Komisioni Evropian, deri në fund të këtij viti, do të paraqesë një strategji të re për luftimin e kancerit, tha të martën presidentja e këtij institucioni, Ursula von der Leyen. Ajo i bëri këto komente para Parlamentit Evropian, në Ditën Botërore të Kancerit.
Komisioni Evropian vlerëson se ndikimi ekonomik i kancerit në Evropë është mbi 100 miliardë euro në vit. Nëse nuk ndërmerren hapa të mëtejshëm, rastet me kancer në BE do të dyfishohen gjatë 15 vjetëve të ardhshëm, duke prekur 40 për qind të njerëzve, paralajmëron Komisioni. Strategjia e re e tij pritet të përfshijë hapa nga ndryshimi i mënyrës së jetesës deri te luftimi i ndotjes së ajrit, vaksinimi dhe diagnostikimi më i mirë.
Komisioni Evropian thekson se parandalimi do të jetë prioritet, sepse, sipas tij, 40% e rasteve me kancer dalin nga shkaqe që mund të shmangen. Von der Leyen theksoi se skema e fundit e BE-së për parandalimin dhe zbulimin e kancerit daton që 30 vjet. “Bota ka ndryshuar. Evropa ka ndryshuar. Dhe, numri i rasteve është fatkeqësisht në rritje”, tha von der Leyen, e cila ka humbur motrën e saj nga kanceri.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të BE-së, një rast i ri me kancer diagnostikohet në BE çdo nëntë sekonda, ndërsa sëmundja vret 1.3 milion njerëz në vit.