Diplomatja e SHBA-së, Yuri Kim takoi dje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, për masat që do të merren para dhe pas procesit të votimit më 25 prill. Kim shkruan se ka marrë garanci nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Nga Fernada Cenko
Gjashtë ditë para zgjedhjeve, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për të marrë garanci për procesin zgjedhor dhe ruajtjen e rendit publik. Edhe pse takimi nuk u bë në prezencë të mediave, diplomatja amerikane ka publikuar një status në rrjetet sociale, ku ka informuar për takimin me numrin një të policisë së shtetit. Sipas informacionit të dhënë në rrjetin social, ambasadorja ka marrë siguri për zbatimin e ligjit dhe rendit publik para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. “U takova me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për të diskutuar përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit. Drejtori i Përgjithshëm Veliu konfirmoi se detyra e punonjësve të policisë është të jenë profesionalë dhe të paanshëm në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit publik përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve”, thuhet në postim. Ky është takimi i parë që shefja e diplomacisë ka zhvilluar me drejtuesit e policisë së shtetit për çështjen e zgjedhjeve. Prezenca e SHBA-së nëpërmjet ambasadores ka qenë intensive gjatë kësaj fushate elektorale. Që në prodhimin e listave të treja forcave politike, Kim ju kërkoi që kandidatër për deputetë të mos ishin emra të lidhur me krimin. Vetëm një javë më parë, Kim bëri një deklaratë ku i kërkonte elektoratit që të mos e shisnin votën dhe të mos votonin kriminelë. “Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti”, tha Kim.