Shtimi i rasteve të të infektuarve me koronavirus ka detyruar Komitetin e ekspertëve që të ndryshojnë fashën e orareve. Shqipëria nga sot deri në datë 25 shkurt do të mbyllet në shtëpi në orën 20.00-06.00. Komiteti i Ekspertëve jep arsyet se përse u shkua drejt këtij vendimi. Bino: Dyshohet se në Shqipëri kanë hyrë mutacionet e Covid-19
Nga Fernada Cenko
Shqipëria nga dita e sotme do të mbyllet 10 orë në shtëpi në 14 ditët e ardhshme. Ora policore ndryshoi duke i mbyllur qytetarët në shtëpi dy orë më herët. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur dje që të ndalojë lëvizjen pas orës 20:00. Vendimi ishte i pritshëm, pasi në javën që lamë pas, por edhe dje numri i rasteve të të infektuarve me koronavirus është në raportin 1 qytetar i infektuar në 4 qytetarë të testuar. Ministrja Ogerta Manastirliu tha se dy javët në vazhdim janë vendimtare për Shqipërinë.
“Dy javët e ardhshme janë vendimtare. Janë vetëm dy javë dhe nga gjithsecili kërkohet një sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh, mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme, do të vendosë nëse do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim”, u shpreh ministrja.
Vendimi dhe masat
Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë njoftoi, këtë të mërkurë, masat e reja shtrënguese për shkak të shtimit të rasteve me Covid-19. Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, bëri të ditur se fasha orare e lejuar e lëvizjes do të ulet nga ora 22:00 në orën 20:00, duke mbyllur të gjitha aktivitetet deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Masat e marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve janë:
-Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
-Masa e dytë është ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt. Së dyti, nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamzë, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
-Dhe masa e tretë është vendimi për sezonin e provimeve për universitetin, i cili do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësishtë protokollet AntiCovid.
Fico: Po infektohet edhe grupmosha 15-24 vjeç
Në tryezën e ekspertëve teknik, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico, duke folur për situatën epidemiologjike tha se aktualisht ka një dinamikë të re në infektimet me COVID-19, ku vërehet një rritje e të infektuarve në grupmoshat 15-24 vjeç.
“Situata epidemiologjike në 3 javët e fundit ka një tendencë në rritje të rasteve të reja të konfirmuara me covid-19, veçanërisht e shprehur në javën e fundit. Të dhënat tregojnë se përveç rritjes në grupmoshat nga 45-64 vjeç, në javët e fundit ka një rritje të incidencës te grupmoshat, 15-24 vjeç. Mesatarja e rasteve ditore në javën e fundit, krahasuar me javën paraardhëse, është rritur nga 836 në 1030. Edhe faktorët e tjerë si, numri i të shtruarve në spitale dhe në terapi intensive kanë pësuar rritje, ndërsa mosha mesatare e shtrimeve në spitale është ulur”, tha Fico.
Shefja e Spitalit Infektiv, prof. Najada Çomo ka bërë me dije se ka një shtim të numrit të shtrimeve në moshat e reja. “Kemi një shtim të numrit të rasteve të shtruar në spitale. Është shtuar numri i moshave të reja dhe kemi edhe forma të rënda të shtrimeve në spitale, shoqëruar edhe me humbje jete. Fluksi i shtrimeve në spitale vijon të jetë i përballueshëm, por i shtuar në numra”, tha Çomo.
Bino: Dyshohet se në Shqipëri kanë hyrë mutacionet e Covid-19
Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, prof. Silva Bino tha se ka dyshime se në vend kanë hyrë të dyja mutacionet e Covid-19, si ai i Mbretërisë së Bashkuar ashtu edhe ai i Afrikës së Jugut.
