Samiti i mbajtur në Slloveni nuk prodhoi asgjë të re për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bullgaria vendosi veton për Maqedoninë e Veriut duke shtyrë në një kohë të papërcaktuar mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërkombëtare për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor. A po fshihet BE pas “vetos bullgare”?
Nga Fernada Cenko
Shqipëria është ende larg integrimit të saj për në Bashkimin Europian. Vetoja e Bullgarisë edhe këtë radhë ka përcaktuar agjendën politike e cila në fund nuk prodhoi asgjë. Pritej që brenda këtij viti të kishte një datë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si vend kandidat për në BE, por gjithçka është rrëzuar në momentet e fundit. Në samitin e zhvilluar ditën e djeshme në Bërdo të Sllovenisë, Sofja zyrtare nuk e tërhoqi veton nga Maqedonia e Veriut. Pavarësisht ofensivës diplomatike të zhvilluar në prag të samitit, me Merkel dhe Macron që ndërmjetësuan takime mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe presidentit bullgar, kjo e fundit nuk bëri asnjë lëshim për “pengun” e saj, duke bërë edhe një bllokim automatik për Shqipërinë. Sipas Presidentes së Komisonit Europian Ursula von der Leyen, që ishte pak ditë më parë në Shqipëri dhe Kosovë tha se brenda këtij viti do të mbahej edhe Konferenca e Parë Ndërkombëtare por për këtë nuk pati asnjë datë të caktuar nga Samiti. Por përtej kryeneçësisë së Bullgarisë e cila është ndër vendet e fundit të përfshirë me “shtysë” në BE, duket se liderët e vendeve kryesore si Gjermania apo Franca nuk kanë lobuar mjaftueshëm për të zgjidhur një ngerç artificial, për konfliktin mbi gjuhën nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
Deklarata
Në deklaratën finale të samitit liderët e BE rikonfimrojnë përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit, ndërsa e cilësojnë perspektivën europiane të rajonit në interesin strategjik të të dyja palëve. Të gjithë e duan që për këtë dy vende të hapen negociatat, por prap çështja mbetet “pending”. Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel tha se Shqipëria dhe Maqedonia është një rajon me rëndësi strategjike për BE-në. “Pika e parë dhe më e rëndësishme që u diskutua në këtë samit është që ky rajon ka një rëndësi strategjike për BE-në. Duke e thënë këtë ne e rikonfirmojmë perspektivën europiane të rajonit dhe shpresoj që do të punojmë për të pasur sukses në zgjerimin e BE-së”, tha Charles Michel. Po ashtu presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Europian është i paplotë pa Ballkanin Perëndimor. “Mesazhi i Komisionit është shumë i qartë. Ballkani perëndimor është pjesë e të njëjtës Europë si Bashkimi Europian. Ne ndajmë të njëjtën histori, të njëjtin interes, të njëjtat vlera. Bashkimi Europian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor, prandaj komisioni i drejtuar nga unë do të bëjë gjithçka të mundur të për të çuar përpara procesin e zgjerimit”, u shpreh Ursula von der Leyen. Bashkimi Europian përshëndet angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në shërbim të demokracisë, të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit dhe për përpjekjet e qëndrueshme në luftën kundër krimit të organizuar, por thekson se besueshmëria e këtyre angazhimeve varet nga implementimi kuptimplotë i reformave të nevojshme. Von der Leyen tha se Shqipëria për edhe Maqedonia e Veriut nuk janë aty ku duhen. “Është e qartë se partnerët tanë në Ballkanin perëndimor po ndërmarrin reforma të rëndësishme. Nuk po them se janë aty ku duhet, por progresi është dukshëm dhe shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë. Tani është e rëndësishme të qëndrojnë në kurs, sa i përket çështjeve kyçe, si drejtësia, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave dhe reformat ekonomike”, tha Ursula von der Leyen. Ndërsa e theksoi se mungesa e një vendimi për të bërë përpara në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, po minon besueshmërinë dhe rolin e BE në rajon, Von der Leyen e vuri theksin tek përpjekjet e shtuara për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mbështetja e fortë ekonomike për rajonin ishte një çështje të cilës iu kushtua vëmendje e theksuar gjatë samitit. Sipas Presidentes së Komisonit Europian, Bashkimi Europian duhet të bëjë më shumë për këto vende. “Edhe BE duhet të bëjë më shumë. Ka treguar mungesa në procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe RMV. Duhet të ecim përpara në këtë proces, ta qartësojmë. Po bëhet një punë intensive nga Komisioni Evropian për çështjet kryesore, që është edhe çështja bilaterale mes RMV dhe Bullgarisë. Shpresoj që ata ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem dhe të ecin përpara. Kemi diskutuar në samit dialogun”, tha Presidentja. Pandemia
Po ashtu gjatë takimit në Samitin e Sllovenisë është diskutuar edhe për pandeminë. Presidentja e Komisionit Europian tha se do të vazhdohet më tej me dhurimin e vaksinave anti Covid19 si dhe do të ketë edhe një plan ekonomik. “Kemi diskutuar edhe çështjen e pandemisë. Kemi dhuruar një sasi të madhe vaksinash kundër virusit dhe do të vazhdojmë të jemi partnerë të ngushtë në vitet dhe dekadat e ardhshme. Kemi dhe planin ekonomik. Ky plan do të ndikojë në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Mbi të gjitha dhe për ndërlidhjen e rrugëve”, tha Presidentja.
