“Matrapaz’ e kokëtharë”/ Poezia e Nolit që himnizon kosovarët, por ‘përqesh’ shqiptarët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Fan Noli është një prej figurave më të shquara të kulturës shqiptare. Me një mit të konsoliduar rreth vetes si njeriu që mund të bënte gjithçka, nga politika e muzika, te letërsia e studimet, Fan Noli mbetet edhe sot e kësaj dite një prej figurave kulturore më të cituara në arealin shqiptar.

E mes vargjeve të cituara më së shpeshti, janë vargjet e poezisë së njohur “Zgjidh e merr vet”, të cilat janë si vijon:

“A të duhen luftëtarë,

Gjithë botës t’i vësh zjarrë?

Do arratinë të marrë?

Merr nja dhjetë Kosovarë!”

Një kulturë si e jona, që jo rrallë krijon përshtypjen e vuajtjes nga ide të krekosjes e të vetëmadhërimit, e pranon pa kurrfarë shqyrtimi kritik një trajtim të tillë të “njeriut kosovar” në poezinë e Nolit.

Megjithatë, kjo poezi është problematike, me një mendësi të pafalshme të paragjykimit provincial e stereotipeve të tilla që ju bëjnë të mendoni se si mund t’i ketë shkruar këto vargje e njëjta mendje që i ka shkruar introduktat për Shekspirin, që ka përkthyer autorët fundamentalë të letërsisë botërore, e që ka ditur edhe të shkruajë poezi që i qëndrojnë edhe sot dinjitetshëm trajtimit kritik.

Mund të na pëlqejnë këto katër vargje specifike, sepse e lavdërojnë e e lëmojnë egon e kosovarit që i lexon, por lëvdata paushalle për dikë, hap rrugën për kritikën po aq paushalle, në mos më shumë, për dikë tjetër. Sepse kjo është mendësia e paragjykimit dhe si e tillë ajo vazhdon të prodhojë të njëjtat produkte, vazhdimisht, e vazhdimisht, e vazhdimisht.

Le të shohim, për shembull, ç’thotë Noli për krutanët.

“A të duhen gënjeshtarë,

matrapaz’ e kokëtharë,

që rërën shesin për farë?

Merr Krutanë dhe je i larë!”

Ai i paraqet krutanët, siç edhe shihet në vargje, si gënjeshtarë, matrapazë, kokëtharë që rërën e shesin për farë. Me të tilla paragjykime provinciale është e mbushur e gjithë poezia e njohur e Nolit, të cilës ne ia citojmë vetëm vargjet për kosovarët.

Për shembull, mes vargjeve problematike janë edhe ato për elbasanasit:

Po qefli a të duhen

që me jevga din’ e kruhen,

Zonja që pjellin çdo vit?

Vetëm Elbasani rrit.

Kjo i ka dy probleme themelore: e para, “që me jevga din’ e kruhen”, përfaqëson “cullak” racizmin. Në këtë pjesë të vargjeve, e meta e elbasanasve na del që ata nuk janë mjaftueshëm racistë për standardet e autorit, ashtu që të mos “dinë e kruhen me jevga”.

Vargu tjetër “Zonja që pjellin çdo vit? Vetëm Elbasani rrit.” është jo më pak problematik. Duke e anashkaluar termin “pjellin” që në gjuhën e sotme i referohet kafshëve, por këtu duhet të jemi të vetëdijshëm që gjuha dhe psikologjia e përjetimit të termave gjuhësorë ka ndryshuar, megjithatë vargjet e bëjnë gruan fabrikë fëmijësh. Redukton qenien e saj, do të mund të thoshin aktivistët për çështje gjinore. Dhe këtu do të kishin të drejtë plotësisht.

Lexo edhe :  "Jemi bërë më pak konkurrues": Stanley Donwood për krijimin e artit ikonik të Radiohead

Lexojeni të plotë:

Gjithë botës t’i vësh zjarrë?

Do arratinë të marrë?

Merr nja dhjetë Kosovarë!

Njerez të zgjuar me lezet

që i gjen në ç’do anë,

të bëjnë hallv’ e salep,

keta janë mjeshtrit Dibranë.

A do njerëz për ahengje,

Për tryez’ e për kuvende?

Burra e gra kërcejn’ në lodër?

Keta i gjen veç në Shkodër!

