Vajtojcat dhe marangozët gjejnë punë në PD

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Sebi Alla

Kur u lajmërua me megafonin e vjetëruar se do të lindte një parti e re, përveç asaj të Punës, sheshi i Qytetit Studenti më 11 dhjetor 1990 kaloi në ekstrazë gëzimi. Forca e re politike, pas 45 vitesh regjim njëpartiak, u quajt Partia Demokratike. Një mjek kardiokirurg u vu në krye të saj. Kapi edhe një herë bisturinë për ta kalur në teserën e komunistit si “operacionin e fundit” dhe u vëtëshpall demokrat, liberal e madje edhe një personazh që konservatorizmin e kishte “në deje”. Trungu nga u ngjiz PD me një pjesë të drejtuesve thithte ushqimin nga rrënjët e mëmës Parti e Punës. Tashmë kjo forcë politike nuk ka më nenojë për kardiolog, por një ortoped të mirë që do i duhet të ngjisë një e nga një ashtet e dërmuara. Me shpresë se mund të ecë një ditë, ndonëse gjasat janë që dëmtimi është aq i madh sa të mbesë përgjithnjë invalid, në një karrocë që do mundohen ta shtyjnë. Berisha apo Basha? Në mos këta, cili mund të jetë tjetër dhe ai tjetri a do të jetë një “Lul i dytë”, që pastë ymrin e gjatë, tetë vite më vonë, mund të dalë sërish “besëprerë” për Sali Berishën?

Si përfundove kështu oiiiii, oi

Vajtocat kanë punë këtu në PD. Qarëset profesioniste e marrin frymëzimin aty në vend për të thurur vargjet e vajtimit dhe më pas interpretuar me çjerrje faqesh, shkulje flokësh e klithje gjame. Që nga 11 dhjetori në selinë e PD-së shfaqen herë pas here dy grupime; të Berishës dhe të Bashës që nuk lëshojnë zyrat. Vulat janë dy, logot janë dy, personazhet që duan kryetarllëkun dy, ndërsa përkrahësit e çorientuar janë shumë. Po anëtarësia e thjesht, po votuesi i këtij subjekti politik ku është? Njëri mjek, e tjetri jurist nuk po dallojnë më as “humanizmin”, e as “ligjin”, sepse për moral nuk flitet. Tutje moral, kryetarllëku do të ndenjura, – një ta çash, një ta mbash, e një ta japësh me “qira”. Po kush e merr, ashtu si është bërë? Qani Vajtoca, jo për atë grusht njerëzish të veshur mirë, me petkun e deputetit, ish-deputetit a ish-drejtorëve, që edhe pse tetë vite në opozitë, bejagi ja dalin, dhjami i pushtetit të mbaka gjatë. Qani Vajtoca për opozitarizmin që po heq frymën e fundit nga dy personazhe që dikur bënin kryq për njëri-tjetrin e sot janë gati të gëzhdojnë në kryq njëri-tjetrin. Lulzim Basha kërkon edhe një “shans të pesë” për t’u përballur me zgjedhjet, edhe pse asnjëherë nuk ka fituar. Berisha po kërkon rikthimin aty ku e nisi, por fati i keq që idenë e Rilindjes ja përvetësoi Rama këtu e tetë vite më parë, ndaj thuajse si sinonim të saj, ka sjellë Rithemelimin. “Më bëni edhe një herë nuse, pa di unë si nusëroj”, ama kjo shemër e moçme, nuk mund të heqë dorë nga veset e saj, paçka vellos së “nusërimit”.  Qani Vajtoca, a nuk po frymëzoheni? Burrat po nxjerrin edhe gratë demokrate për të përleshur me fjalor të siguruar pa shumë mund, m’u bash e në buzë të Lanës. “Erdhën përfaqësueset e Berishës”, – lajmëron një burrë. Dalin “gratë e Bashës”… “Ku shkoni moj, si nuk ju vjen turp, po ikni nga keni ardh” – Basha, Basha, Basha… Një Vajtocë e vjetër e kap vargun në ajër… “Çuhu PD e prit Evën…, erdhi nga Amerika për ty oiiii, oi – Ka takuar të madhin oiiii, oi”…

Lexo edhe :  Pushteti i humbjes

Erdhën ambasadorët oiiii, oi.

