“Ulu ti Mehmet dhe mos fol këta janë specialistë dhe aeroporti do bëhet në Gjadër dhe jo në Hekal” / Dëshmia e ish-komandantit të Aviacionit për debatet e Enverit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur me dëshmitë e rralla të  ish-Komandantit të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputetit të Kuvendit Popullor, kolonel Edip Ohri, lidhur me debatet e ashpra të zhvilluara në Këshillin e Mbrojtjes, në fillimin e viteve ‘70-të në mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut,  lidhur me kontradiktat që kishin ata dhe udhëheqja e lartë e asaj kohe, për shumë nga problemet e mbrojtjes, marrëdhëniet me kinezët dhe me vendin ku duhet të ndërtoheshin, disa nga veprat më të mëdha ushtarake, siç ishte aeroporti i Gjadrit, etj…

“Kryeministri Mehmet Shehu në mënyrë kategorike ishte kundër variantit që aeroporti ushtarak të ndërtohej në Luginën e Gjadrit dhe ai ngulte këmbë që ai të bëhej në Hekal të Mallakastrës. Pas shumë debateve, aty nga viti 1971, kjo çështje u shtrua për miratim në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, ku përveç Enver Hoxhës, bënin pjesë dhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Adil Çarçani dhe Hito Çako. Përveç Drejtorit të Xhenjos, Mendu Backës dhe kryeinxhinierit, Lavdosh Dule, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, në atë mbledhje më thërritën edhe mua. Pas hapjes së mbledhjes nga Enver Hoxha, i pari e mori fjalën Mendu Backa, i cili tha se sipas konsultimit që ishte bërë edhe me palën kineze, Ministria e Mbrojtjes ishte e mendimit që aeroporti të ndërtohej në Gjadër, pasi vetëm ai i plotësonte të gjitha kushtet e parametrat e kërkuara. Në atë moment kur Mendu Backa, nuk e kishte mbaruar akoma fjalën, Mehmet Shehu u çua në këmbë dhe tha: ‘Unë nuk jam dakord. Këta kërkojnë shumë, ajo është toka më pjellore e Lezhës’. Ndërkaq ndërhyri Enveri duke i thënë Mehmetit që të ulej, por ai vazhdoi të mbronte idenë e tij dhe nuk tërhiqej nga e vetja’. Biseda u acarua aq shumë, sa që Enveri u detyrua të çohej disa herë në këmbë dhe me një ton tepër të lartë i drejtohej Mehmetit, duke i thënë: ‘Mehmet, ulu po të them. Këtë janë specialistë, këta e dinë më mirë”.

Kështu e kujtonte koloneli në pension dhe ish-deputet i Kuvendit Popullor e Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, Edip Ohri në një intervistë të dhënë për ne vite më parë, debatet e ashpra që u zhvilluan në mes Enverit dhe Mehmet Shehut në vitin 1972, lidhur me vendin se ku do të ndërtohej një nga aeroportet ushtarake më moderne të asaj kohe.

Po si lindi nevoja për ndërtimin e atij aeroporti dhe kush ishin katër ushtarakët e lartë shqiptarë që shkuan për të marrë eksperiencë në Korenë e Veriut, lidhur me tunelizimin e ushtrisë shqiptare? Përse kryeministri Mehmet Shehu, insistonte pranë specialistëve kinezë dhe atyre shqiptarë që ai aeroport të ndërtohej në Hekal të Mallakastrës dhe cilat ishin arsyet që kinezët, refuzuan jo vetëm Hekalin, por edhe Fushën e Shtojit, Pish-Poron, Kukësin, Gjirokastrën, Cërrikun dhe Qafën e Kazanit në Ersekë? Cilat ishin debatet e ashpra që u zhvilluan në mes Enverit dhe Mehmetit në Këshillin e Mbrojtjes dhe si u vendos ndërtimi i aeroportit në Luginën e Gjadrit?

