Ardian Christian Kyçyku, shkrimtari i shpirtit njerëzor që e nderon atdheun e tij

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Shpendi Topollaj

Në memorien e popullit tonë, është rrënjosur mendimi se të gjithë ata intelektualë dhe sidomos shkrimtarë të dikurshëm, që për hir të rrethanave, kryesisht ekonomike, u shpërngulën familjarisht qysh kur qenë të vegjël, në Rumani, jo vetëm që gjetën atje mikpritje dhe ngrohtësi, por patën edhe mbështetje në veprimtarinë e tyre atdhetare. Pa folur për Dora D`Istrian, që duke bashkëpunuar me rilindas të shquar, dha një kontribut të çmuar për lirinë e Shqipërisë, mjafton të përmendim Asdrenin që edhe pse u largua kur ishte vetëm 17 vjeç, gjithë energjitë krijuese ja kushtoi vendlindjes, apo akademikun nga Boboshtica Viktor Eftimiu që edhe pse qe fëmijë kur shkoi për të jetuar atje, përsëri nuk i ndahej shpirti deri edhe nga Folklori shqiptar.

E njëjta histori është përsëritur edhe me shqiptarë të tjerë, të cilët shkuan në atë vend pas ardhjes së demokracisë. I tillë është padyshim edhe djali i mikut tim të shquar, akademikut erudit e poliglot Kopi Kyçyku, Ardiani me emrin e letrarizuar Ardian Christian Kyçyku. Mjaft i njohur në lëvizjen kulturore dhe sidomos atë letrare të Bukureshtit, ai veç detyrave të rëndësishme që kryen, ka shkruar e botuar një pafundësi librash në prozë, si tregimtar, novelist, romancier, eseist, si në gjuhën shqipe, ashtu dhe atë rumune.

Libra dhe revista si “Haemus” apo “ComunIQue”, që kanë tërhequr vëmendjen dhe kanë nxitur interesin lexuesve të shumtë dhe qarqeve akademike. Ndofta largësia nga vendi i tij, ndofta natyra modeste që e dallon, ka ndikuar që ai dhe vepra e tij të mos jenë të pranishme aq sa e meritojnë në shtypin tonë apo në mediat televizive, ndërkohë që shpesh janë mediokrit ata që nuk u lenë radhë të talentuarve. Ai edhe vetë e ndien këtë gjersa kujton fjalët e atij kinezit të mençur se “Fundi i ditës është afër, kur njerëzit e vegjël lëshojnë hije të mëdha”.

Por këto janë punë që duam apo s`duam, koha do t`i ndreqë dhe gjithkush do të zerë vendin që i takon në hierarkinë e shkrimtarëve tanë. Ndofta edhe unë pak i vonuar, por po përpiqem të jap opinionin tim rreth prozës së tij të zgjedhur, pra tregimeve të përfshira në librin me titullin “Perla” që është nderuar edhe me çmimin kombëtar “Penda e Argjendtë”. Janë 21 të tilla, ku ajo që bije në sy është stili tjetërsoj i të shkruarit, trajtimi i njeriut më shumë si shpirt sesa si mish e gjak, tematika shpesh trill fantazie dhe referimi te realitetet shqiptare, edhe kur i duhet të sajojë.

Natyrisht që vetë jeta na servir një pafundësi e larmi temash, shpesh nga më të çuditshmet e më të pabesueshmet. Pastaj, futja në lojë e shkrimtarit, kultura e tij, prirja për të shpalosur identitetin e stilit, forma që u jep jetë këtyre historive, mesazhet e hapura a të fshehta, zgjatja a shkurtësia e materialit, gjuha e përdorur, janë disa nga elementët kryesorë që përbëjnë anën artistike të krijimtarisë. Dhe duke qenë se Ardiani i ka dhe i përdor me mjaft kujdes këto elemente, ndaj dhe tregimet e tij janë aq të realizuara. E për më tepër, kur mendojmë se ai me këtë personalitet ka paraqitur edhe para lexuesve rumunë nivelin e lartë të një shkrimatri shqiptar, jo vetëm që e përgëzojmë atë, por dhe i jemi shumë mirënjohës.

