Letra e besimtarit: Shoku Enver, me urdhër të Sul Bahollit, po na i pyesin fëmijët për…

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Korespodenca e aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së me komitetet e partisë së rretheve të Shkodrës, Elbasanit, Gjirokastrës, etj., për reagimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm, ndaj prishjes së objekteve fetare. Letra për Enver Hoxhën: “Ajo që ka irritu sot popullin e Shkodrës, është udhëheqja e Komitetit të Partisë të qytetit tonë, me në krye Sul Bahollin, i cili e ka shum të zhvillue kultin e individit, ka urdhërue drejtorat e shkollave, që të pyesin fëmit deri në klasën e 9, nëse janë të bamë synet”?!

Nga DASHNOR KALOÇI

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar, u njohëm me një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-komitetit Qendror të PPSh-së), i cili i përket datës 27 shkurt të vitit 1967, ku ndodhet një letër e Enver Hoxhës, (me siglën “Tepër sekret”), dërguar Komiteteve të Partisë së rretheve, lidhur me luftën kundër fesë dhe besimeve fetare, si dhe prishjen e objekteve të kultit të tre besimeve fetare, si; kisha, xhamia, manastire, katedrale, teqe, tyrbe, etj. Letra në fjalë, ku sekretari i parë i komitetit Qendror të PPSh-së, diktatori Enver Hoxha, pasi ka bërë një historik të shkurtër të tre religjoneve fetare në Shjqipëri, (klerit myslyman, katolik dhe orthodoks), që nga koha e pushtimit Osman, ka përshkruar me hollësi, madje deri në detaje, luftën që duhej zhvilluar për ndalimin e fesë dhe prishjen e të gjitha objekteve të kultit. Letra në fjalë, me udhëzimet për Komitetet e Partisë së rretheve, ishte prologu i veprimeve që kishin filluar që në vitet 1965-‘66, në rrethe të ndryshme të vëndit, (por kryesisht në rrethin e Shkodrës), me mbylljen e disa objekteve fetare, si kisha dhe xhamia, me preteksin se ato ishin në afërsi të objekteve ushtarake. E gjitha kjo, (mbyllja dhe sekuestrimi i disa objekteve të kultit), duket se ishte një “matje pulsi”, që bëhej nga Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e Komitetit Qendror të PPSh-së, ndaj tre religjioneve fetare dhe besimtarëve të shumtë gjithashtu, për të parë reagimin dhe rezistencën e tyre, para se të fillonte “aksioni politik”, për ndalimin me ligj të fesë dhe ushtrimin e besimeve fetare gjithashtu, gjë e cila nisi që në fillimin e vitit 1967, kur filloi prishja dhe shkëtërrimi i të gjitha objekteve fetare, e arrestimi, burgosja apo internimi i pjesës më të madhe të klerikëve të tre besimeve fetare, ku disa prej tyre, si Dom Shtjefën Kurti, Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan, më pas. Por, “aksioni politik” dhe vendimi që ndërmorri asokohe Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSh-së për ndalimin e fesë dhe goditjen e prishjen e objekteve të ndryshme fetare të tre religjoneve, solli reagime të ndryshme, jo vetëm nga drejtuesit e lartë të Klerit Katolik, si p.sh., Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba, që i dërgoi një letër Enver Hoxhës, ku protestonte për prishjen e objektit të kultit ku ndodhej ‘Shenjtora e Zojës së Këshillit të Mirë’, (bri kalasë së Rozafatit), letra anonime e një besimtari nga Shkodra për Enver Hoxhën, me ankesat për sekretarin e parë të rrethit, Sul Bahollin, si dhe letra të tjera nga grupe të ndryshme besimtarësh, katolikë, myslyman dhe orthodoksë, si ata të qytetit të Elbasanit, që në letrën e tyre e kërcënuan Enver Hoxhën, duke i shkruar se; në rast se do prishej xhamia në Fushë-Mbret, ata do të shkonin deri në Tiranë, etj. Për më shumë rreth këtyre dhe të tjera, për “vitin e mbrapshtë 1967”, ku shqiptarët, të detyruar nga udhëheqësi i tyre, diktatori Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSh-së, i “shpallën luftë Zotit”, na njohin dokumentet arkivore që po i publikojmë të plota në këtë shkrim (bashkë me faksimilet përkatëse), dhe ekskluzivisht për gazetën FJALA.