Lidhur me këto, e plot ngjarje e fakte të tjera të panjohura më parë, si p.sh.: bisedimet sekrete ndërmjet ushtarakëve të lartë shqiptarë dhe atyre kinezë për sjelljen nga Kina të armatimeve të rënda, takimi në Pekin në dhjetorin e vitit 1972, në mes delegacionit të lartë të kryesuar nga Beqir Balluku dhe atij kinez të kryesuar prej kryeministrit Çu En Lai, refuzimit të palës kineze për kërkesat e palës shqiptare e cila me vendim të Byrosë Politike, kërkonte 18 uzina ushtarake, kritikat e ashpra të kryeministrit kinez kundër politikës militariste, që po ndiqte Enver Hoxha dhe sugjerimet e tij që Shqipëria, duhej të lidhte një pakt me Beogradin e Bukureshtin, për formimin e një Blloku mbrojtës ndaj Bashkimit Sovjetik, incizimin e fjalës së Çu En Lait nga dy radistët e Ministrisë së Brendshme, të maskuar në përbërje të delegacionit shqiptar dhe dërgimin e tij urgjent Enver Hoxhës në Tiranë, si dhe të tjera ngjarje të cilat deri në fillimin e viteve ’90-të, kanë qenë të mbyllura nëpër dosje të klasifikuara, si tepër sekrete dhe të një rëndësie të veçantë, na njohin dëshmitë e Edip Ohrit, njëri nga ushtarakët e lartë shqiptarë, i cili ka qenë vetë pjesëmarrës në të gjitha ato takime.

Po kështu, në vijim të kësaj interviste për Memorie.al, do njihemi edhe me arrestimin e tij, në 16 tetorin e vitit 1980, kur hetuesit, në kundërshtim me të gjitha rregullat e asaj kohe, e pyesnin Ohrin edhe për Mehmet Shehun, njeriun që vazhdonte të ishte ende në postin e Kryeministrit të Shqipërisë.

Zoti Ohri, si dhe përse u vendos që krahas disa aeroporteve ushtarake që kishte Shqipëria në atë kohë, si Kuçova, Vlora e Rinasi, të ndërtohej edhe ai i Gjadrit?

Në vitet 1968-‘69 pas daljes së Shqipërisë edhe “de jure” nga Traktati i Varshavës, në varësi të konjukturave politike dhe ushtarake, që po ndodhin në rajon, lindi ideja e tunelizimit të ushtrisë shqiptare. Për këtë gjë në atë kohë, një ekip i Ministrisë së Mbrojtjes i përbërë nga Mendu Backa, Alfred Moisiu, Lavdosh Dule dhe një person tjetër që nuk ja kujtoj dot emrin, u dërgua në Korenë e Veriut për të marrë eksperiencë.

Përse u vendos që të merrej eksperiencë nga Koreja e Veriut dhe jo nga Kina, me të cilën Shqipëria kishte marrëdhënie shumë të mira?

Vendimi për të marrë eksperiencë nga Koreja e Veriut, u bë pasi në luftën e gjatë me amerikanët, ajo kishte përdorur me sukses, tunelizimin e ushtrisë, të cilin e kishte tepër të modernizuar”.

Pas kthimit nga Koreja të ekipit shqiptar të Ministrisë së Mbrojtjes, çfarë vendimesh u morën?

Ndërmjet shumë masave që u morën në atë kohë për tunelizimin e modernizimin e ushtrisë shqiptare, u vendos që të ndërtohej edhe një aeroport ushtarak dhe tunelet e Flotës Detare, për të cilin kohë më parë ishte lidhur një marrëveshje me kinezët. Pra sipas asaj marrëveshje të nënshkruar në mes Ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe asaj kineze, ai aerodrom do të projektohej e ndërtohej i gjithi, me financimet e palës kineze, të cilët pas ndërtimit, do të sillnin edhe avionët me të gjithë bazën e nevojshme logjistike. Ndërsa pala shqiptare do të vinte në dispozicion, vetëm krahun e punës dhe çimenton. Në këtë kuadër, për të bërë tunelet e Aviacionit dhe Flotës Luftarake, në atë kohë u kërkua ndihmë nga Kina, e cila menjëherë solli një grup specialistësh prej 10-15 vetash. Atë grup e kryesonte një specialist tepër i talentuar i quajtur Sung, i cili ishte marrë me ndërtimin e tuneleve të aviacionit jo vetëm në Kinë, por edhe në disa shtete të tjera të Afrikës që ndihmoheshin prej Kinës.

