Alfred Lela: Sfida kryesore e Kimit, të jetë një gjyqtare e paanshme

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Analisti politik Alfred Lela e shikon mandatin e ambasadores amerikane, Juri Kim, si një përpjekje e SHBA-së për të vijuar mbështetjen për reformën në drejtësi si një aktor i paanshëm. Ndërsa, sipas tij, presioni amerikan mund të çojë në një pastrim në formën e amnistisë të figurave politike për t’i nxjerrë ato jashtë skenës politike. Lela shton se “nëse presioni evropian dhe ai amerikan është i drejtë, i paanshëm, transparent dhe pro interesit publik, institucionet e reja të drejtësisë do të mund t’i kundërvihen korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Z. Lela, si mendoni, çfarë presin shqiptarët nga ambasadorja e re e SHBA-së, Juri Kim?

Shqiptarët presin shumë, por do të marrin pak. Kjo nuk do të thotë se ambasadorja e re mundet t’u japë shumë e do të tregohet zemër apo dorështrënguar, por aq do të mundet të bëjë. Ka një mbivlerësim në Shqipëri të rolit amerikan dhe kjo vjen prej pafuqisë. Ashtu siç ia kushtojmë një fuqie të mbinatyrshme të panjohurat e jetës, ashtu edhe Amerikës, pjesërisht prej padijes dhe dëshpërimit, i japim një rol që ajo as nuk e do dhe as mund ta ketë. Sa herë që zmadhojmë amerikanin, ne zvogëlojmë shqiptarin dhe është pikërisht ky shqiptar “i hyrë në ujë” që e mban gjallë këtë ngecje. Disa prej ambasadorëve amerikanë në Tiranë, madje e kanë përmendur edhe vetë këtë paradoks. Juri Kim nuk vjen këtu për të “përmbysur” botën, por për të forcuar angazhimet dhe interesat amerikane, të cilat, duhet thënë, në çështjet makro si orientimi properëndimor, antiterrorizimi etj., përkojnë. Por, nuk duhet pritur që të përkojnë gjithkund.

Ajo që shqiptarët duhet të presin është që zonja Kim të jetë një gjyqtare e paanshme aty ku kërkohet arbitrazhi i saj dhe i Amerikës dhe të mbajë “hundën” jashtë aty ku interferencat janë dëmtuese. Duke ditur se palët politike nuk e kanë, në sy dhe as në fokus interesin publik në shumicën e gjërave që bëjnë, ambasadores i kërkohet prania në “ndeshje”. Nëse ambasadorja arrin të zotërojë si e paanshme në perceptimin publik, ajo do të jetë edhe amerikane, edhe shqiptare, edhe perëndimore.

Ambasadorja amerikane ka kërkuar çrrënjosjen e korrupsionit, luftë ndaj krimit të organizuar dhe zbatimin e ligjit. A ka premisa që Shqipëria t’i luftojë këto tri fenomene me mënyrën si është bërë deri tani reforma në drejtësi?

Nuk ka kërkuar asgjë të re. Këtë e kanë kërkuar të gjithë ambasadorët amerikanë që pas Rajersonit e këtej. Sigurisht, në erën në të cilën zonja Kim prek Shqipërinë këto kërkesa duken të fuqishme sepse i tillë është konteksti. Sipas të gjithë indikatorëve dhe të gjitha perceptimeve Shqipëria ka bërë hapa mbrapa nën qeverisjen e Rilindjes së zotit Rama. Unë nuk dua të lidh premisat e Shqipërisë për luftën kundër këtyre tashmë fenomeneve me reformën në drejtësi. Të paktën jo automatikisht. Sepse, reforma në drejtësi nuk është vetëm shqiptare, edhe pse aty ka një variabël apo pjesëmarrje shqiptare. Ajo është edhe amerikane, por edhe evropiane. Pra, kemi një reformë euro-amerikano-shqiptare, që do të thotë, nëse presioni evropian dhe amerikan është i duhur, i drejtë, i paanshëm, transparent dhe pro interesit publik, institucionet e reja të drejtësisë do të mund t’i kundërvihen korrupsionit, krimit të organizuar dhe “të gjitha të zezave”.