Jo për të bërë diferencime, por për kursim kohe, lejomëni të veçoj dy prej këtyre tregimeve; “Arratia” dhe “Soul – appeal” (Përjetim – e). Shkrimtari në tregimet e tij synon që me një fragment të shkurtër të marrë nga jeta, të na japë tiparet përfaqsuese të vetë jetës, pra thelbin e saj.

Te tregimi “Arratia”, autori ka ditur që nëpërmjet disa penelateve mjeshtërore të na vizatojë tabllonë e plotë të një ngjarjeje madhore dhe të paharruar në jetën e popullit tonë. Turma njerëzish të shpërfytyruar, burra e gra, deri dhe nxënës shkollash, sapo u krijohet mundësia, turren drejt Portit dhe hipin në anijen e parë që gjejnë. Ca nga shkallët, ca nga litarët si majmunë, ngjishen njeri pas tjetrit, dhe shtyhen për të gjetur një vend sa një gjysmë varr, qoftë dhe sa një çerek varr, kudo qoftë, edhe duke u varur rreth shtyllës së flamurit kombëtar, vetëm e vetëm të ikin nga ishulli i tmerrit që ua kishte nxirë jetën. Qenë bërë njësh pleq e fëmijë, gra shtazëna e sakatë.

Kishin ardhur si me komandë, nga të katër anët, tufa – tufa, si të ndëkërryer dhe as që ishin bërë merak për të njoftuar dikë në shtëpi. Nuk donin t`ia dinin as se nuk kishin marrë diçka për të ngrënë e për të pirë apo ndonjë rrobë për t`u ndërruar. Madje edhe ato që kishin veshur, kur u binin nga nxitimi, i linin rrugës. Po iknin nga Ferri. Ishte një kapitull i ri që do t`ia shtonte vlerën librit të famshëm të Dante Aligierit. Nuk ishte gjë ikja biblike para kësaj. Mbi vaporë ata ngjisnin me mizat që pushtonin kufomën e të vdekurit. Dhe pse e gjithë kjo? Pa tjetër se vendi i tyre ua kishte mohuar të gjitha.

Dhe ata donin “të shpëtonin nga ajo tokë e mallkuar ku vdekja po i telendiste pa arritur të hanin një herë sa të ngopeshin, pa dashuruar një herë larg helmit të theshethemeve, pa folur një herë siç ua donte shpirti, pa iu trembur prangave”. Nuk i kishte organizuar a udhëhequr ndokush. Ishte vetë instinkti që kishte ngritur krye, se durimi si vityti më i madh i njerëzimit, ishte sosur. Dhe në gjithë këtë katrahurë të ngjashme me përfytyrimin që gjithkush kish për apokalipsin, ndodhi diçka e pabesueshme; një thinjosh i veshur si mos më keq, pa e prishur aspak terezinë, bënte gjënë më të papërfytyrueshme. Ai mblidhte gjithësi ikanakëve u kishin mbetur rrugëve; këpucë të shqyera, pandofla, shamitë, ndonjë rrobë të grisur, pusulla të padërguara.

Edhe ata të mjerët, pasi zunë vend mbi njëri – tjetrin, e ndiqnin atë me sy dhe sillnin ndërmend dashurinë e tij dhe vuajtjet në jetë. Dinin gjithçka për të, deri dhe lulet që ai i shpinte (nuk ishin nga të varrezave – larg qoftë), thashethemet se ajo e dashura e tij, studente e arkitekturës ishte bishtpërdredhur, kurse ai një pijanec e qejfli grash, telashet me prindërit për fejesën e martesën e tyre, ngatërresat në punë, hipotezat për marrjen e një apartamenti – kotec pulash, si dhe çfarë flisnin në dhomën e gjumit apo kur pinin të nesërmen kafenë në kuzhinë. Pra, ai thinjoshi, s`qe tjetër, veçse Shqipëria që ata po linin pas. Se dhe ai dinte gjithçka për ta. Dhe si mbushi thasët me ato vjetërsira, i hodhi në krah, i lidhi te rripi i pantallonave dhe u nis drejt qytetit të shkretuar për në shtëpi, ku e shoqja po e priste.