“Ne vijojmë dërgimin e mostrave. 50 monstra po dërgohen në Institutin e Shëndetit Publik të Anglisë që janë edhe laboratore reference. Ne kemi dyshuar për këto mostra për mutacion. Të dyja llojet e mutacioneve qoftë i Mbretërisë së Bashkuar, qoftë ai i Afrikës së Jugut. Këto mostra po testohen. Ne po ashtu presim metodologjinë e re që të na vijë sot nga Turqia, metodë që po zbatohet edhe në Norvegji dhe do të na lehtësojë punën për t’i dalluar më mirë këto mutacione”, tha Bino.
Rritet numri i të infektuarve, ulet numri i vdekjeve
Ministria e Shëndetësisë thotë se ka 1143 raste të reja me koronavirus nga 4083 testime që janë kryer. 15 qyetetarë nuk kanë mundur ta luftojnë koronavirusin
Situata në 4 spitalet covid në vend paraqitet serioze. Mësohet se këto ditë ka pasur një numër të lartë shtrimesh në këto spitale. Në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se nga 4083 persona të testuar, 1143 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.
Ndërkohë kanë dhënë edhe lajmin e mirë pasi, numri i pacientëve që kanë humbur betejën me COVID-19 në 24 orët e fundit është 15, duke shënuar ulje të ndjeshme në shifër. Sipas ministrisë, janë kryer 4083 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 1143 qytetarë.
Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 453 raste në Tiranë, 110 raste në Vlorë, 58 raste në Kuçovë, 57 raste në Fier, 35 raste në Sarandë, 34 raste në Shkodër, Berat , 27 raste në Durrës, Korçë, 26 raste në Elbasan, 24 raste në Lushnje, 22 raste në Mallakastër, 20 raste në Kukës, 19 raste në Kurbin, 15 raste në Pogradec, 14 raste në Malësi e Madhe, 13 raste në Gramsh, Skrapar, 11 raste në Kavajë, 10 raste në Lezhë, Kamez, 8 raste në Mirditë, Gjirokastër, Bulqize, Patos, 7 raste në Vau i Dejës, Peqin, 6 raste në Dibër, Kolonjë, 5 raste në Has, Librazhd, Përmet, 4 raste në Tepelenë, 3 raste në Devoll, Mat, Divjakë, Himarë, Maliq, 2 raste në Pukë, Ura Vajgurore, Memaliaj, Finiq, Vorë, Libohovë, 1 rast në Krujë, Rrogozhinë, Tropojë, Delvine, Belsh, Cerrik, Poliçan.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 683 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 53,616 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 483 pacientë, 37 në terapi intensive nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar.
Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 15 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID. 8 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Patosi, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Korça, të moshave 53 -94 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bën apel qytetarëve të gjithë qytetarëve të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19, vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake, dhe respektoni vëtizolimit kur dyshoni se jeni të prekur nga Covid19, vetëm kështu mund të frenohet përhapja e COVID-19.
COVID-19 – Statistika (10 Shkurt 2021)
Raste të reja ditore 1,143
Të shëruar në 24 orë 683
Të shtruar në spitale 483
Humbje jete në 24 orë 15
Testime ditore 4,083
Testime totale 398,325
Raste pozitive 88,671
Raste të shëruara 53,616
Raste Aktive 33,552
Humbje jete 1,503
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 19556
Fier 2872
Durrës 1737
Elbasan 1489
Shkodër 1549
Vlorë 1650
Lezhë 1149
Korçë 1049
Berat 936
Gjirokastër 732
Kukës 478
Dibër 355
Rama kujton sërish: Zbatoni masat, duke nisur nga partitë e deri tek çdo individ
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sërish kufizimet e vendosura sot pas mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve për pandeminë e COVID-19 në vend. Rama kërkon zbatimin e masave të reja në mënyrë rigoroze nga partitë politike deri tek çdo individ. Sipas tij, masat e reja duhen zbatuar rigorozisht, duke nisur nga partitë politike, pa përjashtim, e deri tek çdo individ që duhet të mbajë maskën kudo jashtë shtëpisë dhe të shmangë çdo grumbullim. Ai tha se ora policore dhe njësitë tregtare të çdo lloji, do të mbikëqyren rreptësishtë.
