Njollat murr-bardha të Prefektit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Frrok Çupi

‘Njollat e murrme’ nuk u bënë kurrë ‘të bardha’. Ikona e fundit e asaj tragjedie politike të artit, u nda nga jeta para një jave: Edi Luarasi, bashkë- regjisore me Mihallaqin dhe aktore brilante në shfaqje. Vetë Mihallaq Luarasi, Minush Jero (autori) dhe trupa e teatrit u përcollën për në qiej, por ‘Njollat…’ nuk u kthyen kurrë më.

Ndryshe ndodhi me ‘Prefektin’ e Levonjës, u kthye në skenën e Teatrit Kombëtar nga aktorët Arben Derhemi dhe Spiro Duni. Sapo komedia e Levonjës u shfaq në ekran, u sulmua furishëm.

Edhe atëherë ndodhi thuajse kështu si sot me Prefektin. Ishte viti 1970, kulmi i censurës komuniste. Veçse me një ndryshim të thjeshtë: ‘Njollat e Murrme’ nuk u kthyen kurrë, ‘Prefekti’ edhe pse u kthye, vetë krijuesit e ‘tij’ e tërhoqën menjëherë dhe e zhdukën nga ekrani.

Ndërsa vija e përbashkët mes ‘Njollave’  dhe ‘Prefektit’ është se censura është kthyer në regjim.

‘’Anti- komunistët” dhe të tjerët në krah, sillen njësoj si në diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave, njësoj si në censurë- punojnë e mendojnë me vigjilencën e Partisë, ushqejnë të njëjtën urrejtje për ‘armikun’.

… Si vallë, na dha dorë prefekti i Tiranës, Qazim Mulletiu, që të shikojmë prapë ‘Njollat…’?

Kësaj here u frikësua trupa e Teatrit dhe uli kokën. Njësoj si në vitet ’70. Nëse atëherë dy Mihallaqët dhe Jero nuk mund t’i rezistonin diktaturës, këta të tanishmit nuk mundën të përballojnë lirinë. Publiku, teksa po shikonte performancën e tyre në komedi, papritur mbeti me sytë bosh në ekran: Kush ua dha të drejtën aktorëve të dhunojnë publikun? Apo ndëshkuan komedinë e Levonjës? Vallë nuk quhet e bukur më komedia e Levonjës? Botërisht dihet se  ‘Prefekti’ është komedi e dashur për publikun shqiptar. ‘Çfarë është e dashur, ajo është e bukur. Çfarë s’është e dashur, ajo nuk është e bukur”, shkruan Umberto Eco.

Po pse hyjnë artistët në lojën e ndëshkimit?

Prapë na shfaqet censura si regjim. Aktori Spiro Duni erdhi shkallë- shkallë deri te mohimi i vetvetes. Në fillim tha se ‘e nisa komedinë sepse kam punuar me Shit Mulletin në një internim’. Pastaj tha se ‘Shiti i kishte mësuar anti- komunizmin’. Pastaj tha se ‘do ta titulloj jo ‘Prefekti’, por ‘Prefekt’. Kryetari i Bashkisë i periudhës së Fashizmit në Tiranë hyn në vizionin e artistit si një njeri ‘perfekt’. Kjo mund të bëhet. Por kur Duni tha se ‘do ta quaj Profeti’, atëherë vjen puna te ‘Njollat e Murrme’. E njëjta paralele: Atëherë diktatori tha se ‘shoqëria jonë nuk është e murrme, por e ndritur’, sot me ‘Prefektin’ po tentojnë të zëvendësojnë me njërin nga profetët: O me Muhamedin, o me Krishtin!

Po pse nënshtrohet e serviloset arti?

Besoj, se e para arsye është se artisti nuk bën art të vërtetë, por bën një gjë pa formë; mund ta bëjë mace, por edhe luan. Arti i vërtetë as lufton, as thyhet. Prej vitesh kërkohet që të fshihen filmat e periudhës 1945- 1990; një marrëzi. Prej kohësh po thonë se ‘ajo që ishte nuk duhet të ishte’ dhe shtrijnë dorën që ta fshijnë që nga kjo kohë në atë kohë. Prej kohësh po thonë se ‘në vend të Enverit duhej të ishte një nga Balli, ose tjetër’… Teatri Kombëtar e fshiu Prefektin, por bash në kohën kur e fshinë komedinë, në atë moment sarkazma u kthye me sy te njeriu me emrin Qazim Mulleti (1893–1956). Deri në atë moment vepra e artit qëndronte më vete, ndërsa politikani i 1940-ës, më vete.  Rrallëkush prej 60 vjetësh, teksa shikonte komedinë, të ketë sjellë në mendje Qazim Mulletin e gjallë.  E bukura e artit e ka elementin e krijimit artificial, për të kuptuar më mirë të bukurën e natyrës dhe të njeriut.

