Nga Ago Nezha
Këto ditë të fundqershorit u kremtua me madhështi 85 vjetori i lindjes të akademikut kosovar Profesor Rexhep Qoses. Me iniciativën e disa institucioneve të Kosovës si Bordi i Kolegjit AAB dhe Instituti Albanologjik të Prishtinës etj, me pjesëmarrien e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe shumë intelektualëve të shquar, studiues dhe shkencëtarë të trevave shqipfolëse, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, u zhvillua ceremonia e nderimit për profesor Qosen.
Personalitete si akademiku Rexhep Qosja janë vlera të larta kombëtare, që krijojnë imazhin e simboleve karakteristike të një komuniteti të caktuar që pasqyron esencën shoqërore të njeriut. Njeriu i masës shoqërore lind “teknologjikisht nga mekanizimi, ekonomikisht nga standardizimi, sociologjikisht nga aglomerati, politikisht nga demokracia.
Profesor Qosja, është ndër ato simbole unikale të Kombit, që me veprat dhe krijimtarinë e tij të pashtershme si historian i letërsisë shqipe, kritik, eseist, romancier, dramaturg dhe publicist, ka dhënë dhe po jep një kontribut të çmuar në zhvillimin dhe përparimin e kombit tonë. Emri i tij ka zënë vend në fondin e artë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqipe. Krijimtaria e tij e vyer i ka kaluar kufijtë e Kosovës e Shqipërisë dhe është bërë pronë e shumë popujve të Ballkanit, Europës e më gjerë. Veprat e tij madhore si “Historia e letërsisë shqipe” në tre vëllime, Fjalori Demokratik, Porosia e Madhe, Çështja Shqiptare Historia dhe Politika, Popull i ndaluar, Strategjia e Bashkimit Shqiptar, Vdekja më vjen prej syve të tillë, e shumë tituj të tjerë që janë në qarkullim, plot 29 vepra, janë bërë pronë e institucioneve arsimore e kulturore, e bibliotekave personale dhe i gjen në duart e lexuesve të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Me punën dhe talentin e tij ai është bërë protagonist i aristokracisë letrare. Të gjithë erërat dhe korentet e forta që kanë fryrë nga veriu dhe nga jugu, akademikun Rexhep Qosja nuk e kanë gjunjëzuar e përkulur dot, sepse ai është një lis i madh me rrënjë të thella, i rritur në malet kreshnike të Kosovës. Dijetar dhe shkrimtar të përmasave të Qoses, janë ambasador të fuqishëm të kombit, që i japin emër, krenari dhe popullaritet Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë dhe e bëjnë të njohur vendin në arenën ndërkombëtare. Duke nderuar dhe respektuar figura madhore si profesor Rexhep Qosja, ne nderojmë dhe respektojmë Kombin. Kushdo që kërkon të hedhë baltë mbi jetën dhe veprën e njerëzve të shquar, i bën një “shërbim” të vyer antishqiptarizmës.
Më shumë se kushdo tjetër një vend i vogël si ky i yni e ka të nevojshme që figurat e shquara t’i ketë të vendosura në piedestalin e vet. Me veprën dhe kontributin e tij të madhërishëm, me vizionin e tij të shndritshëm, me qëndrimin e tij të paepur dhe pa kompromis në të gjitha periudhat historike, duke qenë në shënjestër si askush tjetër, nga shovinizmi serb, duke e parë si një rrezik potencial të regjimit obskurantist, ai diti të frymëzojë masat me idetë dhe veprën e tij multidimensionale. Akademiku Rexhep Qosja, pamëdyshje dhe pakontestim është Rilindësi i kohës tonë Nderi i Kombit dhe i mbarë shqiptarizmës kudo në botë. Profesor Rexhep Qosja nuk është vetëm një personalitet i padiskutueshëm i letrave shqipe, por para së gjithash është një patriot dhe atdhetar i shquar që i ka bërë oponencë pa kompromise sistemit komunist dhe regjimit të Milosheviçit.
