do të zhvillohen më 25 prill.

Kjo është gjithashtu e rëndësishme për sa u përket përgatitjeve teknike. Kohët e fundit jam takuar me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjithashtu jam i kënaqur të njoftoj se dy ekspertët që Bashkimi Evropian ka premtuar në momentin e miratimit të Marrëveshjes së 5 qershorit kanë filluar të punojnë me Komisionin për identifikimin biometrik, që është një nga përfundimet shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së 5 qershorit.

Kështu që këto gjëra duhet të zhvillohen, duhet të përshpejtohen. Le të shohim se ku jemi deri në fund të vitit para se të mbarojë Presidenca Gjermane. Dhe ky është mesazhi që del nga takimi i djeshëm, sipas mendimit tim dhe ne e mbështesim plotësisht atë”.

Kushtetuesja me 200 dosje për të shqyrtuar

Në 5 vitet e fundit Gjykata Kushtetuese ka qenë në ditët më të vështira të saj. Pas shkarkimit të 8 nga 9 anëtarët e kësaj gjykate, dyert e saj janë kyçur ku gjatë kësaj periudhe nuk është zhvilluar asnjë seancë. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese është me vetëm 4 anëtarë dhe e ka të pamundur që të merrë vendime, duke lënë pa përgjigje shumë nga ligjet apo çështjet që kanë shkaktuar konflikt vitet e fundit.

Në mungesë të një kuorumi për të dalë në seancë plenare, ku duhen minimalisht 6 gjyqtarë, 4 anëtarët gjatë kësaj periudhe shqyrtojnë dosjet vetëm në dhoma këshillimi, ku mjaftojnë tre anëtarë. Pas shqyrtimit të dosjeve trupa vendos kalimin ose moskalimin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare nga kolegji. Numri i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese ka shkuar rreth 200, numër i cili pritet të rritet me shpejtësi, për shkak të zgjerimit të subjekteve, të cilët kanë të drejtë sipas ligjit të vënë në lëvizje Kushtetuesen.

Nga këto 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë. Ndërkohë pjesa tjetër e kërkesave janë kundër gjykatave për proces të parregullt. Por shumica e kërkesave të shqyrtuara në dhomë këshillimi janë refuzuar, ndërsa deri tani janë pranuar të kalojnë në seancë rreth 30 çështje. Por, sipas gjasave, këto çështje do të mbeten edhe për një kohë pa u shqyrtuar, pasi do të duhet kohë për plotësimin e vendeve vakante me anëtarët e rinj, për shkak të mungesës së kandidaturave.

l.m/Fjala.al

Të fundit

Kthimi i emigrantëve në Itali/ Rama: Pyesni Melonin, i detyrohemi shumë

Kryeministri Edi Rama u pyet për kthimin e emigrantëve në Itali për herë të tretë, pas vendimit të Apelit...

Ngjarje tronditëse/ Deputeti i së djathtës ekstreme abuzon seksualisht me 15-vjeçarin

Një anëtar i Partisë Chega në Portugali akuzohet nga Prokuroria Publike për dy krime të rënda të prostitucionit të të miturve. Nuno Pardal Ribeiro, deri...

A ju bën të plakeni drita blu e lëshuar nga ekranet e celularëve?

Kalimi i shumë orëve para celularëve tanë mund të përshpejtojë procesin e plakjes. Një studim mbi mizat e frutave sugjeron këtë. Shpenzimi i shumë orëve...

Shqipëria pret Kongresin Botëror të Ligjit në 2027/ Rama në Madrid: Sinjal i fortë besimi

Shqipëria do të presë Kongresin Botëror të Drejtësisë, një vlerësim i rëndësishëm për reformat e saj në sistemin e drejtësisë. Autoritetet shqiptare e konsiderojnë...

Gonxhja: Operatori i Blerjeve të Përqendruara vlerësim pozitiv në raportin e OECD/SIGMA

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka marrë vlerësim pozitiv në raportin e OECD/SIGMA. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shkroi në rrjete sociale...

Lajme të tjera

Web TV