LETRA E ISPESHKVIT TË SHKODRËS, IMZOT ERNEST ÇOBA, DËRGUAR ENVER HOXHËS, KU AI I ANKOHET DHE PROTESTON PËR SEKUESTRIMIN E KONFISKIMIN E DISA KISHAVE DHE OBJEKTEVE TË TJERA FETARE TË KLERIT KATOLIK, NË RRETHIN E SHKODRËS
Një nga ata klerikë të lartë katolikë, që reagoi ndaj vendimit të udhëheqjes së lartë të PPSH-së për prishjen e kishave, ishte Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Ernest Çoba, i cili me anë të një letre u ankua direkt tek Enver Hoxha për atë që po ndodhte. Në atë letër të shkurtër ai ka shkruar:
Urgjent shokut Enver Hoxha
Sekretarit të Parë të PPSH-së Tiranë
Ju drejtohem juve, udhëheqsit të popullit, si ma tutje: Në rrugën nacionale bri Kalasë Rozafat, gjindet Shenjtnorja e Devocionit mijvjeçare, Shenjtnorja e Zojës së Këshillit të Mirë, monument i vazhdueshëm i fesë dhe i atdheut.
Më 1.6.1966 na u komunikue nga Kryesia e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Shkodër, se ajo në datën 6 të këtij muaji, do të përfshihet në zonë ushtarake e, prandej do të pezullohet funksionimi i saj. Na jemi të gatshëm të bajmë sakrifica, për mbarëvajtjen e atdheut, kjoftë edhe me jetën tonë. Megjithatë, ju lutemi nxehtësisht që, për hir të besimit të tyne, të shqyrtoni dhe veproni për vazhdimin e funksjonit të shenjtores në fjalë”.
Me nderime të zgjedhuna
Ernest M. Çoba, Ipeshkëv
Kryetar i Kishës Katolike të Shqipërisë
Shkodër, më 1.6.1966
Por kjo letër e Imzot Çobës, si duket, nuk i është dorëzuar Enver Hoxhës, pasi një nga funksionarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së në Tiranë, me anë të një informacioni që jep për këtë çështje, e konsideron të mbyllur atë problem. Në atë letër, që mban datën 16 korrik 1966, dhe që titullohet “Informacion mbi telegramin e Ernest Çobës”, shkruhet:
“Është kryetar i Kishës Katolike. Me anë të një telegrami që i drejton shokut Enver, shkruan se Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit, i ka lajmëruar se Shenjtorja e Zojës, që ndodhet në rrugën nacionale, bri kalasë Rozafat, do të përfshihet në zonën ushtarake e do të pezullohet funksionimi i saj, prandaj lutet të shqyrtohet kjo çështje. Për këtë u bisedua me një herë me shokun N.K., i cili njoftoi se Komiteti Ekzekutiv, në bazë të kompetencave që ka, ka vendosur që më parë që ai vend të caktohet zonë ushtarake.
Ernest Çoba atëhere nuk tha gjë. Tani që ankohet, është lajmëruar të heqë plaçkat që kish brenda në kishë, pasi shokët e ushtrisë, do të bënin disa shpërthime e do t’a izolonin atë vend. Shoku N.K., njoftoi gjithashtu se kur ishte shoku Enver në Shkodër, e kishin vënë në dijeni për këtë vendim e nuk u kish bërë vërejtje. Për këtë telegram, u vu në dijeni edhe shoku Haki, i cili bisedoi vetë me shokun L.D., që ta thërriste e ta sqaronte Ernest Çobën. Shoku L.D., e thirri dhe e sqaroi vetë Ernestin, por ai nuk është njeri i mirë dhe i ngatërron në punë. Mendojmë që çështja të konsiderohet e përfunduar”.
LETRA E KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së DËRGUAR KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT TË SHKODRËS, PËR ZBULIMIN E PERSONIT QË KISHTE DËRGUAR LETRËN ANONIME, UDHËHEQJES SË LARTË NË TIRANË
Letra e Ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Ernest Çobës, dërguar sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha, duket se ka sjellë shqetësime për funksionarët e lartë dhe udhëheqjen kryesore të Komitetit Qendror të asaj kohe, pasi, sipas dokumenteve që gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit në Tiranë, aparatit i Komitetit Qendror të PPSh-së, i ka dërguar një letër Komitetit të Partisë në Shkodër, ku i kërkon që ajo çështje, të shikohet me kujdes nga ana e saj.
