Nga Erald Shulla
Problemi në sistemin shëndetësor dhe me bluzat e bardha nuk mund të zgjidhet nga togat e zeza të drejtësisë.
Askush nuk e dëshiron këtë gjendje ku është sistemi ynë shëndetësore, as pacientet e as mjekët e as ata përreth tyre. Por a mundet që problematikat në shëndetësi të zgjidhen nga drejtësia?
Aq sa munden mjekët të japin vendime në një gjyq.
Të gjithë kemi nevojë imediate për ndërhyrje e fortë për një ndryshim rrënjësorë si në shëndetësi ashtu dhe në drejtësi. Pandemia e cila tronditi dhe vazhdon të trondisi botën, po ashtu e shkolofiti fare edhe vendin tonë të vogël bashkë me sitemin tonë të shëndetësisë. Edhe drejtësia është po aq keq. Fatkeqësisht për ne si të mos mjaftonte vetëm lufta me “armikun e padukshëm “Covid-19”, erdhi momenti që kambanat e alarmit po binin fortë e më fortë jo vetëm për pandeminë që përhapej kudo, por problematikat me sistemin shëndetësor po dilnin në pah çdo ditë, probleme këto të akumuluara nga e kaluara jonë, por dhe nga korrupsioni, i vetmi sukses në vend. Por sot më shumë se kurrë të gjithëve po na rëndon mbi supe barra e rëndë dhe e madhe që bashkë me pandeminë, të përsërisnim dhe të shkuarën e sëmurë e diktatoriale. Një e shkuar e stisur keq në dekada të tëra, me abuzime nga më të ndryshmet, ku kurora është jo korrupsioni vetëm, por mosndëshkimi i korrupsionit.
Kushtet në spitalet tona e poliambulancat janë mjerane, si për mjekët ashtu edhe për pacientët. Na kujtohet drejtësia, gjyqtarë e të akuzuar, në armiqësi dhe… më mirë te mos e themi. Është koha për të reflektuar e vepruar. Prapë më mirë vonë se sa kurrë. Përtej propagandës apo fshehjes nga perdja e gënjeshtres, e vërteta është që në si vend kemi problem të madh në sistemin shendetesor, e kjo është e dukshme në kohë normale dhe jo më në një kohe anormale si kjo e tanishmja që po kalojmë, që s’mund ta quajmë postpandemike.
Shenjat e korrupsionit dhe abuzimeve në dekada nuk është aspak e vështirë për t’i gjetur dhe për t’i kerkuar, tani që janë bërë hapur fare. I vërejme kudo, që në muret e spitaleve dhe qëndrave shëndetsore, e tregon deri dhe suvaja që ka rënë vende vende si lëkurë e rrjepur, e sëmurë, boja, krevatët bashkë me çarçafët, paisjet e nevojshme, apo më e rëndësishmja mungesa e medikamenteve, ku pacientët apo familjarët e tyre në të shumtën e rasteve duhet t’i sigurojnë vet, jashtë ambienteve spitalore. Dhe mjekët si gjyqtare dhe infermierë si policë. Dhe Loloçi te dera e spitalit kompetent si një mjek. Për qytetarët nuk është vetëm halli i sëmundjes apo problemit që kanë që duan të kurojnë, por edhe pjesa e problematikave që ka sistemi bie mbi ta.
Para disa ditësh në prangat e policisë u vendosën dy mjekë, të cilët u akuzuan për korrupsion nga ana e prokurorisë. Fill pas kësaj kolegët e tyre u ngritën të shqetësuar në protestë duke pretenduar që po bëhej padrejtësi ndaj bluzave të bardha. Ky reagim i tyre më tërhoqi vemendjen, besoj jo vetëm mua, por te gjitheve aq sa dhe vet kryeministri i vendit Edi Rama reagoj. Një nga mjekët ne proteste deklaroi guximshëm për mediat, që pagat e mjekëve janë shumë të vogla dhe nëse nuk do të jepet bakshish doktorëve , asnjë prej tyre nuk do të vazhdonte te punonte në spitalet shtetërore. Sipas tij bakshishi duhet legalizuar dhe duhet te jepet në recepsionin e spitalit me faturë tatimore.
Por a është kjo kërkesë e mjekëve mënyra e duhur që do zgjidhi problemin e korrupsionit në shëndetësi? Apo jemi në kuadër të një deklaratë emocionale, nga ngjarja e arrestimit të kolegëve të tyre dhe një hapësirë për të përfituar duke ngritur zërin ku qeveria të dëgjoj dhe tê ngrej pagat e mjekëve… Të gjithë jemi dakort që ndryshimi duhet të nisi, pse jo nga pagesa të kënaqshme për mjekët. Por pagesat e tyre nuk mund t’i sigurojnë pacientet dhe të afërmit e tyre duke paguar bakshish apo rryshfet në dorë si kamerierëve apo policeve dhe as ne recepsion si rasti i pretenduar i mjekut.
Askush nga ne nuk do t’i shoh mjekët me pranga në duar, as përball togave të zeza. Mjekët nuk i kanë duart as për të lypur bakshish, e as për t’ futur ne xhepat e pacienteve, por në plaget e pacientëve për t’i kuruar. E nëse duam të kurojmë dhe sitemin shendetesor duhet që qeveria të vendosi duart në plagë dhe në xhepat e saj të mëdhenj. Ta zgjidhim këtë plagë të shoqerisë, nuk ka nevojë të shpikim ne, kanë shpikur të tjerët për ne. Ne na mjafton ti marrim dhe ti adoptojmë drejtë. Por dhe mjekët në këto dekada janë përgjegjës për këtë situatë, ku abuzimet kanë qene reciproke është abuzuar me mjekêt por dhe mjekët kanë abuzuar me detyrën. Ku në shumë raste betimi i Hipokratit, është harruar dhe prandaj duhet kujtuar.
Qeveria duhet të ndërrmarri politikat e duhura për sistemin shëndetesor, nga ndërtimi dhe restaurimi i spitaleve, qëndrave shëndetsore, ambulancave, laboratoret e cdo gjë që duhet për të krijuar kushte optimale për pacientët dhe mjekët e deri tek pagat. Sepse mjekët na duhen në spitale dhe jo në burgje, por dhe as mjek vetëm biznesmena. Ndryshe janë te mirepritura togat e zeza. Jemi vonë për të gjitha…