“Dalta” publicistike e Bashkim Koçit në një botim të ri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

-Reth librit “Kapedanë të Bujqësisë” si një kontribut intelektual me vlera-

Nga Shefqet Meko – Minnesota, USA

Dekada më parë, kur bridhja nëpër Shqipëri me mikrofon në dorë, si gazetar i Radio-Tiranës, nuk e harroj një takim të ish-ambasadores amerikane, Mariza Lino me përfaqësues të fermerëve shqiptarë. “Shumëkush sot në botë mendon se kombi amerikan nuk është një komb bujqësor, por në të vërtetë ne i kemi shtrirë rrënjët në bujqësi. Fermerët janë të parët që kanë qëndisur dhe zbukurojnë kontinentin tonë… Jo rastësisht edhe presidenti i parë Xhorxh Uashington, ishte edhe një fermer i pasionuar…” tha ndër të tjera ambasadorja Lino. (26 shkurt 1998). Nesti Zoi një fermer nga rrethi i Fierit, duke qeshur më tha: “E shikon që unë drejtoj shoqatën më të rëndësishme , por nuk ma var kush, veç Hasan Halilit, që e kam edhe shok”. Nesti Zoi shënohet si presidenti i parë i BKFSH- (Bashkimit Kombëtar të Fermerëve Shqiptarë”. Tani që jetoj në Amerikë dhe kam shëtitur atë gati cep më cep dhe kam prekur mrekullinë që bën pasioni dhe liria, duke shfletuar librin e publicistit të dedikuar Bashkim Koçi, “Kapedanë të bujqësisë” them me bindje se edhe shqiptarët, ashtu si amerikanët janë një “komb bujqësor”. Kjo e vërtetë jo vetëm që nuk e largon Shqipërinë nga Europa, por e afron edhe më shumë.

Bashkim Koçi, ish-gazetari “zevzek” i “Zërit të Popullit”, jo vetëm nuk rresht duke kontribuar në gazetari, por me librin e tij më të ri sjell një “reliev publicistik” që me “daltën” e vet skalit me kujdes ato figura të mëdha që kanë kontribuar në bujqësinë shqiptare dy shekujt e fundit. Duke lëvruar të gjitha zhanret publicistike, intervistën, reportazhin, esenë, portretin, analizën dhe përshkrimin, autori të hedh “karemin” joshës duke të futur në një “det” rrëfyes për secilin dhe të gjithë ata që e kanë parë bujqësinë shqiptare si lëmë pafund të profesionit të tyre, duke kontribuar dhe zhvilluar pjesën më vitale të ekonomisë sonë kombëtare. “I peshkuar” si lexues nga faqja në faqe, jo vetëm mëson shumë për heronjtë e zhvillimit bujqësor shqiptar, për dramat e tyre, për filozofitë profesioniste, për fatet , pasionet dhe zhgënjimet e tyre, por mbi të gjitha ndihesh krenar të kesh qënë bashkëkohës me shumicën e tyre, që autori me një krenari skraparse i quan “Kapedanë të bujqësisë”. Personalisht kam menduar se autori mund të gjente një titull tjetër, madje duke biseduar para botimit ia shpreha një lloj rezerve , por “kokëshkreti” Bashkim Koçi, jo vetëm nuk u tund nga vendimi i vet, por me vendosmëri m’u shpreh: “Kapedanë dhe nuk e lot topi, problemi është se kapedanllëku i tyre është vështirë të kuptohet nga ca mëndje fyçka me “kostum deputeti”…Titulli im është respekti që kam për kontirbutet dhe trashëgiminë që ata na lanë…Tamam kapedanë…”

Me librin “Kapedanë të bujqësisë” autori me seriozitetin dhe përkushtimin e vet professional, ka vënë një “tullë” të madhe në botimet e pakta të kësaj natyre. Duke qënë një gazetar i lidhur fort me Shqipërinë rurale qysh në rininë e tij të hershme, Bashkim Koçi e di mirë se “jeton gjatë ai që ushqehet mirë”, ndaj duke kujtuar se qoftë një kokërr gruri, apo një pikë qumështi, vijnë nga puna dhe kujdesi për të prodhuar, si një Paskal i gazetarisë dhe publicistikës bujqësore shqiptare, me penën e vet- “daltë”, na skalit në fjalë, karaktere dhe intelektualë profesionistë që me punën e tyre, jo vetëm kanë lënë gjurmë në ekonominë shqiptare, por kanë bërë të mundur që përmes mundit, vështirësive, koniunkturave politike apo betejat mes “llafnajës shqiptare”, kanë bërë të mundur që buka, edhe pse “me triskë” të mos i mungojë shqiptarit. Libri fillon jo rastësisht me një intervistë gati shteruese me ish-ministren e Bujqësisë Themie Thomai, këtë “zonjë të hekurt” që qëndroi për gati 13 vjet në krye të një dikasteri jetik siç është bujqësia për ekonominë e një vendi. Gazetari është i drejtpërdetjë në pyetje dhe reagime sfiduese, duke shpalosur për lexuesin një realitet befasues që zhurma dhe zhberja e gjërave sikur duan ta fshijnë nga memorja. Bashkim Koçi vjen dhe thotë: lexoni, dëgjoni, mendoni! E shkuara nuk ishte thjesht një film bardhë e zi, ajo ishte komplekse dhe të njohësh të vërtetën, t’ja e tregosh brezave siç ka qënë është mision mbi të gjitha njerëzor. Duket se pas 3 dekadash “përpëlitje si peshku pa ujë”, është koha të rrëfejmë të vërtetën. Ky është një ndër fillet që i shkon librit tej e tej, sepse vetëm e vërteta do t’u shërbejë brezave shqiptarë dhe kurrë “zhurma- zhurmuese”.