Kosovë- Serbi
Në Samitin e Sllovenisë është diskutuar edhe për marrëdhënien Kosovë- Serbi për targat. Von der Leyen tha se situata u zgjidh në bazë të marrëveshjes që u ndërmjetësua nga BE. “Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat, vlen për t’u përmendur pasi është një marrëveshje që u arrit me ndërmjetësimin e BE. Kjo është një shembull për gjithë rajonin. Treguam dëshirën tonë për të gjetur zgjidhje, edhe në situata të vështira si këto. Situata ishte e tensionuar. Kjo është e qartë, që angazhimi ynë për zgjerimin është ndër elementet tona kryesore për të ecur”, tha Presidentja e KE.
Reagimi/ Rama: Shqipëria i ka përmbushur kushtet, BE nuk mban premtimet
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Samitin që u mbajt dje në Bërdo të Sllovenisë dhe theksoi se BE nuk po mban premtimet e saj, pavarësisht ecurisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Samitin që është mbajtur në Bërdo të Sllovenisë për zgjerimin e Bashkimit Europian. Duke folur për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, Rama u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet, por procesi i integrimit ka ngecur pasi Bashkimi Europian nuk ka mundur të mbaj premtimet. Gjithashtu Rama theksoi se i ka humbur shpresat në zhbllokimin e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, çka do të sillte më pas sipas tij dhe çeljen e negociatave. “Deri tani mund të shpresoj se ky bllokim i pakuptimtë nuk do të bëhet një ngjarje e përsëritur”, është shprehur kryeministri Edi Rama. Ai ka ngritur një pyetje përpara anëtarëve që kanaë marrë pjesë në samit. “Sidoqoftë, më duhet të pyes: Sa kohë duhet të presë Shqipëria për të pasur dritën jeshile në këtë proces të ashtuquajtur të bazuar në merita, i cili rezulton se nuk ka të bëjë me meritat në fund të fundit? Por unë nuk do ta keqkuptoj këtë pikë, sepse mund të ndodhë që ashtu si Vladimir nuk mund të ndahet nga Estragon në “Duke pritur për Godot”, edhe Shqipëria nuk mund të ndahet nga Maqedonia e Veriut në këtë version pas-të vërtetës të Procesit të Integrimit Evropian”, tha Rama. Kryeministri tha se nëse Ballkanin Perëndimor nuk do të shkojë në Bashkimin Europian, do të vijë ky i fundit, sipas Ramës në Ballkanin perëndimor. “Sado që saga e zgjerimit të shkojë, mund të ketë ende hapa konkretë për të ndërmarrë për t’i bërë vendet tona pjesë e BE -së, përveç emrit. Ndoshta BE nuk mund të përmbushë premtimet e zgjerimit. Por nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të shkojë në BE, BE mund të shkojë në Ballkanin Perëndimor. Ajo mund ta bëjë këtë në mënyrën që ka bërë gjithmonë BE, duke ndjekur metodën funksionaliste të etërve të saj themelues”, tha Rama.