Ai, ka qenë frymëzuesi dhe përkrahësi pasionant i lëvizjes çlirimtare të UÇK-së, kur shumë intelektualë kosovarë e quanin atë një aventurë dhe aksion të dështuar. Me vizionin e tij largpamës ka parashikuar dhe mbështetur luftën për liri e pavarësi, duke marrë pjesë në momente kritike vendimtare siç ishte marrëveshja e Rambujes. Gjithmonë është gjendur në krahun e njerëzve me idealet për liri e përparim shoqëror.
Njeriu studios, me një prodhimtari të pashtershme, ka për idole Naimin, Samiun, Fishtën dhe Nolin, portretet e të cilëve i ka të varura në mur në studion e tij, të mbushur me një pasuri të madhe veprash të njerëzve të shquar të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Është pikërisht Qosja, që te vepra e tij madhore “Porosia e Madhe”, që i kushtohet Naimit të madh, jep mesazhin e qartë se gjuha shqipe është e unifikuar në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972 dhe duhet të përdoret gjuha e Naimit që është gjithëpërfshirëse për të gjitha trevat shqiptare. Unë jam verior nënvizon ai, por ju them edhe kolegëve të mi që të mos abuzojnë me teori diversioniste të krahinizmave, se një ditë do jemi të palexueshëm edhe për vetë veriorët, për shkak të dialektalizmave.
Në tërë veprimtarinë e tij krijuese, politike dhe patriotike, Qosja është udhëhequr nga shqiptarizmi.
Kur është fjala për figura të shquara, njerëz të mëdhenj, simbole të Kombit duhen lënë mënjanë mëritë, egoizmi provincial, ambiciet që disa cinikë intelektualë, apo pseudointelektualë, kalojnë deri në baltosje. Kosovarët, që e kanë ndjerë thellë shtypjen dhe persekutimin e regjimit genocidist serb, kanë ndjenja të theksuara të patriotizmit. Vlerësimi për figurën e Profesor Qoses u shpreh qartë me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga gjithë trevat shqipfolëse në ceremoninë e organizuar për nder të 85 vjetorit të lindjes së tij. Aty erdhën studiues, shkrimtar, shkencëtar, deputet, politikanë të djeshëm dhe të sotëm.
I ngjizur qysh në rininë e tij me ndjenja patriotike, Profesor Rexhep Qosja ka ndjekur me vëmëndje të thellë zhvillimet politike dhe shoqërore jo vetëm në Kosovë por dhe në Shqipëri. Nuk është rastësi që Akademiku Rexhep Qosja, ka pranuar të jetë Kryetar Nderi i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” qysh nga krijimi i saj në 12 Dhjetor të vitit 1991, duke e vlerësuar këtë trevë, etni heroike siç e ka quajtur ai, që “e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë” me luftërat dhe qëndresën e sajë, për liri e pavarësi, kur Kombi ka qenë i rrezikuar nga shovinizmi i fqinjëve.
Lidhjet midis të dy anëve të kufirit, Ai, i ka vlerësuar si lidhje gjaku, traditash, zakonesh, sepse janë lidhje shpirtërore, që nuk ka mundur t’i shuaj dot as ndarja shekullore e kufijve barrierë e politikës, për të mos u parë me njëri tjetrin. Fitoren e pavarësisë së Kosovës, e ka quajtur një rilindje të re për mbarë popullin shqiptar, kudo që ndodhet në trojet e veta dhe në diasporë dhe që do të sjellë më shumë liri, prosperitet dhe solidaritet kombëtar. Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Çamërisë, janë si pesë gishtat e një dore, gjymtyrë të një trupi të madh gjigand, që nuk mund të izolohen nga marrëdhëniet e ndërsjella shpirtërore dhe fizike. Si vizionar i madh, profesor Rezhep Qosja sheh në horizontin politik dritën e shpresës ëndërruese të shqiptarëve, se nuk do të jetë e largët dita që këto copëza të banuara me shqiptarë do gjejnë identitetin e vetë, duke ju bashkangjitur si degë të një trungu, Shqipërisë mëmë.