Anton Delhysa. Dekorohet! Pushkatohet!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas mbarimit të shkollës, ai drejtoi punimet për ngritjen e disa ndërtesave të rëndësishme, por në shkurt të vitit 1951, u arrestua papritur, me pretekstin e bombës në Ambasadën Sovjetike.

Anton Delhysa ishte një teknik ndërtimi që kishte mbaruar me rezultate të larta Shkollën e Hari Fullcit dhe ishte dekoruar me disa medalje për punët e tij, përfshirë godinën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, por në shkurtin e vitit 1951, u dënua me pushkatim. Ishte ish-shoku i shkollës së mesme, që tani ishte bërë ministër i Brendshëm, i cili vendosi pushkatimin e tij.

Është pështjelluese se si dy njerëz u shfaqën në jetën 47-vjeçare të Antonit në çaste të ndryshme, në mënyrën më kontradiktore të mundshme. Njëri firmosi formalisht dekoratat dhe pushkatimin e tij. Tjetri, nga nxënësi të cilit nuk i mbetej veçse ta vlerësonte djalin e shkëlqyer të një viti më lart, u bë njeriu që vendosi për pushkatimin e tij. I pari ishte Omer Nishani, Presidenti i Republikës Popullore të Shqipërisë. Tjetri ishte Mehmet Shehu, fillimisht bashkënxënës me Anton Delhysën në Shkollën e Fullcit dhe më pas njeriu që do të vendoste pushkatimin e tij në shkurt të vitit 1951.

Antoni ishte lindur në Prizren. Shkollën fillore e kishte kryer në Grac të Austrisë. Më pas ishte kthyer në vendlindje, por për shkak të represionit serb, në vitin 1918, ishte vendosur në Shqipëri, ku kishte marrë dhe familjen: nënën, vëllezërit dhe motrën. Kishte studiuar në Shkollën Teknike të Fullcit, ku ishte dalluar për rezultatet e larta, por edhe për kulturën e gjerë dhe katër gjuhët e huaja. Pas mbarimit të shkollës, ai drejtoi punimet për ngritjen e disa ndërtesave të rëndësishme, por në shkurt të vitit 1951, u arrestua papritur, me pretekstin e bombës në Ambasadën Sovjetike, që, siç është provuar tashmë, nuk kishte të bënte aspak as me të dhe as me 21 të pushkatuarit e tjerë, pas atij incidenti. Ai ishte përcaktuar për t’u arrestuar që në fillim të shkurtit duke iu shënuar emri në listat e drejtorive të Sigurimit të Shtetit dhe ishte pikërisht shoku i tij i shkollës, tashmë ministër i Brendshëm, që vuri kryqin e pushkatimit përbri emrit të tij, një kryq që do t’i mungonte besimtarit të devotshëm mbi varr, sepse ai u gropos me 21 persona të tjera në një gropë të cekët, të përbashkët, në vendin e pushkatimit, në Mënik të Tiranës dhe mbeti aty për 50 vjet. Por, Mehmet Shehu nuk u mjaftua vetëm me shënimet vrastare të prapaskenës që zëvendësuan çdo gjykim dhe shkelën çdo ligj. Njeriu i kujtimeve të rinisë së hershme iu shfaq Anton Delhysës edhe në orët e fundit të jetës, kur shkoi në burgun e Tiranës dhe kërcënoi frikshëm të arrestuarit e atyre ditëve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek ish-shoku i tij i shkollës: “Akoma gjallë qenke, zoti Anton?!”

Mehmet Shehu e dinte që Antoni do të ishte gjallë vetëm për disa orë, e kishte vendosur vetë pushkatimin e tij. Ajo që nuk dihet është arsyeja përse ky njeri që nuk ishte përfshirë kurrë në politikë, u pushkatua. Në librin e tij “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, nga janë marrë të dhënat e këtij shkrimi, historiani Uran Butka sjell interpretimin e tij për pushkatimin e Anton Delhysës. Sipas tij, janë katër arsyet që mund të kenë çuar në eliminimin e teknikut: e para, që ishte nga Kosova dhe kosovarët shiheshin me dyshim nga regjimi komunist; e dyta, se kishte kryer Shkollën Amerikane të Fullcit dhe shumë nga ata që kishin mbaruar këtë shkollë, u burgosën dhe u pushkatuan; e treta, sepse ai kishte drejtuar punimet për ndërtimin e kombinatit të sheqerit në Maliq dhe inxhinierët e teknikët që thanë kënetën e Maliqit dhe ndërtuan kombinatin e sheqerit aty, u pushkatuan si agjentë anglo-amerikanë dhe së fundmi, sepse Antoni kishte ndërtuar në kohën e Zogut Shkollën Amerikane në Golem, Shkollën Teknike të Fullcit dhe Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, vepra që e bënin atë të shihej si agjent amerikan nga komunistët.

