Nga Lorenc Vangjeli
Eshtë kaq tunduese dëshira për të hedhur gurë mbi doktor Edvin Priftin. Eshtë kaq e ngutshme dëshira për ta fshikulluar më thupra dhe për ta lidhur në shtyllën e turpit. Eshtë kaq i mrekullueshëm ngazëllimi i turmës që sheh njeriun që e zbritën nga piedestali i nevojës ku kishte ngjitur veten dhe u rrafshua nga fati në morinë e pafund të anonimëve me duar në xhepa. Të asaj kategorie që lumturohet në mëngjes nga defektimi i plotë dhe mezi gjen gjumë nga e ngrëna e yndyrshme në darkë, të asaj aradhe të madhe njerëzore që frustrohet nga shefi një gisht më lart dhe frustron vartësin një gisht më poshtë, që lodron si lepurushët me të fortët dhe bëhet luan me të dobtin. Doktor Edvin Prifti është shënjestra e shkëlqyer e momentit e urrejtjes së turmës. I ri, i pasur, i talentuar dhe i njohur, ai ka gjithçka që do të mjaftonte t’ja bënte krokodil ndjenjën e xhelozisë kujtdo që ka problem vetjake. Ai është justifikimi dhe shpërblimi i fortë i çdo të dështuari që nëse nuk arrin dot të ngjitet lart, lumturohet kur tjetri bie në fatkeqësi.
Emri i doktor Priftit doli në përgjimet e SPAK-ut për çështjen e gjyqtarës së Krujës, si i dyshuar për mitmarrje. Më pas, kontrolli në shtëpinë e tij nxorri në dritë një sasi të madhe parash në euro dhe lekë. Dhe këtu nisi kryqëzata e publikut, armatosur me heshta morali, veshur me pancire dinjiteti, mbartur me buzët e holla të përkohtësisë që në mënyrë të rrufeshme, denoncoi, akuzoi, provoi fajësinë dhe dha edhe vendimin për mëkatarin me bluzë të bardhë. Por çfarë dihet deri më tani është vërtet shumë pak. Elementët e dalë në media nga dosja janë tërësisht të pamjaftushme për të gjykuar për fajësinë apo pafajësinë e doktor Priftit.
Dhe jo thjesht sepse ai është i pafajshëm deri në momentin që gjykata vendos ndryshe dhe në mënyrë përfundimtare, por sepse ka edhe shpjegime të tjerë që akuzatorët nuk i kanë marrë parasysh.
Të cilin doktor Prifti do të duhet ta bëjë edhe zyrtarisht, edhe publikisht për shkak të njohjes së tij publike. Një prej shpjegimeve është fakti se ai është një nga kardiokirurgët më të mirë në vend dhe se përveç detyrës në spitalin publik, operon edhe në disa spitale private në vend. Kush ka trokitur në ato dyer, ka një ide të përafërt sesa kushton bisturia e një doktori të këtij niveli, të cilën veç të tjerash e kuoton tregu dhe nevoja. Doktor Prifti do të ishte fajtor vetëm në një rast: nëse ai do të kushtëzonte shërbimin e tij në spitalin publik në këmbim të parave. Qoftë dhe të një qindarke të vetme të kishte marë në këtë mënyrë, qoftë dhe në këmbim të shpëtimit të jetës, ai do të ishte subject i Kodit Penal.
Nëse nuk ka ndodhur kështu, sado e madhe të jetë dhurata që i kanë dhënë, edhe nëse prokuroria e quan atë mitë, ai do të vazhdojë të jetë i pafajshëm dhe fajtorë janë gjithë ata që e gjykojnë atë. Ky është rasti tipik që dëshmon thellësinë e mentalitetit sovjetik që mbizotëron në shoqërinë shqiptare. Ai lloj mentaliteti që dikton se intelektuali është shërbëtor i masës dhe jo shërbenjës i shoqërisë. Ky mentalitet nuk lejon të kuptohet që njerëzit kanë të drejta të barabarta, por nuk janë të barabartë në merita apo shpërblesë.
Që një mjek të jetë i pasur, e ndoshta edhe shumë i pasur, nuk duhet të jetë përjashitm, por duhet të jetë rregull. Për të mbetur vetëm tek kardiologjia, kush ka pasur probleme për veten apo për të afërimit e tij duke nisur që me doktor Berishën e parë e për të vazhduar me Alban Dibrën, Arben Baboçin, Artan Godën, Andi Kaçanin, Bekim Jatën, Altin Veshtin, Roland Xhaxhon që drithërojnë për pacientët në zyrën e doktor Maksi Bashos, ka kuptuar se në çastin e ndeshjes për jetën, leku nuk ka asnjë vlerë përpara vdekjes.
Biblën dhe Kuranin mund ta lexojnë edhe djajtë, edhe shejtanët. Djajtë dhe shejtanët edhe mund t’i citojnë ato, por kjo nuk i bën ata as engjëj dhe as meleqë. Ndaj kush e ndjen veten të tillë, deri në momentin që për doktor Priftin të flasë drejtësia, të mos përtojë të hedhë një gur mbi të. Gjykatësit më të ndershëm në sy të turmës janë vetë mëkatarët. Tek të vetëshpallurit puritanë gjenden si rregull pisllëqet më të zymta morale. Askush nuk bërtet më fort për moralin publik sesa kurvat publike. Le ta shpallin kardiokirurgun Prifti fajtor për efikasitetin e vaksinës në botë, për varfërinë dhe përmbytjet. Kush godet më fort ka bonus për shlyerje mëkatesh vetjake. Por mbasi ta shembin me gurë dhe mbasi ta groposin nën gurë, mbasi të mbarojë histeria publike e linçimit të një aseti publik që ja kanë të gjithë nevojën, duhet të lajnë duart. Dhe pastaj të marrin bisturinë e tij dhe të fillojnë të operojnë zemrat e njëri-tjetrit. Shumë shpesh do të gjejnë kraharorë bosh. Pa zemër brenda.