Lexo edhe :  Jonas Kepi në Shërbim të Shqipërisë: Një Diplomaci që Fillon nga Rinia

Pyeteni artin për Luftën e Ftohtë, pra…

Deri më tani janë pyetur historianët, filozofët, ushtarët; dhe kanë folur ‘qesim’ politikanët. Me këtë rast ‘arti’ mori përsipër të ndajë sinorët mes ‘atyre’ dhe ‘këtyre’. Po cilët janë ‘këta’ e cilët janë ‘ata’? Këtu, pastaj, bëhen shumë- shumë, pa fund. Bëhen ata që kanë vrarë njerëz, bie fjala, në shkurt të vitit 1943 (por s’ka gjë se ata ishin burra zotni, edhe mund të vrisnin); dhe këta që kanë vrarë në vitet e diktaturës komuniste. Arti shpall gjyqin: ‘Ata të pafajshëm, këta të fajshëm!’… Pastaj të pafajshëm- ata që vranë dhe vodhën dhe minuan Demokracinë në epokën post- komuniste, të fajshëm dalin ata që kërkojnë gjykimin e tyre…. Pastaj, të fajshëm këta që përdorin të folmen tiranase si sarkazëm; ndërsa të pa fajshëm ata që përqeshën emrat katolikë, dialektin geg, vranë jezuitët, ndanë kombin në Veri e Jug… Jooo, këta të dytët nuk kanë faj, vetëm ata që përdoren fjalën ‘tironce!’.

Tani ‘arti’ duhet të dalë të ndajë punët mes atyre që luftuan kundër Nazi- Fashizmit, dhe këtyre që e mohojnë luftën dhe lirinë. O zot, ku e futi veten ‘arti’! Njërën anë duhet ta ‘lajnë’ e ta zbardhin, tjetrën ta nxijnë; ose Njollat të bëhen ‘Murr-bardha’. Censura u bë regjim. Kësaj here është radha të nxihet periudha gjysmë shekullore.

Edhe Mesjetën e kishin konsideruar një ‘errësirë gotike’; por në Mesjetë ka fillesat vetë arti modern, madje dhe të romantizmi dhe koncepti i avancuar surrealist. Periudha e socializmit, natyrisht, na ka lënë vlera të gjëra të artit.

T’i fshini edhe këto?!

Atëherë ‘artit’ i del për detyrë që për atë 50 vjet të gjejë një popull tjetër që paska populluar vendin tonë në ato dekada.

Kur ndërhyri arti te Prefekti për ta bërë ‘Profet’, aty e nxiu… ndoshta edhe veten.

Copyright Fjala.al

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Fjala, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Fjala dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Të fundit

Shefi i NATO-s: Brazili, Kina dhe India mund të goditen rëndë nga sanksionet

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi sot se vende si Brazili, Kina dhe India mund të goditen...

“Tani jam bërë Vdekja, shkatërruesi i botëve”: Dita kur filloi Epoka Atomike

16 Korrik 1945 Në orën 05:29 të mëngjesit, më 16 korrik 1945, qielli mbi shkretëtirën Jornada del Muerto në New Mexico u ndriçua nga...

Horoskopi ditor, 16 Korrik 2025

Dashi Dashuria: Sot do të jetë një ditë ngjarjesh dhe pritjesh të papritura që do t’ju bëjnë nervoz. Do të jetë mirë që të izoloheni...

Egnatia eliminohet me turp nga Champions League

Egnatia është eliminuar me turp nga Champions League. Kampionia e Shqipërisë është mposhtur me rezultatin 5-0 në ndeshjen e kthimit të fazës se parë,...

Aksident në Vlorë, automjeti përplaset me motorin! Plas grushti pas ngjarjes

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e së martës në Vlorë, në zonën e plazhit të vjetër, ku një automjet është përplasur me një...

Lajme të tjera

Web TV