Xherdan Shaqiri pas tre vitesh lë Liverpoolin dhe kampionatin anglez për t’u transferuar tek Olimpik Lion në Francë. Drejtuesit e të dy klubeve kishin ditë që diskutonin për transferimin e futbollistit me origjinë shqiptare tek skuadra franceze dhe më në fund është gjetur dakordësia.
Shaqiri që në vitin 2018-të u ble nga Liverpool për 13.5 milion sterlina kalon tek Lyon për 9.5 milion sterlina. Mediat britanike bëjnë me dije se vet futbollisti i Zvicrës do të firmosë një kontratë 4-vjeçare me skuadrën e njohur franceze që e kërkoi me ngulm.
29-vjeçari i ka kërkuar largimin trajnerit Klopp duke parë aktivizimin e pakët tek të kuqtë me të cilët fitoi një Premier League dhe Championsin. Pas eksperiencave në Zvicër, Gjermani, Itali e Angli tashmë Shaqiri do të provojë të luajë edhe në një tjetër kampionat elitar. Tek Lyon janë të lumtur me afrimin e Shaqirit duke parë eksperiencën e tij të madhe dhe faktin se është pikërishit lojtari që u duhej.