Lexo edhe :  Biden kërkon amendament kushtetues për t’i dhënë fund imunitetit presidencial

Sa seriozisht e ka SHBA kur thotë që të hetohen zyrtarët e lartë, ndërkohë që SPAK nuk ka nisur të hetojë asnjë nga dosjet e mëdha, përkundrazi dosjen 184 të zgjedhjeve në Dibër ia transferoi prokurorisë së këtij qyteti apo dosje të tjera, si CEZ dhe skandali me Unazën e Re, të cilat janë pushuar?

Mua më ngjan me një amnisti, e cila nga ana e saj nuk është e keqe nëse lejon fillimin e një “viti zero” në shoqëri. Nuk është hakmarrja që do ta shpleksë nyjën gordiane në drejtësi, politikë e kudo, por e kundërta: që elitat politike të deritanishme të dekompleksuara nga hakmarrja e kundërshtarit të mos bëhen penguese të reformës. E vetmja mënyrë është që ato të marrin një amnisti. Mungesa e kësaj amnistie e ka penguar reformën. Duhet shtuar edhe diçka: elitat politike kur ta marrin këtë amnisti, nëse e kanë marrë dhe nëse do ta marrin, duhet të kushtëzohen, nga kushdo që ua jep këtë lejekalim, nga amerikanët ta zëmë, që të lejojnë qarkullimin e elitave, pra të vetes, që do të thotë se personazhet kryesore të tri dekadave duhet të zgjedhin pensionin politik.

A rrezikon Juri Kim të përfundojë si Donald Lu, duke mos parë që të kapet asnjë “peshk i madh”?

Gjasat janë që po, edhe pse z. Lu nuk do ta konsideroja të dështuar. Të mos harrojmë se ka qenë presioni i Lusë që çoi në kapjen e Shullazit; ka qenë presioni i tij që e zbehu yllin e “kampionit të qeverisë” Saimir Tahiri; ka qenë presioni i tij që Adriatik Llala u shpall non grata nga Sekretari Tillerson. Nuk është Lu “hija” me të cilën duhet të matet zonja Kim. Mendoj se janë “etërit themelues” të Republikës amerikane, e them këtë në rrafsh parimesh morale, dhe jo profili politik apo shoqëror.

A do të shkojë dot Shqipëria drejt një konsensusi të madh për pastrimin e politikës nga të korruptuarit dhe politikanët e lidhur me krimin e organizuar?

Nëse konsensusi arrihet mes të njëjtave palë që akuzojnë njëra-tjetrën për molepsje në korrupsion dhe krim, si mund të ndodhë kjo?! Ne kemi parë se si konsensuset në Shqipëri janë arritur për përfitime personale apo partiake politike. Cila frymë e shenjtë i vizitoi papritmas të njëjtët aktorë që tashmë të kenë në gjak dhe në sy “paqtimin e Shqipërisë”?!

Intervistoi: Bardhi Quku

Të fundit

Sa vlen platforma e mediave sociale TikTok dhe kush mund ta blejë atë?!

Disa palë kanë shprehur interes për blerjen e platformës, por ByteDance ka thënë vazhdimisht se nuk planifikon ta shesë....

Zelensky kërkon vazhdimësi të mbështetjes amerikane gjatë administratës Trump

Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po i afrohet trevjetorit të saj, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thekson shpresat e vendit të tij për vazhdimësinë...

Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë: Çfarë pritet për Shqipërinë dhe Ballkanin?

Më 20 janar Donald Trump do të bëjë betimin si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u rikthyer në Shtëpinë...

Programi i Demokratëve/ Basha: 2 mijë euro për çdo bebe të lindur

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se shpopullimi dhe rënien e lindshmërisë janë kërcënime serioze për të ardhmen e vendit. Ai thekson nevojën...

Ja pse hakerët kanë sukses (dhe tre këshilla për reduktimin e rrezikut)

Sulmet kibernetike përfaqësojnë një kërcënim në rritje. Sipas hulumtimeve të fundit, deri në 68% e sulmeve shfrytëzojnë zgjuarsinë e kryer gjatë fazës së programimit dhe enkriptimit . Këto ndahen në...

Lajme të tjera

Web TV