Intervistat e Bashkim Koçit që vijojnë me Ahmet Osjen, këtë lloj “Çurçilli” në bujqësinë tonë, që në një nga thëniet e tij të shumta, theksonte se “Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët”, Haki Kolën, dibranin që “vdiq për pyjet” , bashkëbisedimi me Adem Salillarin, Selman Mëziun, Enver Isufin, Shefqet Hysën, janë si të thuash poltroni nga ku “dalta publicistike” e autorit sjell ngrohtësisht dhe aq realisht portretet e Pirro Dodbibës, Gaqo Tashkos, Mentor Përmetit, Maliq Skraparit, Hysen Laçej, Abedin Çiçit, Vasfi Samimit, Abdulla Kepidanit, Andrea Shundit, Nevruz Shtyllës, Hysen Çobanit, Nevruz Malindit, Teki Tartarit, Todo Gjermenit, Mehmet Locit, Bedri Lumanit, Syrja Hakos, Lutfi Isufajt, Qazim Cakajt, etj… Libri është një galeri karakteresh që kanë dhënë kontribute me një mision të qartë: në shërbim të Shqipërisë. Libri të ofron befasinë e leximit kur meson se Maliq Skrapari ky “baba i skraparsave” pasi punoi në vilajetin e Janinës, iu kthye Shqipërisë duke shërbyer krah Ismail Qemalit, apo kontributet pa limit të Vasfi Samimit, këtij korifeu të veterinarisë dhe publicisitkës së shekullit të kaluar… Apo Haskot e Skraparit po nga Malindi, që i kanë dhënë gati 250 vite kontribut në arsimin shqiptar, ndërsa “flamuri valvitës” i poezisë shqipe, Xhevair Spahiu ndan të njëjtën vendlindje me Nevruz Malindin, ish-dekanin e mençur të fakultetit të ekonomië agrare… Krejt libri të duket si një enciklopedi me plot të dhëna, fakte, detaje dhe jetëshkrime interesante që shpesh thua “Unë nuk e dija këtë gjë…” Ky është edhe misioni i çdo autori, të të sjellë fakte që nuk dihen ose janë lënë në hije. Bashkim Koçi me librin në fjalë ja ka arritur me sukses këtij qëllimi fisnik.

Lexo edhe :  Koha kur Parashqevia nisej në Korçë për koncert, por përfundonte maleve në zbor

Pse “Kapedanë të bujqësisë” të bën të ndiesh krenar? Sepse aty është jeta dhe kontributi i plejadave që kanë kontribuar në bujqësinë shqiptare, asaj pjese të ekonomisë produktet e së cilës ne i prekim pambarimisht dhe deri sa vdesim 3 herë në ditë. Natyrisht “kapedanët” që na ofron Bashkim Koçi, nuk janë dirket prodhues të qindra produkteve që prekim në tavolinat tona, por mendja dhe kontributi it tyre janë si ajo “dora magjike” e tregut të lirë…

