Një plagosje me armë zjarri u shënua ditën e sot në Delvinë. Një person, që sipas të dhënave është me origjinë nga Mirdita u qëllua me armë zjarri në këmbë për motive të dobëta. Policia thotë se ka arrestuar autorin dhe ka kapur armën e krimit me të cilën është krye plagosja.
Në orën 04:00, të mëngjesit të sotëm, në fshatin Kopaçëz, Delvinë, për motive të dobëta shtetasi K.N ka plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasin M.D., 48 vjeç, banues në Mirditë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Delvinë dhe Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku falë veprimeve të shpejta e profesionale kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar K.N., 73 vjeç, banues në fshatin Kopaçëz, si dhe bllokimin e armës së zjarrit tip Kallashnikov që ka kryer plagosjen.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. n.k/Fjala.al/