Cov*d i merr jetën 35-vjeçarit/ Mesazhi prekës i të riut një ditë para se të vdiste

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në sallën e reanimacionit në COVID 2, nuk është e njëjta situatë si pak muaj më parë.

Vështirë të mendosh se një djalë apo një vajzë e re, lufton për jetën pas infektimit me koronavirusin, që deri dje besonim se i rrezikonte jetën një moshe të thyer.

I tillë ishte dhe fati i 35 vjeçarit, që luftoi për t’i mbijetuar COVID-19, por që fatkeqësisht nuk ia doli. Report Tv, në një bisedë rastësore me të riun, përmes gazetares Migena Sotiri, një ditë përpara se ai të mbyllte sytë, arriti të dëgjonte dhe përcillte mesazhin e tij të fortë e të fundit.

“Isha në punë, punoja në një restorant edhe më kapi pa e ditur fare. Kisha një ngushtim në mushkëri, në frymëmarrje dhe më pas kisha këputje. Kam një mesazh për moshën e re, duhet të ketë shumë kujdes. Mua nuk ma priste mendja dhe nuk e besoja, por është një virus shumë shumë i rëndë”, u shpreh 35-vjeçari.

Report Tv u gjend brenda COVID 2, për të përcjellë atë pamje, që ndoshta rinia shqiptare jashtë mureve të spitalit dhe brenda mureve të lokaleve të tejmbushur, pa distancë, në kërcime qafë më qafë, nuk e shohin, shkruan Shqiptarja.com. Pamjen e të rinjve, që ndoshta dhe ata si bashkëmoshatarët e tyre jashtë, diku gabuan në respektimin e masave anti-COVID, aq sa e panë veten të pafuqishëm edhe për të marrë frymë.

Me vështirësinë për të folur nga aparatura e oksigjenit, i riu na tregoi se ai punonte në një restorant që ata e kanë të gjithë si familje dhe aty është prekur nga COVID.

Për mjekët, ishte e pabesueshme që në gjendjen e tij, 35 vjeçari gjeti forcën të flasë përballë gazetares. Ndoshta ishte amaneti i tij, për të përcjellë fuqishëm mesazhin se sa e rëndësishme është jeta, që një ditë më pas ai do t’i jepte përfundimisht lamtumirën.

“Ndryshe nga muajt e mëparshëm, po shohim një rritje të numrit të të rinjve të infektuar, që variojnë nga 24 në 58 vjeç, në reanimacion. Po vijnë me gjendje vërtetë të rënda. Gjithë spitali është në terapi intensive tashmë, po insistohet të gjithë me ndihmë, me monitorime, me respiratorë etj. Ndoshta neglizhenca, mos mbajtja e maskës dhe distancimit social. Përfitoj nga rasti që të apeloj që tani nuk është më kriteri i moshës, po infektohen të gjithë, kujdesi duhet nga të gjithë sepse nuk mbrojmë vetëm veten, por edhe familjen dhe jetën. Do doja që të gjithë ta kuptonin se mbajtja e maskës është më mirë se mbajtja e maskës së oksigjenit. Kjo do të na bënte më koshient të gjithëve për të luftuar për më të mirën, ne kërkojmë fitoren e jetës” thonë mjekët.

Lexo edhe :  Alo, ChatGPT? Inteligjenca Artificiale përfshin WhatsApp

Me kokën pas nga fjalët e një 35-vjeçari, ne gjetëm një fije shpresë tek Damiani, edhe më i ri, 29 vjeç, gjithashtu në reanimacion, por që ndaj virusit doli fitimtar. Me peshën e fitores dhe të vazhdimit të jetës, me fuqinë e fjalëve të 35-vjeçarit që jetën virusi ia theu në moshë të re, edhe në mesazhin e Damianit, gishti i ndërgjegjësimit i drejtohet të rinjve.

“Nisi si një grip i lehtë, me simptomat e një gripi normal dhe si ne të rinjtë edhe me pak neglizhencë, që e lëmë pas dore, kaloi në gjendje të rëndë të frymëmarrjes, si fillim shkova në urgjencën e Elbasanit, ku mora ndihmën e parë, por duke parë që nuk po përmirësohesha, erdha me urgjencë në Tiranë. Në fillim mu kërkua që të bëja tamponin, me anë të procedurës së mjekut të familjes, mu dhanë ilaçet, por kisha sërish probleme, ndaj erdha. Sot është dita e 4-rt, kalova në reanimacion sepse kisha probleme me frymëmarrjen. Ndërsa tani, krahasuar me gjendjen si erdha, jam si nata me ditën. Që mund të infektohesha e kisha menduar, por që do përfundoja në spital, jo, sepse thoja jam i ri, do ia dal me antibiotikë, por qenka e vështirë” – tha Damiani.

Gjendja shëndetësore e Damianit është e përmirësuar, dhe për pa ditë ai pritet të lërë spitalin COVID 2, por shumë pranë tij, një tjetër i ri nuk ia doli. Situata e koronavirusut në Shqipëri, ashtu si dhe në gjithë botën, po ndryshon frikshëm dita ditës, duke iu drejtuar të rinjve, që edhe në vendin tonë po përjetojnë infektimin në formë të rëndë, deri në vdekje.

Vetëm në 24 orët e fundit humbën jetën 13 pacientë ku më e reja ishte 28 vjeç, dhe rezultuan të prekur nga COVID 1130 qytetarë. Në 4 spitalet COVID janë të shtruar 431 pacientë, 25 kanë hyrë në terapi intensive dhe 12 tashmë janë në jetë vetëm falë frymëmarrjes artificiale.

Thirrja e Report Tv i bashkohet asaj të mjekëve, ruani distancën, mbani maskën më ambinte të mbyllura e të hapura, shmangi për çfarëdolloj arsyeje grumbullimet, ruani së pari vetën, prindërit, të afërmit dhe komunitetin.

Të fundit

Vigjilje Krishtlindjesh, Pastori Akil Pano: Ngjarja më e madhe në besimin e krishterë!

Krishtlindja është një nga festat më të vyera për të gjithë besimtarët ortodoks dhe katolikë. E teksa jemi në...

Kleri katolik dhe ortodoks uron besimtarët në prag të Krishtlindjeve

Në Shqipëri, ndërsa besimtarët katolikë dhe ortodoksë janë përgatitur të festojnë lindjen e Jezu Krishtit, udhëheqësit e tyre shpirtëror u përcollën sot mesazhin tradicional...

Udhëtarët shqiptarë tejkalojnë vizitorët e huaj! Europa, burimi i flukseve

Instat ka publikuar të dhënat e flukseve hyrëse-dalëse të shtetasve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajit nëntor. Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar...

5 këshilla si të shtroni tryezën e festave

Nga ngjyrat te dekorimet, nga tradita te dizajni, një pjesë e mirë e kujtimeve të festave të ndara me miqtë dhe të afërmit krijohen...

Rama: Ka një arsye kryesore për fitoret e mia! Ndodhi që u bëra kryeministër…

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në darkën e fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri kishte një përgjigje edhe për ata...

Lajme të tjera

Web TV