Por më shqetësuese për Komitetin Qendror në Tiranë, duket se ka qenë letra anonime, dërguar Enver Hoxhës, nga një besimtar i qytetit apo rrethit të Shkodrës, pasi në përgjigjen e Komitetit të Partisë së Shkodrës (të firmosur nga Sekretari L.R.), dërguar Komitetit Qendror, në mes të tjerash, thuhet se; autorin e asaj letre, nuk kanë mundur ta gjejë dot. Në atë letër, e cila mban datën 20 prill 1965, shkruhet: “Gjegje shkresës tuaj Nr./33/1 Dt. 21.I.1965. Përsa kërkoni me të sipërmen, ju njoftojmë se për nevoja urgjente të ushtrisë dhe me aprovim edhe të Ipezhkvit katolik, është autorizuar ushtria, të futet në qelën e kishës së Gurit të Zi.
Por komanda ushtarake, duke marrë parasysh nevojat e mëdha që ka patur edhe nga ana tjetër, kisha me qelën janë nën një çati, kështu që lëvizja e civilave aty afër, nuk lejohet, e ka zënë edhe kishën. Neve kemi porositur komandën ushtarake që të marrë masa për ta liruar sa më parë kishën, megjithëse nga ana e tyre, kjo paraqet vështirësi. Nga ana tjetër, ky problem është shtruar edhe me popullin, që kisha do të mbahet edhe për disa kohë, sa të krijohen kushte për lirimin e saj. Për çështjen e daljes në punë, për ditë të diela dhe në festa fetare, kjo është kërkuar vullnetarisht nga kooperativistët, duke marrë parasysh nevojat e punës në kooperativë dhe nuk është e vërtetë se, janë marrë masa administrative për këtë çështje. Autorin e letrës nuk kemi mundur ta gjejmë”.
DOKUMENTI ME LETRËN ANONIME TË NJË BESIMTARI NGA RRETHI I SHKODRËS, DËRGUAR ENVER HOXHËS, LIDHUR ME MASAT EKSTREME QË PO NDËRMERRTE KOMITETI I PARTISË I RRETHIT TË SHKODRËS, ME NË KRYE SUL BAHOLLIN, PËR NDALIMIN E FESTAVE FETARE
Në një nga letrat e tjera të dërguara në adresë të Enver Hoxhës, nga një besimtar me banim në qytetin e Shkodrës, e cila është pa emër, shkruhet: “Partia si organizatore dhe inspiruese e të gjitha fitoreve të popullit tonë, ka dhënë prova vetëmohimi në çdo drejtim. Unë në këtë letër e kam fjalën për disa masa të pavend që po merren nga Komiteti i Partisë.
Gjatë luftës N.ÇL. armiku dhe në radhë të parë Kleri, kanë pas zhvillue nji luftë dhe propogand shumë të madhe kundër Partisë sonë, duke thanë se komunistat nuk besonin Zotin, prishin kisha e xhamia etj. Mirpo në atë kohë, kjo tez e tyre, asht kundërshtue me të madhe, për ma tepër jan marrë edhe masa kundrejt atyre komunistave që janë çfaqë si ateistë.
Çka ngjet sotë? Po me keqardhje, sot po vërtetohen fjalët e Klerit, sepse në fakt në qytetin tone, janë prishë kisha e xhamia dhe disa jan kthyer në depo shtetërore dhe ajo që e ka irrituar më tepër popullin e Shkodrës, asht udhëheqja e Komitetit të Partisë të qytetit tonë, me në krye Sul Bahollin, i cili e ka shum të zhvillue kultin dhe çka thotë Sul Baholli, do të bahet, ose të ndryshe të mori djalli.
Ai ka arrit pikën kulminante për mendimin tim, në çështjet fetare, ai sot kërkon të dalë si reformator i ri kundrejt fesë, duke përdor disa forma dhe metoda të papërshtatshme, që me bindje të plotë, ju si udhëheqës Partie, nuk ia keni dhanë një udhëzim të tillë.
Ja se çka ba ky personalitet i shquar: ka urdhëru të bahen formular të veçant, që të plotësohen nga sekretarët e Partisë në qendrat e punës në këto pika:
1. Kush mban ikona nëpër shtëpi dhe a do t’i mbani a do t’i hiqni?
2. Në rast se do të vdes ndonji nga pjestarët e familjes, do t’i varrosni me prift ose me hoxhë?
3. Kush nga punonjësit ose pjestarët e familjes, festoi festat fetare si bajram, këshëndella e tjer?
4. Kush agjinon ramazanin dhe a do t’i bani me i prish, nanat dhe baballarët?
5. Ka urdhërue drejtorat e shkollave që të pyesin fëmit deri në klasën e 9, nëse janë të bamë synet dhe a do të bahen?
6. Ka detyrue nënpunësit e aparatit shtetit, me shku nëpër lagje dhe shpi në shtëpi, me i pyet a keni agjinue dhe na pije nji gotë ujë?
7. Ka ndalue ramjen e kambanave, jo vetëm për festat fetare, por edhe për ramjen e sahatit, që asht injoranca ma e madhe! (AQSH. F. 14 / A. / Viti 1965 D. 1014 f.2)

