Shqiptarë, mos hani më bukë… se latë nam

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Plasi skandali.
Tani shqiptarët janë revoltuar paq. Dhe janë gati t’i hidhen në fyt kujtdo që kërkon t’i marrë bukën nga goja. Se shqiptarët mund të ngrihen në një demonstrim të përgjithshëm e agresiv vetëm në dy raste: nëse kërkojnë t’u marrin lekët nga kuleta, apo t’u fusin dorën në trastë për t’u marrë bukën. Se pa gjellë rron shqiptari, pa bukë as edhe një ditë.
Pastaj diskutimi për çështje të tjera; jo po akciza…, jo po fletë kuitanca…, çmimi i karburanteve… apo… nuk e çon njeri menderen nga minderi i shtëpisë ku janë rehatuar për të ndjekur lajmet propagandistike të mbrëmjes.
Së fundmi u tha se çmimi i bukës do të shtrenjtohet.
-Luaj more vendit… Mos more ç’na bënë.
Na lanë pa bukë, jo për gjë. Se ne bukën e kemi të parën kudo. Ndaj dhe dita kur u dhe lajmi për rritjen e çmimit të bukës, me gjasa mund të shpallet si ditë zije kombëtare.
Apo nuk kemi vuajtur për pak bukë gruri, derisa arritëm të prodhonim 100 përqind nevojat e vendit.
-Aaaa… Këtu po lajthitni. Partia dhe shoku Enver na porosit që çështja e drithit është çështja e të gjithëve, – thuhet në një prej batutave të filmit “Përballimi”, ku anëtari anonim i Plenumit të rrethit i bën vërejtje shokut Kopit, homologut të tij disfatist, në prezencën e sekretarit Martin që dilte nga tregu i zi për të matur pulsin e kulakëve.
Dhe meqenëse ishim një popull që nuk e kishim mbushur barkun as me bukë misri, – siç na e ka lënë të shkruar dhe Migjeni – kur binim në bukën e grurit meritonim atë shprehjen: ra si daci në kos.
Duke e analizuar thellësisht këtë mangësi në shoqërinë shqiptare, detyra kryesore në vitet e socializmit ishte “sigurimi i bukës në vend”. Kjo donte të thoshte se duhet të prodhonim aq grurë e misër sa të ishim të pavarur nga eksporti. Po të hanim me nikoqirllëk ama. Dhe prap mirë, se te e fundit nuk ktheheshim në obezë, si tani.
Diku nga vitet ’70 të shekullit XX, me shumë sforco në fakt, sigurimi i bukës në vend u arrit. E plasi festa e u morën zotime të reja për pavarësinë ushqimore të shqiptarit, i cili edhe po të mos kishte me çfarë ta lyente bukën, mund ta hante thatë. Ose siç bëjnë andej nga Elbasani, bugaçe. Bukë, me një petë byreku brenda. Ose thënë akoma më shkurt: Bukë me bukë.
Opo buka të mban, ç’i do llafet.
Në vitet ’80 po të shekullit të kaluar, pas tufëzimit të bagëtive, ku duhej tolloni – dhe më shumë akoma njohje miqësore apo krushqi me shitësen, – për ca mish brazili, buka u bë edhe më e domosdoshme.
Mirëpo pas viteve ’90, kur toka u la djerrë e nuk mbillej gjë prej gjëje, Shqipëria nuk prodhonte grurë as sa për muajt e verës, jo të shtynte dimrin. Gjithçka eksportohej. Gruri na vinte me të lirë herë nga Kanadaja e largët, por më së shumti nga Serbia që e kemi këtu pranë. Ne vetëm hanim. Epo bukë hesapi. Më lirë se aq nuk bëhej.
Tanimë kanë kaluar 30 vjet nga hapja e dyerve dhe kufirit. Jep e merr me njëri tjetrin e përsëri vazhdojmë të themi se jemi në tranzicion. S’kanë të mbaruar vuajtjet e shqiptarit. Edhe emigracioni nuk e ndryshoi dot traditë e tavolinës, ku fillimisht në mesin e saj vendosej kanistra e bukës. Edhe në restorantet me pesë yje një shqiptar i vërtetë e do një fetë buke, qoftë dhe të prerë hollë, se nuk shtyhet ndryshe. Kështu që vazhdojmë të blejmë nga një pllakë buke për çdo dy veta. Imagjino një familje me 6-të veta… Bllokohet wc-ja.
Tani po thonë se ky gruri që na vjen nga Serbia është cilësia “zh”, s’ka duk fare. Ne po nuk duam t’ia dimë nga ajo anë dhe vazhdojmë të hamë bukë… me bukë. Ç’rëndësi ka cilësia, dhe sasia e bojës që hidhet mbi krunde, që buka të marrë një ngjyrëëëëë… mysybet.
-Ejani të hamë një kafshatë bukë, – vazhdon të thuhet ende në familjet tona, kur të ftojnë në tryezë për mëngjes, drekë apo darkë. Sepse elementi kryesor i tavolinës është buka. Imagjino të ishte mishi…
-A do vini të hamë një çapë mishi…?
Sikur nuk shkon. Ka lezet buka. Na është mësuar edhe veshi dhe syri.
Por si t’ia bëjnë që t’ia heqin shqiptarit bukën nga menuja?
Ja, i rrisin çmimin.
Në fakt çmimi i bukës ka kohë që ka shkuar në stratosferë. Sepse sasia e një buke është zvogëluar nja dy a tri herë me atë ç’kemi pasur një herë e një kohë. Se, me një bukë 50 lekshe të para viteve ’90 sot i bie të hajë tërë mëhalla. Ndërkohë, që siç po shkon puna, çdo shqiptar do marrë bukën e vet e s’do ta ndajë me njeri tjetër. Gjashtë veta në shtëpi, gjashtë bukë në sini. Nga 1000 lekë të vjetra buka… iku dita e punës. Do mbeten dritat pa paguar. Kush duron burgun.
Aman o shqiptarë, mos hani kaq shumë bukë se latë nam. Hani ore… banane… Se u del më lirë.

Të fundit

Miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik në Sheq-Marinas,2% e energjisë i kalon shtetit

Këshilli i Ministrave miratoi sot ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk...

Rëndësia e magnezit në trup dhe problemet që sjellin nivelet e ulëta të tij

Magnezi është një mineral që trupit i nevojitet për të funksionuar normalisht. Ky mineral ndihmon në një sërë procesesh në trup, duke filluar nga...

Taylor Swift shpërblen stafin e çmimeve Grammy me para:Faleminderit për gjithë punën tuaj

Taylor Swift ka shpërblyer stafin që punonte në prapaskenë në çmimet Grammy. Këngëtarja e “Shake It Off” u pa në një video të postuar në...

Zbardhet kërkesa e avokatëve të Veliajt në GJKKO

Mësohen detaje të reja nga seanca maratonë prej 6 orësh që u mbajt këtë të mërkurë në GjKKO për kryebashkiakun Erion Veliaj, bashkëshorten e...

Gjykimi për Veliajn/ Avokati: absurd, s’është person që i fshihen hetimit

Avokati Idajet Beqiri, foli për seancën prej gjashtë orësh të zhvilluar ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij, ai...

Lajme të tjera

Web TV