Spikat derbi Mançester Junajtid- Mançester Siti, Totenhemi sfidohet nga Brentfordi. Është hedhur të mërkurën në mbrëmje edhe shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Ligës Angleze, që ka dhuruar derbin e Mançesterit. Mançester Junajtid do të përballet me Mançester Sitin në njërin prej dueleve të gjysmëfinales, ndërsa Totenhemi do të presë në shtëpi Brentfordin, në duelin tjetër.
Veprimtaria e 3-të e futbollit anglez ka mbyllur të mërkurën në mbrëmje fazën e çerekfinaleve, Kupa e Ligës Angleze duke përcaktuar edhe 4 skuadrat që do të vijojnë më tej betejën për këtë trofe. Dhe menjëherë pas përfundimit të këtyre ndeshjeve është hedhur edhe shorti i gjysmëfinaleve, që, ashtu sikundër edhe ishte parashikuar, ka dhuruar derbin e Mançesterit.
Kjo sepse Mançester Junajtid do të përballet me Mançester Sitin në njërin prej dueleve të gjysmëfinales, ndërsa Totenhemi do të presë në shtëpi Brentfordin, në duelin tjetër. Dy përballjet e çerekfinaleve, që, ndryshe nga sezonet e mëparshme, këtë sezon, për shkak të kufizimeve të epidemisë së virusit “Covid-19”, do të zhvillohen me një ndeshje të vetme, që do të luhet më 4 janar 2021.
Mançester Siti ka shijuar suksesin gjatë këtyre viteve të fundit në këtë veprimtari, teksa ka triumfuar në 4 nga 5 educionet e fundit. Por, edhe 3 skuadrat e tjera që kanë arritur në gjysmëfinale, e sidomos “Djajtë e kuq” dhe Totenhemi i trajnerit Zhoze Murinjo, e synojnë këtë trofe për të mbajtur lart moralin në betejën për sukses këtë sezon të futbollit anglez.
Të martën u luajtën çerekfinalet e para dhe Brentfordi modest, që militon në nivelin e dytë të kampionatit anglez të futbollit, ka fituar ndaj Njukasëll Junajtid të Premier Ligës, me një gol të vetëm, të shënuar në pjesën e dytë.
Ndërkaq, po të martën është luajtur superdueli Arsenal-Mançester Siti, që është fituar nga miqtë me rezultatin e thellë 4-1. Të mërkurën, Totenhem ka fituar 3-1 në fushën e Stouk Sitit, ndërsa Mançester Junajtid është bërë gjysmëfinalistja e 4-t dhe e fundit e Kupës së Ligës Angleze.
“Djajtë e kuq kanë fituar me dy gola në Stadiumin “Gudison Park” ndaj Evertonit vendas, të shënuar në fundin e ndeshjes. Siç dihet, kjo veprimtari është një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që i ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjet më të spikatura të kësaj veprimtarie, ashtu siç do të bëjë deri në finalen e madhe.