Ca kohë më parë, kontributi i tij në ndërtimin e këtyre veprave ishte vlerësuar në dekorata si “kontribut i vlefshëm gjatë periodës së ndërtimit, në ngritjen dhe lumturinë e Atdheut dhe të popullit shqiptar”. Kishte marrë katër medalje pune të Kuvendit Popullor dhe disa vlerësime nga ndërmarrjet e ndërtimit, që me përmbajtjen e tyre e bëjnë edhe më të pabesueshme përmbysjen e ndodhur në shkurt të 1951-shit, kur ai do të akuzohej “për krime kundër shtetit dhe kundër popullit”. U akuzua si agjent amerikan dhe si terrorist. Nuk pranoi asgjë nga këto, sepse asgjë nuk ishte e vërtetë. “Nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam kryer asnjë akt terrorist… Akuzën nuk e pranoj… Në Shkollën Teknike kam qenë, por nuk kam marrë pjesë në ndonjë kurs spiunazhi…”, – janë fjalët e tij të ruajtura në procesverbale dhe të publikuara në librin e studiuesit Uran Butka. Megjithatë, vendimi ishte marrë tashmë. Ai ishte dënuar, pa gjyq, me pushkatim. Profesionalizmi, përkushtimi, kultura, humanizmi, aftësitë dhe virtytet e tij nuk bënë t’i dridhej dora askujt në marrjen dhe çuarjen në fund të këtij vendimi. Ishte shumë e thjeshtë për duart vepruese të diktaturës t’u vinin kryq këtyre vlerave dhe njeriut që i mbartte. Në librin “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, historiani Uran Butka sjell kujtimet e inxhinierit Irfan Tërshana për Anton Delhysën, që i zgjerojnë edhe më dimensionet e tij. Irfan Tërshana kujton që kur po hapeshin themelet e godinës së Ambasadës Amerikane, asaj që ekziston edhe sot në Tiranë, ndërhyrja e Antonit i kishte shpëtuar jetën atij dhe grupit të punëtorëve. Antoni kishte vënë re mungesën e dërrasave mbështetëse në anët e themeleve dhe i kishte nxjerrë jashtë menjëherë. Vetëm pak minuta më vonë dheu ishte shembur.

Lexo edhe :  Spiunët – luftëtarët e padukshëm të Luftës së Ftohtë

Të njëjtin përkushtim kishte pasur për çdo vepër që i ishte besuar. Pas atyre të ndërtuara në kohën e Mbretërisë, ai punoi ca kohë në Bashkinë e Tiranës dhe më pas, gjatë pushtimit italian dhe gjerman, si teknik ndërtimi në kadastër. Me vendosjen e regjimit komunist mbeti ca kohë pa punë, por nuk do të kalonte shumë kohë dhe aftësitë e tij do të nevojiteshin në ndërtimin e kombinatit të sheqerit në Maliq, në spitalin e Gjirokastrës, në fabrikat e tullave të Vlorës dhe Fierit, deri dhe të një depoje drithi në Roskovec, ku u internua pas disa vitesh familja e tij. Dhe pastaj: ndal! Sigurimi kishte vendosur që ai duhet të pushkatohej. Vendimi u ekzekutua mesnatën e 26 shkurtit. Familja do ta mësonte vetëm disa ditë më vonë pushkatimin e tij, kur do të mësonte edhe internimin e saj. E bija, Antoneta Delhysa, nuk mund ta harrojë atë ditë. Ishte 1 mars. Pas dy ditësh, te porta ndaloi kamioni që do t’i çonte drejt vendit të internimit, ku kishin hipur më parë dhe familjet e Manush Peshkëpisë, Lluka Rashkoviçit, Fadil Dizdarit, të pushkatuar me Anton Delhysën. Vetëm një qilim mundën të merrnin nga gjithë plaçkat që u vulosën dhe u sekuestruan, për të mos iu kthyer më kurrë familjes Delhysa. Fillimisht ndaluan në Berat dhe më pas i çuan në vendin e tyre të internimit, në Roskovec. Në mbrëmje, i futën në një depo grumbullimi, pa dritare dhe pa derë, rolin e së cilës do ta luante një perde që polici e hapte sa herë donte t’i kontrollonte. I vetmi që i vizitonte. Fshatarët e zonës i shihnin me frikë. Kjo i priste tashmë: një jetë e vështirë, e survejuar, e izoluar, me barrën e rëndë të drithit në shpinë dhe etiketimin armik. Të gjitha këto tronditje dhe vështirësi do të rëndonin shëndetin e bashkëshortes së Antonit, Xhulianës, dhe lutje pas lutjesh, familjen e hoqën nga Roskoveci dhe e çuan në Kavajë. Survejimi vazhdoi edhe atje. Madje, që kjo të realizohej sa më lehtë, i vendosën në një dhomë ngjitur me policinë.

Për diçka ishin bindur tashmë, siç thotë Antoneta Delhysa: atë terror familja nuk e kishte përjetuar as nga serbi dhe as kur kishin ikur nga Prizreni për në Shqipëri.

Diktatura komuniste e kishte shkelur premtimin e kësaj toke./kujto.al

Mehmeti Shehu: Kundërshtarët t’i pushkatojmë jashtë ligjeve

Të fundit

“Victory”, kur dy gishta nisën të flisnin në emër të një bote të lirë

19 korrik 1941 Nga Leonard Veizi Bota përpëlitej mes shkatërrimit dhe shpresës. Ishin ditë lufte, dhe çdo mëngjes vinte si një...

Situata me zjarret/ Në 24 orë u raportuan 20 vatra, katër ende aktive

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 janë ende aktive. Vatrat e zjarrit janë...

Ngjela: BE ka bërë lëshime në doktrinën e tyre për Shqipërinë, Turqinë e lanë jashtë

Spartak Ngjela thotë se nëse lufta anti-korrupsion bëhet e suksesshme, ligjore, dhe e drejtë, e kemi të garantuar hyrjen në BE. Sipas Ngjelës qeveria...

“Edi Rama shihet si shpresë në Maqedoni”/ Vizita e tij në Shkup bëri jehonë

Ish-ministri i Jashtëm në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani ka vlerësuar figurën e kryeministrit Rama në emisionin në Çdo Kënd me Merita Haklajn. Osmani deklaroi...

Akulli 1.5 milionë vjeçar që pritet të zbulojë sekretet e klimës së Tokës

Akulli më i vjetër i Antarktidës ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar për analiza, të cilat shkencëtarët shpresojnë se do të zbulojnë më shumë...

Lajme të tjera

Web TV