“Kufizimi i lëvizjes së popullatës nga ora 20:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, nga data 11.02.2021 deri në datën 25.02.2021. (Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore apo motive pune. Personat që lëvizin për arsye pune pajisen me autorizim përmes portalit e-Albania)”, shkruan kryeministri.
Ai kërkon kufizimin e aktivitetit të bareve, restoranteve, fast food dhe lokaleve që ofrojnë shërbim për klientët, nga ora 20:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, nga data 11.02.2021 deri në datën 25.02.2021. (Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për shërbimin në banesë (delivery), i cili duhet të kryhet duke respektuar protokollet AntiCovid)”, shkruan Rama.
“Shkollat e mesme në zonat me risk të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, do të zhvillojnë mësimin online, nga data 11.02.2021 deri në datën 26.02.2021”, shkruan shefi i qeverisë.
Dhe së fundi ai nënvizon se sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë të domosdoshme, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësishtë protokollet AntiCovid.
Forcimi i masave anti-covid, Vasili: Vendimet e Komitetit Teknik politike
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për shtrëngimin e masave anti-covid, në kuadër të frenimit të koronavirusit. Përmes një deklarate për mediat, Vasili thekson se Komiteti i Ekspertëve është shndërruar tërësisht në një komitet politik.
Sipas tij, ky komiteti ka bërë që të thellohet dhe të arrihet në këto shifra kritike dhe alarmante në vendin tonë.
“Është e qartë se këto masa që merren nga një Komitet Ekspertësh, i cili është shndërruar tërësisht në një komitet politik dhe jo më në një komitet teknik, të bazuar mbi shkencën, janë sigurisht masa që nuk kanë ndihmuar aspak deri më sot pandeminë, por përkundrazi kanë bërë që ajo të thellohet dhe të arrijë në këto shifra kritike dhe alarmante”, shkruan Vasili.
Mes të tjerash Vasili thekson se loja me testimet është një lojë propagandistike, ku nje dite sipas tij ato ulen me 800-900 apo 1 mijë, një ditë më pas rriten me 1 mijë.
“Po ç’bëhet me shifrat? Testimet shqiptarët e kanë parasysh. Loja me testimet është një lojë propagandistike. Në një ditë testimet ulet me 800-900 apo 1 mijë, një ditë më pas rriten me 1 mijë. Jo më larg së dje testimet u rritën më 1000 dhe numri ishte 1239, një ditë më parë u ulën me 20 e ca % dhe dolën 923. Dhe qeveria për të justifikuar këto masa shtrënguese që janë masa politiko elektorale në funksion të 25 prillit që qeveria nuk e përball dot sepse e sheh v eten që është një humbëse e madhe, luan me shifrat”, shkruan Vasili.
Ministrja Kushi thirrje universiteteve: Të zgjatet sezoni i provimeve. Mungesat të mos penalizojnë studentët
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, në një deklaratë për mediat, ka bërë me dije se i ka kërkuar Komitetit të Ekspertëve të Arsimit, që të zgjatet sezoni i provimeve për studentët, me qëllim që të kenë kohë të përgatiten. Kushi theksoi se mungesat duhet të mos penalizojnë studentët. Ajo shtoi se kur testi nuk zhvillohet dot online, të bëhet në auditor.
“I jam drejtuar Komitetit për sezonin e provimeve. Do kërkoja nga të gjitha universitetet, që në ato raste kur provimi nuk zhvillohet dot online, provimi të zhvillohet në auditorë, duke respektuar protokollet ndaj Covid. Universitetet të shohin mundësinë që t’ju japin të drejtën studentëve që të marrin pjesë në sezon ose jo. Të ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm. Kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, që të parandalohet mbipopullimi i universiteteve. Mungesat të mos penalizojnë studentët që bëjnë mësim online. Jo më shumë se 15 studentë në auditorë. Të mbahet maska”, tha Kushi.