Lexo edhe :  Historitë sekrete/ Zbulohet pas 80 vitesh ditari i të dashurës angleze të Hitlerit

Kush i priti specialistët kinezë dhe çfarë u bisedua me ta fillimisht?

Me porosi të Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut, për pritjen dhe shoqërimin e specialistëve kinezë, u ngarkua inxhinieri Lavdosh Dule nga Drejtoria e Xhenjos dhe unë, si Komandant i Përgjithshëm i Aviacionit. Unë u thashë specialistëve kinezë, se sipas porosisë që më kishte dhënë kryeministri Mehmet Shehu, ne do të shkonim në Hekal të Mallakastrës, ku Mehmeti mendonte të ndërtonim aeroportin.

Mehmeti e kishte përcaktuar vetë Hekalin si vendin ku do të ndërtohej aeroporti, apo ishte konsultuar edhe me ushtarakë të tjerë?

Një vit më parë, Mehmeti na kishte thërritur mua me Babaçe Faikun e Niko Hoxhën dhe na e kishte sugjeruar atë vend. Pas kësaj ne të tre shkuam në Hekal me makinë, duke fluturuar aty me avion dhe kur u kthyem i thamë, se aty nuk mund të bëhej aeroporti”.

Edhe pse ju i kishit thënë se në Hekal nuk bëhej aeroporti, Mehmeti ngulmonte përsëri ta ndërtonte aty?

Atij i ishte mbushur mëndja për Hekalin dhe atë gjë, ia miratonin edhe Mendu Backa me Lavdosh Dulen, prandaj unë u detyrova dhe shkova atje së bashku me specialistët kinezë, të cilët i vunë vizë atij vendi duke thënë se nuk bëhet.

Po më pas ku u vendos për ndërtimin e aeroportit?

Pas refuzimit që kinezët i bënë Hekalit, Mehmet Shehu na tha të shkonim në Pish-Poro të Vlorës, të cilin kinezët e refuzuan, pasi aty ishte kënetë dhe kuota zero, por mbi të gjitha tunelet ishin shumë larg aerodromit. Pas kësaj Mehmeti na tha të shkonim në Fushën e Shtoit në Shkodër, sepse aty e kishim pothuaj gati aerodromin. Edhe për Fushën e Shtoit kinezët nuk deshën, pasi ajo ishte fare pranë kufirit me Malin e Zi dhe që nga Mali i Taraboshit, (pjesa jugosllave) e gjithë fusha dukej në pëllëmbë të dorës dhe mund të qëllohej fare lehtë me artileri. Por këtu dolën probleme, pasi disa thoshin që aty mund të bëhej aeroporti dhe Mehmeti na thërriti disa herë mua e Mendu Backën. Ne të dy i thamë se nuk bëhej dhe puna vajti deri në Këshillin e Mbrojtjes, ku Mehmeti i tha Enverit: “U kam dhënë Pish-Poron e Fushën e Shtoit, por këta nuk duan”. Pas kësaj ndërhyra unë duke thënë se në Fushë-Shtoj ulja e avionëve bëhej vetëm nga njëra anë, sepse ishte kufiri shumë afër. Pas kësaj, Enveri tha: “Mehmet, ne nuk duam aerodrom me një këmbë”. Pas kësaj problemi u mbyll”.

Si u vendos më pas për aerodromin?

Pas kësaj na thanë të gjenim vende të tjera dhe unë i shoqërova specialistët kinezë pothuaj në të gjithë Shqipërinë, duke bërë rigonicione në Kukës, Gjirokastër, Ersekë, etj, por të gjitha këto vende u refuzuan nga pala kineze, pasi ato ishin shumë afër, kufirit dhe mund të godi-teshin lehtë. Kështu që ne u detyruam dhe pamë Gjadrin e Cërrikun, por meqenëse Cërriku ndodhej shumë afër fushës së Domosdovës ku ishte planifikuar të shtrihej Kombinati Metalurgjik dhe për disa arsye të tjera të karakterit ushtarak, versioni më i mundshëm për ngritjen e atij aeroporti gjigant që do të ndërtohej falas nga pala kineze, mbetej vetëm Lugina e Gjadrit. Por i këtij mendimi nuk ishte Kryeministri Mehmet Shehu i cili në mënyrë kategorike ishte kundër këtij versioni dhe ai ngulte këmbë që aeroporti ushtarak të ndërtohej vetëm në Hekal të Mallakastrës. Pas shumë debateve kjo çështje u shtrua për miratim në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes ku përveç Enver Hoxhës, bënin pjesë dhe Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Adil Çarçani dhe Hito Çako.

