Nga Frrok Çupi
Lëvozhga?… Vetë PD, në një kuptim, është simbol i arrës. Kur shikoj si po ‘qërohet’ e vjetra në PD, më vjen në mendje një nga motot e qeverisjes Berisha. Ai pat thënë pafundësisht: ‘Mbjellim arrorë, arrorë, të mbjellim arrorë!’. Dhe ja tani po qërohen frutat dhe po bien gjethet e vjetra politike.
Kryetari i PD e përdori pa vend fjalën ‘llum’, ndërsa deputeti i vetë- gjetur si ‘llum’ kërcënoi, jo pse u fye, por sepse nuk e shikonte veten si ‘llum’. Në fakt, procesi që po ndodh tani në PD nuk është proces i ‘llumit’, por është proces i ‘rënies së lëvozhgës’. Kryetari i PD kur i sulmoi si ‘llum’ e bëri kot dhe trembi njerëzit. Masa e dherave në rrugë për shembull, si masa që ra sot në rrugën e re të Lumit të Vlorës dhe ku denoncoi një demokrat, (kjo quhet llum) i frikëson njerëzit. PD tani nuk frikëson më njeri, dhe prandaj nuk mund të përdoret fjala që nënkupton rrezikun e dherave e të baltës. Që në momentin kur Shtetet e Bashkuara çmontoi rrezikun ‘Berisha’, që aty u pa se PD nuk ka më dhëmbë; tani rrokulliset si arrat në vjeshtë. Tani Berisha as mund të bëhet kryetar në PD, as kryeministër e as brigadier pulash, as të vrasë e as të djegë vendin. Që nga 19 maji, kur u godit nga Amerika, klika e tij po lëshon lëkurën.
Lëvozhga po qërohet pjesë- pjesë dhe me kujdes:
1.
Hiqet fillimisht gjerdani i kapsollave.
Njësoj si në shtëpitë e vjetra me hasmëri kur dikush vjen i armatosur dhe lëshon gjerdanin. Dje u shkarkua nënkryetari i komisionit të Sigurisë, Noka. U shkarkua nga ‘komisioni i sigurisë’, por jo nga detyrat e larta politike. Ai është anëtar i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror’ në PD…, etj; por nuk u hoq prej andej. U qërua thjesht nga ‘Siguria’. E di pse ndodh kështu? Sepse këta që janë mish e thua me Berishën, nuk duhet të kenë lidhje me Sigurinë; me supën e me të tjera, it’s ok. Vetë Berisha është nën vëzhgim nga Shtetet e Bashkuara si rrezik për ‘Sigurinë’. Që prej vitit 2017, në PD dhe LSI nisi përgatitja e molotovëve dhe atentateve, si në kohën e terrorizmit të ‘Berishës së parë’. Në fillim të vitit 2021 në vendin tonë u zhvillua manovra më e madhe e ushtrisë amerikane dhe iu dëshmoi ‘arrorëve’ të këtushëm: “Eeej, jemi këtu!”. Gjatë gjithë kohës Aleati i Madh është me syrin mbi faktorët që duan të sjellin konflikt, terrorizëm dhe kaos… Ja, për këtë arsye, ata që kanë lidhje me të kaluarën në PD, ‘qërohen’ si lëvozhgë, nga Siguria fillimisht; me të tjerat le të vijnë vërdallë sa të duan, nga Kukësi në Gjirokastër.
2.
Po zhvishet klika që u zhyt në korrupsion:
Shikoni kush po turfullon pse u përjashtua Berisha nga Grupi Parlamentar…, pastaj Noka, pas Nokës një Nokë tjetër… Janë ministrat, zëvendësit, drejtorët ose edhe vetë kryetarja e Kuvendit dhe Presidenti. Të paktën tetë vjetët e fundit këta u zhytën në grabitje e në korrupsion të paparë, derisa i qëruan me votë. Tregojnë bojaxhinjtë se kur hyjnë në shtëpitë e tyre qelbet erë ‘dollarë i ndenjur’ në dyshekë. Vetë Muli që u shkarkua nga ‘Siguria’ paska deklaruar se ka mbi 5 milionë euro. Gjatë tetë vjetëve në qeverisje nuk mbeti asgjë për vendin, përveç 500 metër katror tortë dhe një shqiponjë e rrafshët në Laprakë. Edhe nga 20 milionë arrat që mbolli Berisha në vitin 2011, sot nuk është asnjë për bè…
Këta po tremben të gjithë bash prej kësaj katastrofe. Strazimiri u tremb dje e tha ‘ky është alarm i kuq’. Shehu i famshëm i preshit në Lushnjë tregoi ‘nderin lakuriq’ e tha se ‘unë e Berisha kemi dhënë dorëheqjen, qërohuni edhe ju’. Jozi është trishtuar katolikisht me fatin e Mulit dhe ka thënë se ‘e mbyti Ramën, prandaj…’. Spaho thotë se shikon një ‘litar’, por nuk thotë ku… Të gjitha perceptimet janë me shkërmoqjen, o si lëvozhgë, o si kërp litari, o si presh, o si ‘mbytje’. Në fakt kjo që po ndodh është ndarja e Partisë Demokratike nga kasta e vjetër dhe e degraduar.
3.
Po qërohet Luli nga ‘parazitët’.
Lulzim Basha ka hyrë në rrugën për t’u bërë kryetar i vërtetë i PD. Dje, kur foli për ‘llumin e qeverisjes së PD’ që ‘po lan paratë në Tiranë’, foli me Berishën. Berisha është i treguar me gishtin e Amerikës si i korruptuar, si larëse parash me të bijtë dhe si minë për shtetin demokratik. Luli e di mirë çfarë e pret Berishën dhe po shkëputet prej tij, që të mos e marrë përroi. Ndërkohë po jep sinjale se do të ndërtojë një PD pa berishizëm, pa histori krimi, pa biografi terrori, pa lidhje me terrorizmin, pa urrejtje ndaj shqiptarëve, pa mashtrim e vulgaritet. Luli ka aleat Shtetet e Bashkuara edhe për formimin e vërtetë të PD.
Pasi frutit t’i bjerë lëvozhga e vjetër, atëherë do të ndodhë kjo.
Do të ishte mundimi më i madh, njësoj si mundimi i Sizifit, për të mbërritur në këtë majë, sigurisht. Por Basha me sa duket, ka shansin e ‘sendeve të vjetra’. Këta po bien vetë, një nga një, po ziejnë, po shëmtohen dhe po shkojnë nëpër ujëra… Kjo është vjeshta politike e këtij viti. Askush nuk mund të thotë se për sa kohë do të pastrohet PD nga ‘parazitët’ që lëvrijnë nën sqetulla. As vetë qeveria e PD nuk mund ta dinte atëherë, kur hodhi parullën mashtruese për mbjelljen e arroreve, se një ditë do ta gjente veten thjesht një lëvozhgë.
Por ja ku jemi, po ndodh dhe këta po ulërijnë nga shkërmoqja.