Lexo edhe :  Festivali i Kanës 2024: Meryl Streep vlerësohet me Palmën e Artë të Nderit

LETRAT E DISA BESIMTARËVE MYSLIMANË NGA QYTETI I ELBASANIT, DËRGUAR ENVER HOXHËS, KU I KËRKOJNË QË MOS T’JU PRISHET XHAMIJA BALLAJE, PASI AJO ËSHTË ME VLERA HISTORIKE, SE NË TË KUNDËRT, ATA DO TË SHKONIN DERI NË TIRANË, PËR TË PROTESTUAR

Shokut Enver Hoxha
Tiranë
Ashtë letra e dytë që po ju dërgojmë juve, shoku Enver dhe për një kohë u ndaluan punëtorët për prishjen e xhamisë Ballje, mirë, por sot, më dt. 27.X.1965, filluan prishjen e xhamisë na Xhemiati dhe besimtarët syni, ishin të pikëlluar dhe kërkojnë që xhamija në fjalë, të mos prishet dhe të qëndrojë në vënd.
Ne e dimë që feja është e lirë dhe gëzojmë të gjitha të drejtat fetare dhe prandaj kërkojmë që xhamija Ballje, është historike, por në se nuk e pranojmë historike, ta zbukurojmë dhe të rregullohet, por vetëm të rrijë xhamija në vënd dhe të mos prishet.
Nga fetarët, nga Xhemiatë dhe besimtarët të qytetit Elbasan.
Vetëm urdhëri juej ndalon çdo veprim.
Mbesim me shpresë të naltë.
27.X.65

