Akti i fundit?!/ Blofi presidencial me shpërndarjen e Parlamentit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kreu i shtetit, Ilir Meta, paralajmëron dekret për shpërndarjen e Parlamentit. Kërcënimi për protesta në ditën e shënuar të 2 marsit 1444 me Besëlidhjen e Lezhës. Kthimi 576 vite pas dhe mesazhi se do të jetë në “krye të popullit” për t’i marrë vetë institucionet. Çfarë po luan kreu i shtetit dhe tri pikat që përcakton Kushtetuta kur mund të shpërndahet Parlamenti. Beteja mes interpretimit juridik dhe luftës politike.

Nga Sebi Alla

Për Presidentin Ilir Meta, lëvizja në “mbrojtje të Kushtetutës” mund të jetë e fundit si numri një i vendit. I angazhuar fort në denoncimin që, sipas tij, ka të bëjë me tentativën e qeverisë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, Meta ka lënë të kuptohet se mund ta shpërndajë Parlamentin me një dekret të tij. “Përpara se të më shkarkojnë ata mua (shën. Parlamenti), i shkarkoj unë, megjithëse ata tashmë të shkarkuar janë.

Çfarë legjitimiteti ka ky Parlament? Unë do të bëj çfarë është e mundur që të shmang përplasjen, por nëse ata e kanë me kaq dëshirë t’i shkojnë deri në fund grushtit të shtetit, le t’i shkojnë. Unë do të bëj gjithçka kam në dorë. Do të flas me dekrete. Kur të vijë momenti, unë do t’ju drejtohem si President i të gjithë shqiptarëve”, – tha Meta dy ditë më parë. Ndërsa dje paralajmëroi “Besëlidhje me qytetarët”, duke përcaktuar datën 2 mars, e cila simbolikisht përkon me Besëlidhjen e Lezhës, e mbajtur në vitin 1444, që përcaktoi bashkimin e të gjithë princërve arbërorë nën drejtimin e Skënderbeut.

Besëlidhja ishte për t’u bashkuar kundër pushtuesit osman, ndërsa pas 576 vitesh nga ajo ngjarje, “pushtuesi” është në mesin tonë… Se kush do të jetë “prijës” në këtë drejtim, Meta ia ka lënë vetës si “përgjegjësi” ndoshta në një rrugëtim që mund të jetë fort i shkurtër ose shumë i gjatë në kakofoninë politike në vend. Me parimin “të gjithë të djegur”, duke mos lënë mundësi për humbës dhe fitues, Presidenti po mbahet fort pas denoncimeve në seri për atë që e konsideron “tentativë të pastër të Kryeministrit Edi Rama për kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë”.

Në një konferencë të mbajtur dje, në siglën “e jashtëzakonshme”, tashmë të bërë fort zakon nga zyra e Presidencës, Meta bëri përgjegjës drejtpërdrejt Kryeministrin për futje duarsh në kapjen e Gjykatës Kushtetuese. “Iniciativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese është nga Kryeministri, që është ideatori i këtij puçi shteti”, – tha Meta.

Ndërsa mbrëmjen e së martës, Kryeministri Edi Rama, i relaksuar dukshëm nga 1.15 miliardë eurot donacione dhe kredi të përfituara nga Konferenca e Donatorëve për pasojat e tërmetit, e mori me shumë sportivitet kërcënimin e Metës për shpërndarjen e Parlamentit. “Fallxhorët i ka Presidenti, unë nuk hedh fall. Nuk kam asnjë surprizë, nga Presidenti pres gjithçka, nuk çuditem fare. Edhe sikur të deklarojë mbylljen e të gjithë kufijve”, – tha Rama.

Republikë parlamentare apo presidenciale?

Loja e nervave politike mund të çojë në një kaos institucional me pikëpyetjen e madhe se a ka kompetenca kreu i shtetit për të shpërndarë Parlamentin me një dekret. Në qëndrimet e Metës të bëra publike dje u duk qartë se tentativa për të shpërndarë Parlamentin mund të bëhet fakt, çka do të faktorizonte edhe më shumë jo më Presidentin Meta, por politikanin Ilir Meta, në një nismë e cila do të ketë vetëm një rrugë: daljen në rrugë…! “Nga data 2 mars do të firmoset dekreti i parë, para popullit shqiptar në bulevard do të lidhim një besëlidhje.

Lexo edhe :  Krishtlindje në “Notre Dame”, meshë të shenjtë për herë të parë pas 5 vitesh

Më 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe ju japim fjalën se shumë shpejt nuk do të ketë vetëm një institucion në mbrojtje të Republikës, por të gjitha këto institucione që janë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ do t’i kthehen popullit shqiptar. Ata që kërkojnë popullin e Presidentit në Whatsapp, të porosisin poture të gjera”, – deklaroi Meta, duke ia adresuar specifikisht Kryeministrit Edi Rama, i cili më parë ishte shprehur se ku e kishte Meta popullin në Whatsapp?!

