Për të 5-ën ditë me radhë, në qytete të ndryshme të Shqipërisë mbahet protestë homazh në kujtim të të riut, Klodian Rasha, i qëlluar për vdekje në orët e para të 8 dhjetorit.
Dhjetëra qytetarë marshuan në shenjë homazhi në qytetin e Lushnjës.
Me koret “Drejtësi për Klodianin” dhe ‘Lushnja nuk i nënshtrohet diktaturës’ qytetarët marshuan paqësisht në rrugët kryesore të qytetit.
Marshim homazh u mbajtën edhe në Cërrik. Qytetarët kanë ndezur disa qirinj dhe kanë mbajtur 1 minutë heshtje në shenjtë përkujtimi për 25-vjeçarin Rasha.
Nën moton “drejtësi për Klodianin”, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe minorenë kanë protestuar paqësisht në sheshin “Nënë Tereza” të Sarandës. Me qirinj dhe pankarta në duar ata kanë kërkuar drejtësi për Klodian Rashën, i cili u vra nga një efektiv i policisë.
Prej 5 ditësh, protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera të vendit.
l.m/Fjala.al