Andon Mëhillaj, i dënuari me burgim të përjetshëm ka gjetur vdekjen në rrethana misterioze në burgun e Peqinit. Po kush është Andon Mëhillaj, cilat janë lidhjet e tij me vrasësin me pagesë Julian Sinanaj dhe si i shpëtoi atentatit me tritol në shkurtin e vitit 2014?
Andon Mëhillaj, i cili njihet si një ndër porositësit për disa krime të kryera nga vrasësi me pagesë, Julian Sinanaj, do të vetëdorëzohej në prokurorinë e Vlorës në shkurtin e vitit 2014, pasi i druhej prej kohësh ndonjë hakmarrjeje të mundshme.
Mëhillajt luanin gjithashtu edhe rolin e sekserit të vrasjeve. Bashkë me kuëshririn Genis Mëhillaj, ata shpërbleheshin me 20-30 mijë euro për “punën” e tyre. Ata “peshkonin” biznesmenët e mëdhenj. Sa herë që biznesmenët ankoheshin për konkurrentët e tyre, Mëhillajt i këshillonin që të ekzekutonin kundërshtarët.
“Do të isha vetëdorëzuar më parë, por doja që më parë të siguroja familjen time, bashkëshorten dhe dy fëmijët, pesë dhe një vjeç e gjysmë. Nuk mund të lija familjen rrugëve dhe nën kërcënime të mundshme, për shkak të akuzave që janë ngritur me pa të drejtë ndaj meje, si nga Sinanaj, ashtu edhe nga grupi hetimor. Gjithashtu, shumë gjëra mendoj se më pas janë fryrë edhe nga mediat. Tashmë që sigurova familjen, jam i qetë dhe i gatshëm t’i dorëzohem dhe përgjigjem prokurorisë për të hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj meje me pa të drejtë, duke vënë në rrezik jetën time dhe të familjes time”, tha në atë kohë Andon Mëhillaj. Ai u rrëfye para prokurorëve se nuk kishte porositur asnjë vrasje dhe se ishte Julian Sinanaj që e kërcënonte se do ta vriste.
“Unë, me të arrestuarin Sinanaj kam pasur mosmarrëveshje për disa gjëra, madje isha kërcënuar prej tij, por kishim një kohë të gjatë që nuk flisnim dhe nuk e di se cili ka qenë shkaku që ai më implikon me këto akuza të pabaza”, u shpreh në atë kohë Andon Mëhillaj.
Konflikti me Julian Sinanajn
Konflikti midis vrasësit me pagesë Julian Sinanaj dhe Andon Mëhillajt, lindi pas vrasjes së peshkatarit Sokol Veizaj. Kjo bëri që të dyja palët t’i ruheshin njëri-tjetrit për ndonjë atentat të mundshëm. “Kjo është lidhja e vetme mes Sinanajt dhe Andon Mëhillajt”, deklaroi në vitin 2014, avokati i Mëhillajt, Edmond Demo. Ndërsa nga ana tjetër, para prokurorëve të Krimeve të Rënda, Julian Sinanaj kishte deklaruar se për vrasjen e peshkatarit Veizi i ishin premtuar 1500 metra katrorë tokë, por në fakt, kushërinjtë Mëhillaj, i kishin dhënë vetëm një apartament në Vlorë. Sipas deklarimeve të Julian Sinanajt në atë kohë, vrasja e Sokol Veizit është bërë nga Julian Sinanaj pas porosisë që kishin bërë Mëhillajt pas një konflikti për një pronë që pretendohej se ishte në pronësinë e Mëhillajve dhe ku peshkatari kishte nisur të ngrinte një lokal. Andon Mëhillaj u dënua në mungesë, ndërsa u vetëdorëzua më pas në vitin 2014.
Atentati me tritol dhe vdekja në burgun e Peqinit
Konflikti midis Julian Sinanajt dhe Andon Mëhillit, vijoi deri në atë pikë, sa u përdor edhe tritoli. Më 10 shkurt në oborrin e banesës së Andon Mëhillajt u vendos një sasi tritol. Shpërthimi i tritolit shkaktoi vetëm dëme materiale, pasi në shtëpi nuk ndodhej asnjë pjesëtar i familjes. Mëhillaj, ishte larguar bashkë me familjen në kohën kur çështja e bandës së tritolit u bë masive dhe publike, si dhe kushërinjtë Mëhillaj u shpallën në kërkim. Ndërsa Andon Mëhillaj u vetëdorëzua dhe u dënua me burgim të përjetshëm në burgun e Peqinit, ku gjeti sot edhe vdekjen në rrethana misterioze. Nisur nga këto rrethana, familjarët e Mëhillajt, kanë ngritur dyshime se mund ta kenë helmuar. Ndërsa pritet ekspertiza për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Andon Mëhillajt./Fjala.al/