Aty nuk mungon reportazhi, kjo “rruazë e kuqe” e publicistikës, esetë dhe shënimet e autorit që të çojnë deri në Kosovë e gati kudo nëpër Shqipëri. “Dalta publicistike” e Bashkim Koçit skalit realitete shqiptare. Ti lexon dhe thua “Po, unë e njoh Abdulla Kapidanin…” “E kam takuar Ahmet Osjen…” “Më kujtohet Abedin Çiçi me “flokë si Ajnshtajni…” I zhytur në këtë larmi karakteresh të librit, kupton se ky është vetëm një fillim i mirë. Autori ka bërë më të mirën e mundshme dhe as që bëhet fjalë se është thënë “fjala e fundit”, ndaj “Kapedanë të bujqësisë” të duket si seria e parë e një “marshi publicistik” të Bashkim Koçit. Ai ka guximin dhe motivin të shkruajë dhe publikojë. Duke qënë dy dekada e ca larg, përtej Atllantikut, e shoh këtë libër si një nga hapat më seriozë në gazetarinë dhe publicistikën bujqësore shqiptare. Kur gjen në “kolegjumin botues” edhe Fuat Memellin, gazetar e veçmas regjisor i spikatur i filmit dokumentar bujqësor, bindesh se pas dekadash publicistika bujqësore ka arritjet e veta e libri i Koçit është “gurë-gurë që bëhet mur”. Kurrë nuk e kam mësuar pse Koçi nuk më doli gjëkundi si ish-bashkëpunëtor i “Studentit të bujëqsisë”, por padyshim me reçensën që i bën Hulusi Hakos dhe Spasse Thanasit për librin “Universiteti i blertë”, autori sikur “i lan gjynahet”, duke skalitur me fjalët e veta “qytezën e rinisë” që na shfaqet në ëndrra edhe sot përtej Atlantikut…

Mua më gëzojnë librat e miqve të mi dhe ish kolegëve, që më vijnë deri në Amerikë si dikur “dallëndyshet në pranverë” dhe ne varnim në degë pemësh “veroret” që të fluturonin bashkë me to… Ndaj edhe pse me shumë punë, nuk mund të hesht pa thënë ca fjalë. Sepse fjala ka qënë profesioni ynë, që e kemi lakuar dhe “përtypur” në mendje duke mos fjetur gjumë, që e kemi parë të derdhur në plumb e na ka bashkuar me aq sinqeritet tek ish klubi i gazetarëve në Tiranën e dashur… Tani larg dhe afër, prap fjala na bashkon dhe nuk na bën të harruar. Është për të ardhur keq, që Shoqata e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë që u mblodh këto ditë, nuk pati dashamirësinë të thoshte dy fjalë për këtë botim dinjitoz, ndërkohë që Bashkim Koçi në faqet e librit nuk kursehet të promovojë këtë organizatë, që rastësisht ka si themeluas dhe president të parë autorin e këtyre radhëve. Prisja vërtet që shoqata ta kishte në axhendë “Kapedanët e bujqësisë”, por për ironi të fatit tonë si shqiptarë dhe si “mallkim i vetvetes”, asnjë fjalë, asnjë promovim, asnjë njoftim, por një heshtje e frikshme… Pse kështu miq të rinisë? Pse nuk gëzoheni për një libër? Sepse ne mbetemi të çuditshëm: fjalët e mira i ruajmë për “nekrologjinë e radhës..”. Falë Zotit, Bashkim Koçi është shëndoshë e mirë, aktiv dhe krijues dhe përsëri “zevzek” si dikur tek redaksia në bulevardin “Stalin”… Me sa duket Koçi sapo ka filluar “sagën e botimeve”…. Shoqata le të heshtë, Bashkim Koçi duket se do vijojë krijmtarinë publicistike, sepse ka ende “kapedanë të harruar” jo nga zilia, por nga pamundësia, ndaj unë nga Amerika i uroj suksese. Në mbyllje le të kujtojmë sërish Mariza Linon, se Amerika para së gjithash është një komb fermerësh, dhe ne shqiptarët si proamerikanë të lindur, të tillë jemi…

Të fundit

Me kitare në dorë, Parashqevi Simaku i dedikon këngë Elton Ilirjanit: Ti je dielli im…

Biznesmeni i njohur, Elton Ilirjani, ka ndarë një video në rrjetet sociale ku shfaqet këngëtarja Parashqevi Simaku duke kënduar...

Protestat masive në Beograd, Vuçiç: Janë të paguara nga Perëndimi

Protestat e organizuara në Beograd janë të paguara nga Perëndimi. Ky ka qenë reagimi i parë i presidentit serb Aleksandër Vuçiç pasi dhjetëra mijëra...

Mbi Vendimin e Gjykatës së Berlinit që vlerësoi të papërdorshme të dhënat e EncroChat

Nga Guri Brahimllari  Në datën 19 Dhjetor 2024,  Dhoma e 25-të Penale e Gjykatës Rajonale të Berlinit, ka përfudnuar shqyrtimin e çështjes 525 KLs 8/22,...

Itali/ Babagjyshët me gondola garojnë në kanalin e madh në Venecia

Babagjyshët në Venecia u shfaqën në Kanalin e madh të Venecias këtë vit, duke sjellë gëzimin e festës së këtij viti në mënyrë mjaft...

Protesta e PD-së, ku do vendosen deputetët dhe Kryesia, pjesa më e madhe pranë selisë

Mediat mesojne se si do jetë shpërndarja e Kryesisë së PD dhe deputetëve sot në 5 pikat e protestës në Tiranë. Ashtu si protestën e...

Lajme të tjera

Web TV