Po Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku pse nuk ishte?

“Në mos gaboj, ai mungonte se ishte sëmurë. Në atë mbledhje që u zhvillua në nja nga sallat e Komitetit Qendror, përveç Drejtorit të Xhenjos, Mendu Backës dhe kryeinxhinierit, Lavdosh Dule, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë, më kishin thërritur edhe mua. Pas hapjes së mbledhjes nga Enver Hoxha, i cili tha: “Jemi mbledhur për të vendosur për ndërtimin e aeroportit”, i pari e mori fjalën Mendu Backa, i cili tha se sipas konsultimit që ishte bërë edhe me palën kineze, Ministria e Mbrojtjes ishte e mendimit që aeroporti të ndërtohej në Gjadër, pasi vetëm ai i plotësonte të gjitha kushtet e parametrat e kërkuara. Në atë moment kur Mendu Backa nuk e kishte mbaruar akoma fjalën, Mehmet Shehu u çua në këmbë dhe tha: “Unë nuk jam dakord. Këta kërkojnë shumë, ajo është toka më pjellore e Lezhës”. Ndërkaq ndërhyri Enveri duke i thënë Mehmetit që të ulej, por ai vazhdoi të mbronte idenë e tij dhe nuk tërhiqej nga e vetja”. Biseda u acarua aq shumë, sa që Enveri u detyrua të çohej në këmbë disa herë dhe me një ton tepër të lartë i drejtohej Mehmetit, duke i thënë: “Mehmet, ulu po të them. Këtë janë specialistë, këta e dinë më mirë”.

Çfarë tha Mehmeti më pas?

“Mehmeti nuk foli më dhe mbledhja u mbyll pasi Enveri i ftoj të pranishmit ta miratonin versionin e Gjadrit. Kur dolëm Mehmeti nuk na dha as dorën. Aty u bënë vetëm formalitetet, pasi Enveri kishte informacione edhe burime të tjera”.

Po Hysniu, Adili dhe Hito Çako, çfarë qëndrimi mbajtën gjatë mbledhjes?

“Ata nuk flisnin, por kur e kishim fjalën ne, ata na miratonin duke luajtur kokën”./Memorie.al

Të fundit

Mbahet mbledhja e parë e grupit të PS për 2025 pa prezencën e Ramës, zbardhen diskutimet

Mbledhja e parë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për këtë vit është zhvilluar këtë të hënë pa prezencën...

Çfarë do të bëjë Trump pasi të marrë detyrën?

Presidenti i zgjedhur Donald Tramp sapo ka mbërritur në Capitol, por pas betimit ai ka planifikuar një sërë urdhrash ekzekutivë që do të hyjnë...

Betimi i Trump/ Bush, Clinton dhe Obama marrin pjesë në ceremoni

Disa nga ish-Presidentët e SHBA janë bashkuar në Kapitol për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të 47-të të SHBA-ve, Donald...

Sali Kulla si Ebu Qerimi

NGA Edison Ypi Sali Kulla, pasi preu me brisk të gjitha lidhjet me realitetin, po sheh ëndrra, zhgjëndrra, halucinacione, si te Pallati i lavdishëm, Ebu...

Parashikimi i Baba Vangas që tronditi SHBA-në: Trump do shurdhohet dhe do vdesë nga….

Ngjarja dramatike në një tubim të Donald Trump në Pensilvani, ku ish-presidenti mbeti i plagosur në vesh, ka ripërtërirë interesin për parashikimet e frikshme...

Lajme të tjera

Web TV