Shokut Enver Hoxha
Tiranë
Asht letra e tretë që ju dërgojmë dhe asnji gja nuk u ba për xhamin Ballje në Elbasan, por vazhdojnë ta prishin. Asht mëkat i madh që të prishet një xhami si kjo, që asht shumë e mirë dhe që asht në mes të qytetit. I shkoj fjala dhe Kryetarit të Komitetit të Qytetit, se asht xhami ajo që prishet, se po të ishte kishë, nuk do të përfundonte kështu dhe Myftiu i qytetit të Elbasanit bashkë me kryetarin e fesë në Tiranë, shikojnë që të marrin pare dhe nuk pyesnin për xhamiat, por shikojnë që të mbushin xhepat e tyre, dhe për xhamijat nuk kanë galje, por një gja asht, se xhamiat i ka goditur populli dhe populli të pyetet, se sa e keqe i vjen që prishen xhamiat sot dhe që i kanë bërë depo shumë prej tyre, që bijnë në sy, se janë mbrena në qytet.
Sa për Myftiun e qytetit, ajë e ka bërë si i do qeifi, hoxhallarët e qytetit dhe të fshatit, e kanë frikë se ashtu me kobure në brez dhe bajnë si i thotë ajë, nga frika se i kërcënon, prandaj e gjithë kjo që ka ardhë krejt, me Myftiun e Qytetit ësht bërë, prandaj ne kërkojmë, që të mos prishet xhamia sa nuk asht vonë, nëse edhe ne si fetarë, i gëzojmë të gjitha të drejtat, si ato që nuk besojnë, të na shifet e drejta, ose urdhëroni, që të prishen të gjitha xhamiat, që kështu ta dimë se ne si besimtar, nuk i gëzojmë të drejtat si të gjithë, por të prishen, bashkë me Myftiun e Qytetit, që e ka delenisë fenë deri në këtë gjendje.
Na kërkojmë, që xhamia të mos prishet, sa nuk është vonë dhe Myftiu të na hiqet fare nga feja. Nëse nuk ndalohet prishja dhe të rregullohet xhamia, ditën e martë, më datë 2 do të vijmë një pjesë e besimtarëve, që të takojmë me juve që të sqarohemi.
Me nderime, Xhemiati dhe besimtarët e qytetit e të fshatrave të Elbasanit. (A.Q.Sh. f.14 / A.P. S.T.R. V.1965 D.1014 fq.76)
Mesim, me shpresë të plotë
30.X.’65
LETRA E BESIMTARIT NGA QYTETI I GJIROKSTRËS, ABIDIN ÇANO, DËRGUAR ENVER HOXHËS, LIDHUR ME PRISHJEN E TEQESË BEKTASHIANE TË BABA ZENELIT, NË ATË QYTET

I dashuri dhe i nderuar shoku Enver
Gëzohem t’ini mire, e shëndoshë me gjithë ç’u dëshiron shpirti.
Dy tri dit ma pare, keshë dalë nga Teqe e baba Zejnelit, në qivurin e Shuqur Çuçit, paçë se kur kanë kryer eshtërat e Babajt të Shuqurit, kanë lënë pa marrë, një gur të shkruar Turqisht, që ky gur duhesh t’i vihej atje, ku kanë vënë eshtërat e Babajt të Shuqurit, ky gur asht shkruar me shkronja Turqisht, që tregon emnin datën e tjera d.m.th., asht si kujtim. Po të doni shkruani Komitetit këtu, ta marrin dhe t’ja vënë në mezar, përqafime qofshi mirë e shëndoshë.
Nderime, Abidin Çano
Gjirokastrë, 26.2.66

Të fundit

Rikthehet pas 6 vitesh sfilata e modës së “Victoria’s Secret”

Sfilata vjetore e modës së Victoria’s Secret nuk është mbajtur që nga viti 2018 dhe do të rikthehet zyrtarisht...

Kryeministri i Sllovakisë mbetet në rrezik për jetën

Kryeministri sllovak Robert Fico mbetet në gjendje të rëndë dhe i rrezikuar nga komplikacionet, por për momentin është në gjendje të stabilizuar. Të rejat e...

Ish-drejtuesi i ‘OpenAI’ lëshon deklaratën tronditëse: Kompania nuk ka përparësi…

Një ish-drejtues i lartë i kompanisë së teknologjisë artificiale ‘OpenAI’, i cili dha dorëheqjen në fillim të kësaj jave, tha të premten se siguria...

Lufta/ OKB: 800 mijë njerëz po largohen nga Rafah

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se 800 mijë njerëz po largohen nga Rafah për shkak të luftimeve të vazhdueshme. Media Al Jazeera shkruan...

Këta janë 5 finalistët e “Big Brother VIP 3”

Romeo Veshaj, Jul Deda, Heidi Baci, Egla Ceno dhe Meriton Mjekiqi janë pesë finalistët e “Big Brother VIP 3”. Këtë vit do jenë 5 finalistë...

Lajme të tjera

Web TV