Lexo edhe :  Kështjella Argjiro, më e vizituara/ Monumenti që është frekuentuar më së shumti në 2024

Ndihej mirë se të paktën, “do bënin një herë dashuri siç dinin ata, dashuri gjer në të gdhirë, po ashtu një ditë më vonë, një javë më vonë e mbase vite më vonë, gjer në fund të dashurisë, tashmë të qetë… në atë varfëri ku qenë thinjur”. Dhe ja një gjetje mjaft e bukur nga ky autor: Me të mbërritur në mosdije, qytet në bregun tjetër, dikë e njoftojnë se i ka ardhur një trashëgimi nga Amerika prej një milion dollarësh. Por shihni ç`thotë ai dikushi: “Vetëm për ato që hoqa rrugës, nuk kthehem më!” Dhe kishte të drejtë, se kishte parë dhe provuar skena rrëqethëse dhe vuajtje pafund, nga ato që vetëm njerëzit e shpërfytyruar nga dëshpërimi i shkaktuar nga llahtarët e diktaturës së egër, dinë të bëjnë.

Tregimi tjetër siç thashë quhet “Soul – appeal” (Përjetimi – e) dhe bën fjalë për largimin e papritur të një shoqeje nga kjo jetë. Të një shoqeje jo dosido, por asaj që  krahas mësimit të gjuhës, atje në emigracion ku kishte shkuar, jepte leksione edhe me bukurinë e saj. Por ajo ishte e tillë se kishte ose më drejtë ishte një shpirt i bukur. E kujt nuk i ka ndodhur që ta ruajë imazhin e një vajze të tillë në mendje e në zemër gjithë jetën. Ti ndofta nuk ke pasur asgjë për t`u shënuar në marrëdhëniet intime me të, por ajo të ka mbetur si një njeri i dashur, i shtrenjtë dhe i paharruar. Sa herë ke nevojë, pra sa herë je i mërzitur ose në vështirësi, fytyra e saj vezulluese të del përpara si e zbritur nga qielli, (kështu thosh Shekspiri), zëri i saj i ëmbël, të tingëllon aq këndshëm dhe këshilla e saj të qetëson.

Por mendoni se me çfarë force vjen ajo pasi fati është treguar i pamëshirshëm dhe e ka çuar te të shumtët. Jo vetëm e bukur, por dhe e re e plot gjallëri, e mbi të gjitha, e mençur, që lexon e diskuton për libra, shkrimtarë e personazhe. Vetë ajo duket si personazh librash. Nga ato që Çehovi, Mopasani, Cvajgu e Floberi kanë ditur t`i përjetësojnë. Çfarë mbresash të pashlyeshme i ka lënë Ardianit ajo vajzë e sa dhembje ndjen ai për humbjen e saj.

Nuk vajton, por gjithë ç`thotë për të është një kujë krejt njerëzore, që të rrëmben dhe të bën edhe ty të gëlltisësh lotët e nxehtë. Pse, pse, duhej të vdiste ajo: “…femra më e bukur që ka lindur vendi im në fillimin e viteve `60 dhe jo vetë atëherë. Mjaftueshëm e bukur për të shenjtëruar, me fytyrën dhe sjelljen, jo me vdekjen e parakohshme, frymëzimin dhe rrëqethjen e këtyre radhëve… Ishte më e bukur se qyteti im i lindjes, ndoshta pak më e bukur edhe se krejt fëmijëria dhe më e bukur se një natë e mundshme e kaluar me të”.

Ajo vinte si një vegim në qytetin e tij dhe kalonin çaste të magjishme, të pastra, të ndershme, plot botë e ndjenjë nga ato të rrallat. Nga ato që lenë gjurmë të pashlyeshme, ku gjithçka, qoftë dhe një bisedë e thjeshtë, të përmend se sa e mrekullueshme është bota. Pra, një miqësi, që askush nuk guxon ta përlyejë. Një miqësi që nuk ke pse të mos ia tregosh edhe vajzës tënde. Një miqësi që dhe tët bijë e vë para detyrimit që të pyesë dhe të interesohet sesi i vajti filli asaj, ç`rrugë ndoqi e ku përfundoj.