Të dy palët pretendojnë se kanë shumicën, atë shumicë që e përdorin si mish për topat e baltës që derdhin mbi sho-shoqin. Basha ka nevojë për çdo të huaj, qoftë ai edhe një turist ditor që kalon atypari nga PD-ja. Mjafton të quhet Xhejms, Han, Françesko, Ertogrul apo Jorgo. Imagjino që ata të jenë ca përfaqësues diplomatik edhe në përfundim mandati. Erdhën ambasadorët Oiii, oi, çohu PD e na lulëzo oiii, oi. Takim i gjatë, më shumë se një orë, dalin ambasadorët. A e panë të sëmurin që lëngon? Ata dhanë shpresë: “do bëhet më mirë”. Gazi i madh na ka kapur. Jo Gazi që hë për hë shihet si mbështetësi më i madh i Lulzim Bashës dhe eminenca gri që të këput m’u në kokërr të ligjit si “kryejurist”. Po çfarë Gazi, rrudhni buzët, ambasadorët ikën, as “komposto” nuk lanë tek i “sëmuri”. Kush tjetër po vjen?

Erdhën marangozët oiiii, oi

Marangozët po bëjnë festë… Kanë goxha punë. Paradite ndërrojnë një bravë, pasdite vjen një fuqi tjetër dhe e shkatërron, ata që e shkatërruan vendosin bravën e tyre, të tjerët kundërpërgjigjen me shqyerje dere. Punë zyrash, çështje vule dhe logoje që e shëtisin nga “llogjet” e menderë jush kryetarëve. Deri tani nuk ka dalë ndonjë demokrat që të shprehet: “nuk duam as bukë, as ujë, as rrugë, as punë, as pushtet, por vetëm ju të dy mos u grindni”. Këtë e ka partia tjetër, që pastë ymër edhe ajo, shin lëmën dhe hargaliset teksa sheh rivalët… “oh ç’u kënaqëm”. Ata marrin benefitet e pushtetit, ne e hamë, ata hanë çtë dalë përpara në menunë qeverisëse të pasur me korrupsion, afera, punësime klienteliste, influencë qeverisëse dhe si aperitiv kanë propagandën që tret pjatën e bollshme të abuzimit. Kur opozitarizmi ka kaluar në agoni, çfarë pret nga të shëndetshmit në qeveri. Vajtocat janë ende në PD për të lëshur gjamën e fundit… Të rrita me thërrime oi, oiiiii. Më ike në lule të rinisë, vetëm 31 vjeç oiiii, oi… Po si e vrave krijesën tënde oiii, oi. 77 vjeç do të bëhesh sërish baba oiiii, oi.

 

Të fundit

Përplasen dy helikopterë, humbin jetën të gjithë personat që ndodheshin në to

Dy helikopterë privatë janë përplasur në Finlandë, duke lënë pas viktima. Të pesë pasagjerët e helikopterëve që u përplasën në...

Greqia padit Adidas për reklamën me Akropolin, shkelje e trashëgimisë kulturore

Autoritetet greke kanë nisur veprime ligjore pasi pamjet e një reklame të re të Adidas, ku Akropoli i shekullit të V p.e.s. shfaqet si...

Shqipëria në finalen e Eurovision/ Votoni ‘Zjerrm’, le ta çojmë atje ku e meriton

Nata finale e Eurovision, ku Shqipëria përfaqësohet me Shkodrën Elektronike dhe hitin ‘Zjerrm’ po përcjell emocione të veçanta në botën mbarëshqiptare. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe...

Opozita kontenstoi votat/ Celibashi nxjerrë blof Berishën: PD nuk ka sjellë asnjë provë

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se Partia Demokratike nuk ka paraqitur asnjë provë për të mbështetur pretendimet e saj mbi manipulimin e votave të ardhura...

Modë, muzikë dhe turizëm/ Vlora çel sezonin turistik me mbrëmje festive

Në një skenë gjigande të ndërtuar në shëtitoren Lungomare, pranë "Ujit të Ftohtë" Vlora çeli zyrtarisht mbrëmjen e sotme sezonin turistik. Çelja e sezonit u...

Lajme të tjera

Web TV