Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar seancën e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Mësohet se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën, më 21 korrik, në orën 14:30.
Po ashtu bëhet e ditur se seanca do të mbahet në prezencën e mbrojtjes, përfaqësuesit të Zyrës për Viktimat dhe Prokurorisë.
Seanca pritet të jetë konferencë për ecurinë e çështjes së ish-presidentit Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Palët e lartpërmendura kanë të drejtë që deri me 16 korrik t’i dërgojnë parashtresat e tyre me shkrim, nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë apo në të kundërtën argumentimet do t’i japin vetëm në seancë.
Ndërsa më 14 korrik, do ketë konferencë nga ora 15:00 për ecurinë e çështjes së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, konfirmoi aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999 dhe krimeve kundër njerëzimit. Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.