Nga 8 marsi dyqanet hapen në zonat që kanë nën 50 infeksione për 100.000 banorë në 7 ditë. Nëntë orë zgjatën konsultimet mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të landeve lidhur me ecurinë e mëtejshme të masave kufizuese prej pandemisë së koronavirusit. Rezultati ishte zbutja graduale e masave te rrepta kufizuese anti covid.
Vendimi parashikon që nëse ndodhin 100 infeksione përgjatë tri ditëve në zonën e prekur do të mbyllen sërish dyqanet dhe aktivitetet e tjera.
Sa i përket sektorit të gastronomisë, kancelarja Merkel tha se në rast se numri i të infektuarve nën 50 është i qëndrueshëm në harkun kohor të 14 ditëve, atëherë mund të hapen lokalet që ofrojnë shërbime në mjedise të hapura.
“Ky është një tranzicion në një fazë të re. Duhet të kemi shpresa të bazuara. Është e rëndësishme që hapat e mëtejshëm të bëhen me mençuri.
Federata ra dakord për të ashtuquajturën frena e emergjencës në rast se shifra shtatë ditore arrin në 100. Në një rast të tillë duhet të sprapsen vendimet për hapjen”, tha Merkel.
Aktualisht vaksinimi zhvillohet vetëm në qendrat e krijuara enkas. Është vendosur gjithashtu që duke nisur nga 8 marsi çdo qytetari do t’i ofrohet një test i shpejtë ndaj koronavirusit falas, theksoi kancelarja.