8 dhjetori i rinisë, Kryemadhi: Të realizojmë ëndrrën e tyre europiane

Sot përkujtohet 8 dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, ku 24 vjet më parë protestat studentore përmbysën regjimin komunist.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e ka kujtuar këtë ditë me anë të një statusi në “Facebook” ku shkruan se është koha e të rinjve. Ajo ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime.

30 vjet më parë, rinia e Shqipërisë ndezi një shpresë të re duke i dhënë vendit tonë një drejtim të ri. Kurajoja dhe vizioni i tyre çeli rrugën e afrimit të vendit tonë me familjen Europiane. Ashtu si të rinjtë e 30 viteve më parë, është rinia e sotme që mund t’i japi Shqipërisë drejtimin e ri për të cilin kemi nevojë.

Një Shqipëri ku kushdo gjen shpresë, ku të gjithë kanë mundësi për punësim të mirëpaguar, ku çdo shqiptar ëndërron ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e tij. Unë do të vazhdoj të mbështes të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime, sepse është rinia e sotme që do të krijojë një të nesërme më të mirë në Shqipëri. Ne duhet të punojmë për të mbështetur fort brezin e ri dhe t’i japim atyre të gjitha mundësitë që kanë nevojë për të qëndruar në Shqipëri“, tha ajo.

Sipas kryetares së LSI ky është momenti i duhur për t’u integruar në Europë. “Kemi nevojë për ndihmën e brezit të ri, që ta ndihmojë Shqipërinë të distancohet nga dështimet dhe që misioni kombëtar ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, i cili ka 30 vjet që kumbon si thirrje, të mos përplaset më në murin e një politike që nuk dëgjon, por vetë ata të ndërtojnë Shqipërinë shtëpi të tyre. Shqipëria duhet të flasë më shumë me zërin e të rinjve të mrekullueshëm që kemi! Është koha e tyre!Le t’i dëgjojmë“, shtoi ajo.

Lexo edhe :  2.3 milionë turistë në Shqipëri në muajin gusht, pushuesit nga Kosova dominuan bregdetin

Prej vitit 2009, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare kur më 8 dhjetor një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike./Bl.Ba/Fjala.al