Dalja e Metës në këtë qëndrim, duke ftuar qytetarët në protestë, ia heqin përfundimisht kostumin presidencial, duke vënë në dyshim edhe “formën qeverisëse” nëse jemi një republikë parlamentare apo presidenciale. Epiqendra e debateve lidhet specifikisht me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, ku përplasjet janë të hershme, që nga tetori i vitit të kaluar. Me një lojë procedurash dhe afatesh, KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) dhe Parlamenti e konsideruan si fakt të kryer emërimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Meta u kundërpërgjigj, duke zgjedhur Marsida Xhaferllarin, ndërsa Vorpsi në një veprim të paprecedent u “betua” para noteres dhe jo para kreut të shtetit sikurse e parashikon Kushtetuta.

Këtë ngërç e zgjidhi disi shpejt vetë Gjykata Kushtetuese e cila njohu Xhaferllarin si anëtare të saj, por kjo “fitore” e parë e Metës nuk u prit mirë nga qeveria dhe Parlamenti, që për t’i ngushtuar hapësirat ligjore dhe kushtetuese kreut të shtetit ka propozuar që anëtarët të cilët do të zgjidhen në vijim në Gjykatën Kushtetuese jo domosdoshmërisht duhet të betohen para Presidentit, në mënyrë që të zyrtarizohen. Këtë Meta e konsideron “puç institucional”, po a është “arsye” për të gjetur edhe ai “superkompetenca” në shpërndarjen e Parlamentit? Më shumë se betejë ligjore dhe parimore institucionale mund të jemi para një lufte politike.

Qeveria dhe ndërkombëtarë në sulmin e Metës

Ndërsa publikoi disa dokumente, sipas të cilave institucionet përkatëse nuk kanë dhënë mendim lidhur me mënyrën e betimit të gjyqtarëve të Kushtetueses, ndryshuar nga Kuvendi, Presidenti Meta ka kërkuar ndihmën e popullit shqiptar.

“Në kuadër të transparencës për çmontimin e grushtit të shtetit, kërkojmë ndihmën e gjithë popullit shqiptar, ta shpartallojmë së bashku në emër të bandave kombëtare dhe ndërkombëtare të krimit të organizuar, që e duan vendin tonë lavatriçe për punët e tyre dhe një pjesë të mafias ndërkombëtare që mbështet hapur aktivitetin e tyre”, – tha Meta.

Në këtë qëndrim ka hapur betejë në dy fronte: ndaj qeverisë “Rama”, por edhe faktorit ndërkombëtar, një pjesë e të cilëve duke e lidhur me ambasadorë të veçantë thotë se janë të lidhur drejtpërdrejt me Kryeministrin, duke e përkrahur në kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Sipas kreut të shtetit: “Kemi një problem të madh, nuk po e gjejmë dot aktin me të cilin është kërkuar dhe realizuar botimi në ‘Fletoren zyrtare’ i shpalljes në emër gjoja të KED i Arta Vorpsit, që Kuvendi e konsideroi të zgjedhur dhe e përjashtoi nga kandidaturat e veta. Ndaj ky është shqetësim se Kuvendi ka marrë iniciativë mjaft serioze, ka thirrur Venecian, na duhet ta kemi zyrtarisht kopjen, ndaj Presidenti i ka kërkuar përpara 48 orëve, ka skaduar afati i Qendrës së Botimeve Zyrtare”, – tha Meta.

Të fundit

Urimet për Krishtlindjen! Atmosfera e festës ndihet kudo në Tiranë

Atmosfera e festive të fundvitit ka mbërthyer vendin tonë. Këtë mëngjes krishtlindjesh urimet janë të shumta dhe të gjithë...

Lutjet e Papa Françeskut/ Ati i Shenjtë mbajti meshën “Urbi et Orbi” në Vatikan

Le të heshtin armët dhe të kumbojë paqja në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Ky ishte mesazhi që dha në këtë ditë Krishtlindjesh nga...

Të huajt zgjedhin Durrësin/ Festat, hotelet të rezervuara nga pushues europiane

Hotelet e Durrësit janë të prenotuar nga shtetas të huaj përgjatë këtyre ditëve të fundit të vitit që përkojnë edhe me festat. Sipas operatorëve...

“Parashqevi Simakun e shkatërroi emigrimi”/ Ngjela: Rasti i saj, i denjë për filma

Parashqevi Simaku ndriçoi që në hapat e parë të karrierës, kur me këngët e saj rrëmbeu zemrat e shqiptarëve. Në një intervistë me gazetaren e...

Shpërblim për policët/ Qasje pozitive e qeverisë, bonuset ‘pasojë’ e rritjes ekonomike

TIRANË- Rreth 8 mijë efektivë policie të rolit bazë pritet të marrin shpërblim për festat e fundvitit. Burime për Abc News thanë se brenda javës...

Lajme të tjera

Web TV