Lidhja me komunizmin
Kryeministri Edi Rama e ka lidhur futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian edhe për shkak të kaluarës së saj komuniste. Ai tha se populli shqiptar e meriton të jetë anëtar i BE-së. “Unë tashmë kam ndarë disa mendime për këtë me bashkëqytetarët e mi. Siç mund ta imagjinoni, kjo nuk është një detyrë e lehtë. Shqiptarët janë komuniteti më pro-BE-së përreth për shkak të një të kaluare të veçantë të izolimit të ashpër nga Perëndimi Imperialist dhe Lindja Social-Imperialiste Sovjetike. Pas rënies së komunizmit, ata më në fund mund të zgjedhin lirshëm për herë të parë në historinë e tyre me kë të shoqërohen dhe ata kanë zgjedhur BE -në. Është mjaft e dhimbshme për ta të dëgjojnë nga BE -ja përsëri dhe përsëri se, po, natyrisht, Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë, por për fat të keq BE -ja që ata adhurojnë nuk është në gjendje të përmbushë premtimet e saj”, tha Rama.
Open Balkan
Kryeministri Edi Rama është ndalur edhe tek procesi i “Open Balkan”. Ai tha se Ballkani i hapur pasqyron një nivel të ri të pjekurisë që vendet tona fituan përmes procesit të Berlinit. “Iniciativa ‘Open Balkan’ është frymëzuar nga procesi i Berlinit. Të dy nuk kanë nevojë të vihen përballë njëri -tjetrit duke patronizuar qëndrimet dhe deklaratat konfuze. Ballkani i hapur pasqyron një nivel të ri të pjekurisë që vendet tona fituan përmes procesit të Berlinit dhe gjithashtu vullnetin për të zotëruar frymën e tij, duke shmangur ndërkohë mallkimin e një vetoje këtu dhe një vetoje atje nga vende të veçanta që mund të zgjedhin të mos vazhdojnë të njëjtën shpejtësi”, tha Rama.
Merkel: Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet
Kancelarja gjermane Angela Merkel refuzoi thirrjet për të caktuar një datë për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Unë nuk besoj vërtet në caktimin e datave, besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet”, u tha Merkel gazetarëve pas samitit të BE-së për Ballkanin në Slloveni. Sipas saj, caktimi i një afati do ta vendoste BE-në nën presion, pavarësisht nëse Ballkani Perëndimor i plotësonte kushtet e përcaktuara nga blloku i 27 vendeve. Në konferencën për shtyp, kancelarja gjermane theksoi gjithashtu se deri më tani nuk mund të ketë ndonjë pranim, sepse asnjë vend nuk ka plotësuar kushtet”, tha Merkel. Kancelarja në ikje tha se zhbllokimi i negociatave të anëtarësimit nuk ndodhi as në samitin e përbashkët mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. “Liderët e Unionit konfirmuan angazhimin ndaj rajonit, por nuk arritën të bindin Bullgarinë për të lejuar mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Merkel. Vendet anëtare i bënë thirrje Sofjes që të sheshojnë mosmarrëveshjet me Shkupin dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e hapura. Liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dhe një deklaratë të përbashkët, ku përshëndetet përkushtimi për t’i dhënë prioritet demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore, si dhe sundimit të ligjit, po ashtu luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Rutte: Nuk jam fare i kënaqur me Bullgarinë
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha para nisjes së Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, se nuk është aspak i lumtur me qëndrimin që po mban Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, duke bllokuar nisjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare mes këtij shteti dhe BE-së, vendim që po pengon edhe nisjen e bisedimeve për Shqipërinë. “Duhet të presim zgjedhjet në Bullgari, por nuk jam fare i kënaqur me faktin që nisja e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut janë ende të bllokuara. Mendoj se duhet të zhbllokohen sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo do të ndodhë, me shpresë, pas zgjedhjeve në Bullgari. Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta realizuar këtë”, tha Rutte për gazetarët para nisjes së mbledhjes së liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Rutte dhe kryeministri Edi Rama e bënë bashkë rrugën deri në hyrje të godinës ku po zhvillohet samiti, në Bërdo të Sllovenisë, ku patën edhe një moment “debati” se cili prej tyre do të futej i pari.