Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar sot pajiseje personale mbrojtëse antiCovid, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale nga faqja zyrtare e Ambasadës së ShBA në Tiranë, shihet Kim teksa kalon kuti dorë më dorë në ndihmën me pajisje personale mbrojtëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Në pako gjenden maska dhe dezinfektant duarsh, të cilat do të shpërndahen në burgjet shqiptare për punonjësit dhe të dënuarit.
“Shtetet e Bashkuara me kënaqësi ofrojnë ndihmë për të mbajtur sistemin penitenciar shqiptar të sigurtë gjatë kësaj kohe të vështirë të COVID. Ambasadorja Kim dhe programi i Departamentit të Shtetit i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit, dorëzuan pajisje personale mbrojtëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Pajisjet, të cilat përfshijnë maska mbrojtëse dhe dezifektant duarsh, do të ndihmojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të sigurojë shëndetin dhe sigurinë e të burgosurve dhe personelit të burgjeve gjatë pandemisë COVID-19,” thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane./Re.D/Fjala.al