Pas betimit para presidentit Ilir Meta të 8 prokurorëv të SPAK, vjen një reagim zyrtar nga ambasadori i Republikës së Gjermanisë. Kjo strukturë do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Prokurorët e parë të SPAK, me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho.
Peter Zingraf përmes një postimi në rrjetin Facebook e ka konsideruar një hap të rëndësishëm luftën kundër korrupsionit dhe çelës kyç për progresin e mëtejshëm në procesin e integrimit në BE.
“Përshëndes betimin e tetë prokurorëve të strukturës speciale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK). Nisja e veprimtarisë së SPAK-ut shënon një hap tjetër të rëndësishëm të reformës gjithëpërfshirëse të sistemit shqiptar të drejtësisë. U uroj prokurorëve të SPAK-ut shumë forcë dhe energji për këtë detyrë të rëndësishme.
Lufta e konsoliduar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër çelësat për progresin e mëtejshëm në procesin e integrimit në BE. Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë si një partner i ngushtë i saj”,- ka deklaruar ai.