I ndau mërgimi dhe mbetën disa relikte si kartolina, miniature zbavitëse, zogj prej letre, suvenire e ku di unë. Por që tani ato kanë vlerë të madhe e të pazëvendësueshme, se marrin përmasa të tjera. Edhe pse larg, ajo të ngërthen me virtytet që ka, pa qenë fare bija e Heliosit, Çirçja. Dhe autori nga ana e tij nuk është Odiseu që mori atë bimën nga Hermesi që e mbrojti prej yshtjeve të saj dhe i tregoi nga të shkonte.

Kështu që ai subjektivisht mbetet i lidhur me të deri një Zot e di. Ecën zallishtes së Liqerit dhe i duket se shëtit me të. Po çfarë do të ishte njeriu e ca më shumë një shkrimtar pa këto ndjenja? A nuk do të qe mjeran ai që nuk ka se çfarë të kujtojë? Ardiani nuk është si Narcisi që shihte në liqen imazhin e tij, i dënuar nga Nemesida për shpërfilljen e nimfës Eko e cila u tha nga dashuria dhe i mbeti vetëm zëri. Jo! Ai e shpall simpatinë dhe dashurinë si për motrën, për vajzën që vinte në qytetin e tij me pushime. Ai e idealizon atë, dhe e torturon mungesa e saj. Ai ishte lumturuar kur kishte kuptuar se “…mund të thuhet se krejt qyteti, lutej që të mos binim në klishetë e çifteve të tjerë, por të mbeteshim ashtu, të pandryshuar, si të dashuruarit që vdesin të rinj, pak para se të bëhen çakërrë nga mjalti i hidhërimeve trupore”. Dhe çfarë lehtësimi ndjen ai, tani që shkroi për të.

Se duam, s`duam, libri të kthen në jetë, ai të mban gjallë, edhe pse “koha rrjedh si në mëgrim”, edhe pse “bota është gjithnjë e më e madhe” edhe pse është  “gjithnjë e më pak e jona”. Por bota bëhet e jona me shkrime dhe shkrimtarë të tillë që i bëjnë nder Atdheut të tyre, kudo që janë. Ca më shumë Ardiani që duke ndjekur gjurmët e ndritura të rilindasve dhe babait të tij të mrekullueshëm, në këto perla kaq të arrira, derdh kaq dashuri e krenari për Atdheun dhe njerëzit e vendit të tij.

Shpendi Topollaj
Shpendi Topollaj

Të fundit

Tesla tërheq nga tregu rreth 239,000 automjete, ja çfarë problemi dyshohet

Kompania Tesla njoftoi se ka tërhequr rreth 239,000 automjete të saj për shkak të një problemi që mund të...

Rama të hënën vizitë në Romë, a do ta presë mikja e tij Meloni?

Meloni është bërë një personazh me shumë rëndësi, pasi pëlqehet nga Donald Trump... Në kulmin e debateve sa i takon dështimit të paktit për refugjatët,...

Erion Veliaj uron Maestro Robert Ndrenikën në ditën e lindjes!

"Gëzuar Ditëlindjen Maestro Robert Ndrenika! Ikonë e artit shqiptar, që vijon të frymëzosh njësoj. #TiranaKryeqytetiMesdhetariKultures" - shkruan Veliaj. Robert Ndrenika feston sot ditëlindjen e 83-të. Vitet kalojnë,...

Mes Xhemit dhe Arbanës, cila është më shumë diplomate? Ja si përgjigjet Eno Popi

Në emisionin e Arbana Osmanit “Mirëmbrëma yje” që transmetohet në YouTube, kanë qenë të ftuar tre miqtë më të ngushtë të moderatores. Ermal Mamaqi, Xhemi...

CES 2025: Samsung do të lejojë klientët “të marrin me qera” smartphone-t Galaxy

Sipas lajmeve që vijnë nga CES 2025, Samsung thuhet se po planifikon të prezantojë një plan të ri abonimi të quajtur “AI subscription” përpara ngjarjes...

Lajme të tjera

Web TV