Ditët e Luftës së Dytë Botërore kanë sjellë histori të panumërta njerëzore, të cilat janë shoqëruar edhe nga foto që kanë bërë xhiron e botës. Përqafimet e ndarjes mes ushtarëve që shkonin në front dhe të dashurave, të fejuarave apo grave, gjithashtu janë shumë mbresëlënëse. Dhe po të tilla janë dhe ato të pas mbarimit të Luftës, kur ushtarët ktheheshin pranë të afërmve të tyre.
“Babi më prit edhe mua”, ka gjithashtu historinë e saj.
Historia në fjalë ka pushtuar faqet e gazetave më të mëdha të perëndimit, por ka qarkulluar dhe në portale gjithandej botës.
Ajo njihet si një prej 10 fotografive më të mira të vitit 1940, dha padyshim ka historinë e saj. “Babi, më prit edhe mua”- është fotoja ikonë e marrë nga Claude P. Dettloff, më 1 tetor 1940. Fotoja u fiksua teksa Regjimenti i Kolumbisë Britanike ishte duke marshuar në Rrugën e Tetë në kryqëzimin e Kolumbisë në New Westminster të Kanadasë.
Teknikisht, për realizimin e imazhit, fotografi ka përdorur lentet e Zeiss dhe ekspozimi ishte 1/200 e sekondës në F.8, duke përdorur filmin Agfa.
Fotografia pati një ekspozim të gjerë dhe u përdor në qarqet e lidhura me luftën. Këtu pikërisht është dhe historia që qëndron pas saj.
Të shtunën e 26 gushtit 1939, Hitleri kërcënoi Poloninë. Në orën 4:15 në mëngjes adjutanti i Regjimentit në British Columbia, Kanada, mori një telefonatë nga kryeqyteti duke e udhëzuar atë që të thërriste regjimentin.
Ushtarët u shpërndanë në qytet për të ruajtur pikat e rrezikuara.
Më 10 shtator 1939, Parlamenti i Kanadasë shpalli luftë kundër Rajhut Gjerman, i cili kishte pushtuar Poloninë në fillim të muajit. Ndërsa njësi të tjera u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar, Regjimenti britanik i Kolumbisë u la prapa në bregun perëndimor.
Pas disa muajsh stërvitje dhe detyrës roje, regjimenti u urdhërua dhe më 1 tetor 1940 marshoi në New Westminster për të kapur një anije pritëse, SS Joan, e cila do ta çonte trupën e regjimentit në një destinacion sekret.
Duke zbritur në Rrugën e Tetë në New Westminster, fotografi amerikan Claude P. Dettloff i gazetës “The Province” u pozicionua për të fotografuar të gjithë kolonën që marshonin poshtë kodrës. Ndërsa po përgatitej të bënte fotografinë, pa një djalë të vogël që u shkëput nga dora e nënës së tij. “Më prisni dhe mua”, bërtiste vogëlushi, ndërsa i ati, një nga ushtarët e regjimentit, shikonte djalin e tij pesëvjeçar, Warren “Whitey” Bernard, duke u larguar nga e ëma e tij, e për të vrapuar drejt tij.
Fotografia e kapur nga Dettloff bëri bujë në të gjithë botën. Ajo u ekspozua kështu në çdo shkollë të British Columbia.
Fotografia u zgjodh nga “Associated Press” dhe më pas revista “Life” e shfaqi atë disa muaj më vonë. Kjo ndodhi në viti 1940, përpara se SHBA të bashkoheshin në luftë. Në këtë mënyrë publikut amerikan iu ofrua diçka impresionuese, që të mund të shihte se si gjithë ata ushtarë të mobilizuar në Kanada, po për në Angli, drejt frontit të luftës.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për një kohë të gjatë fotografia u harrua. Ajo filloi të rishfaqej në ditën e përkujtimit në mesin e viteve ’60, dhe shpesh përmendej në kontekstin e fotografive më të njohura të Kanadasë. Ekziston edhe një koleksion pullash që e paraqet këtë çast, si dhe një monedhë prej 2 dollarësh kanadez.
Claude P. “Dett” Detloff ishte një fotograf amerikan që fitoi famë për foton e cila është bërë e njohur nën diçiturën “Wait for Me, Daddy”. Dettloff filloi karrierën e tij me “Minneapolis Journal” në 1923 dhe punoi njëmbëdhjetë vjet me “The Winnipeg Tribune”. Ai u bashkua me gazetën “Vancouver Provinca” në 1936, duke u bërë fotografi kryesor i saj.
Kur Jack Bernard u kthye në shtëpi, Dettloff ishte aty për të fotografuar çastin e ribashkimit të familjes. Por ky ribashkim nuk ishte i përhershëm, pasi Jack dhe bashkëshortja e tij Bernice Bernard u divorcuan tri vite më vonë.
Sidoqoftë, fotografia e djaloshit 5-vjeçar u bë pjesë e historisë. Vite më pas një statuje prej bronzi, që simbolizon imazhin e vogëlushit, u vendos në pjesën e poshtme të Rrugës së 8-të, në sheshin Hyack, saktësisht aty ku është shkrepur edhe fotografia e famshme.
Imazhi është konsideruar si një ndër 10 fotografitë më të mira të viteve 1940.
Përshtati: Leonard Veizi/ Fjala.al