A të duhen gënjeshtarë,

matrapaz’ e kokëtharë,

që rërën shesin për farë?

Merr Krutanë dhe je i larë!

Po qefli a të duhen

që me jevga din’ e kruhen,

Zonja që pjellin çdo vit?

Vetëm Elbasani rrit.

Do ministra Kolonjarë,

se mbahen burra me mënd,

duan kudo të jenë të parë

në mexhlis’ e në kuvend !

Do budallenjë që veç hanë,

e hajvanë me dy këmbë,

pasuri s’dinë të vënë?

E ke gjithë Myzeqenë!

A do te rruash florinë,

katandinë e shtëpinë,

me dy qofte mbush sininë?

Ec’ e merr Gjirokastrinë!

Do të hash e të besh qejf,

Sofra shtruar si për mbret?

Pastërti e për hyzmet?

Të tillë gjen në Përmet

A do male me dëborë,

Trima t’ fortë e malësorë,

fort bujar’ e burrërorë?

I ke n’ Kukës, i ke me dorë!

Matjanët burra të zotë,

që dikur kanë ngrenë barot,

se i njeh gjith’ vendi mbarë,

Janë të gjithë për xhandarë!

A do trima e sejmenë,

kapardisur kudo venë,

pa zëre gjumi mos flenë,

Për tre Mirditor’ bëj benë!

Do dembela për Stamboll’,

Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,

Më Tiranë rresht’ taborrë,

Vetëm të zgjatësh një dorë!

Do për punë një Korçar,

E ke bujk dhe ushtar,

Te gjith’ bashkë venë në arë,

Kok’ e këmbë s’kanë të sharë!

Hall i math me Skraparlinë,

ka rrezik të hash dhe dru,

Dy ministra le rrinë,

Se na duhen dhe pa tru!

A do urt’ njerzit të rrinë,

Në komandë të kesh ushtrinë?

Me taban ta kesh njerezinë,

Merr të gjithë Labërinë!

Ore të gjorë harruam Vlorën,

se kjo punë lahet me gjak;

Dy shirita, një medalje,

Kësaj gjëje i venë kapak!

A të duhen sharlatanë,

që të lëpihen në ç’do anë,

që të përçajnë vatanë?

Ke sa të duash Tropojanë!

Ka megjithatë, një argument që e mbron poezinë. Argumenti është ai i ndarjes së stilit, rimës e kualiteteve të tjera stilistike të poezisë nga ajo që një tekst i caktuar e thotë.

Edhe nëse i mbyllim sytë ndaj gjithë këtyre konstatimeve të papranueshme, poezia është e dobët dhe e ndërtuar monotonshëm. Me të njëjtin sistem rimash dhe jashtëzakonisht e parashikueshme.

Sidoqoftë, kjo poezi nuk mund të gjykohet për stil, sepse qëllimi s’është stili, por konstatimi. Qartazi, autorit nuk i bën fare se çfarë rime a çfarë gjuhe ka zgjedhur, i intereson mesazhi. Dhe mesazhi është aq skandaloz, sa të bën të ndiesh dhimbje.

Të fundit

Plani sekret i Pentagonit, krijohet ushtria për protestat civile

Administrata Trump po vlerëson planet për krijuar një “Forcë Reagimi të Shpejtë për Trazirat Civile të Brendshme” të përbërë...

“Zelensy mund të tërhiqet nga Donetsku, po i bën presion Trump”

Autoritetet ukrainase po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së forcave nga zonat e Donetskut që ende mbahen nën kontrollin e tyre, në rast se rritet...

“Djegia e kazanëve me plehra, fenomen mesjetar shqiptar”

Nëse ligji nuk vepron dhe ndëshkon, i nxit më shumë shkelësit apo inkurajon që të vijojnë në praktikën e tyre të kundravajtjes penale. Kjo shpjegon...

Lookman i pamundur, Inter piketon yllin e Bundesligës

Inter ka hequr dorë përfundimisht nga Ademola Lookman. Edhe pse ra dakord për kushtet personale me lojtarin dhe gjithçka dukej në rregull, problemi qëndron...

Ushtarët ukrainas po humbin shpresat: “Rusia po rigjenerohet”

Takimi midis Donald Trump dhe Vladimir Putin, në Alaska, përveç pritshmërive ka edhe shumë skepticizëm. Të parët që shprehen për këtë janë ushtarët ukrainas...

Lajme të tjera

Web TV