Persiatje mbi yllin dhe Heinekenin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Frrok Çupi

Desha të them se diskutimi që sapo ka lindur mes nesh mbi “yllin e kuq” është njësoj si një shishe birrë: Pa formë rezistente, me një destini vulgare e të pathënshme.  Mora si objekt birrën Heineken, jo thjesht si pije që shkon kudo në botë me yllin e kuq mbi zguall, por edhe për shkak të një ngjarjeje të fundit. Në Hungarinë që mund të quhet ‘konservatore’, është bërë gati një ligj për të ndaluar hyrjen e Birrës Heineken, ose ‘ të heqë yllin’. Sikurse ndodhi në Tiranë me spektaklin e famshëm Sunny Hill të Dua Lipas, ku u sulën kundër yllit të lodhurit e verës pa birrë. Por as birrën nuk e ndaluan dot, as ligjin nuk e miratuan dot as në Hungari, as në Tiranë nuk e ndaluan Duan.  Gjithë sulmi i njeriut kundër konvencioneve të veta, gjatë gjithë historisë ka shkuar huq. Me konvencionet e magjishme të Yllit të kuq dhe të Kryqit të Thyer ka luajtur dhe po luan politika që nuk ka me çfarë e ‘punon tokën’. Të paditurit i bëjnë nder birrës që mbështillet në shishe, si të ishte birra ajo që shpiku yllin.

Ylli (edhe Kryqi) lindi bashkë me njeriun:

Po të hysh të numërosh mes atyre që merren me politikë, burra me emrin ‘Ylli’ dhe gra me emrin “ Yllka” janë në numër thuajse të barabartë si në grupimin e majtë ashtu edhe në grupimin e djathtë. Nuk kam dëgjuar kurrë të ketë ndodhur që pasi Ylli kthehet nga ceremoni për formimin e partisë antikomuniste, ose pasi erdhi me zë të mekur pas protestës ‘ kundër komunistëve’[FC1] , dikush nga familja t’i ketë mbyllur derën e t’ i thotë “Shko fli me Leninin, qen bir qeni!”.  Nuk mundet, ashtu si nuk mund të ndalohet birra Heineken, as uji San Pellegrino, as Milky Way… të gjithë kanë yje. Djemve dhe vajzave u thërrasin ‘o yll’, të dashurën e përkëdhelin ‘yll e bukur’;  ka hotele me shtatë yje dhe aty vdesin të flenë antikomunistët; titulli ‘star’ nis në Hollivud e vjen në klasën e parë të shkollës. Gjithë sistemi i vlerës nis e mbaron me yllin. Njeriu, sapo hapi sytë si ‘sapienca’, raportin e parë me natyrën e gjeti te ylli, fëmija për herë të parë vizaton yllin, njeriu i menduar me një gur në dorë bën shenjën e yllit mbi rrasën tjetër; ylli ishte ikonë e lindjes së Krishtit. Edhe Kryqi i Thyer, që nga Babilonia e lashtë, përfaqëson simbolin e mirësisë. Më shumë se një birrë, kjo punë është një enciklopedi.

Enciklopedi  e të humburve:

Këta që ulërijnë kundër Yllit, të gjithëve u ka rënë ylli. Dikur ishin atje, te pesë cepat. Komunistët antikomunistë kanë humbur ‘Kashtën e Kumtrit”, as si komunistë nuk mbahen mend për mirë, as në demokraci nuk mundën të fshihen. E vetmja mënyrë për tu shfaqur është kjo: ‘Pashë një yll, nxitoni kundër…’. Ylli ka pasur dy fatkeqësi në jetën e vet: Ditën kur e mori Lenini dhe e vuri në ballë të revolucionarëve shkatërrimtar; dhe ditën kur po e sulmojnë antikomunistët komunistë si këta tanët. Ndërsa Kryqi i Thyer kaloi vetëm një ‘gropë’,  kur e përdori Nazizmi si simbol të shfarosjes. Kur u ndanë në vitin 1990, pjesa më e keqe e komunistëve u shty për në partinë ‘antikomuniste’; as Kryq, as Yll.

Lexo edhe :  Një hakmarrje ndaj qytetarëve që e kanë braktisur

Enciklopedia e të njësojtëve

Ato ditë me shi e ftohtë, dhjetor 1990 kur Bujar Marikaj, një piktor spektakolar, po formulonte logon e gazetës RD, qe një moment kur shfryu i lumtur se ‘e kishte gjetur’ sensin… Mirëpo shpejt i erdhën ata të PD-së dhe i kërkuan edhe ‘ logon e PD’. Bëri si bëri Bujari dhe në një moment nxori nga dora këtë logo që ndodhet sot herë si antikomuniste e herë si antiamerikane. Ngjan më shumë me ‘Drapër e Çekan’, se sa me një krijim imazhi.

-Ka dalë si e Leninit- Bujar, i them.

-E di, e di, por ça të bësh. Këtu në sy të vjen o “Drapri’, o “Cekani”, tha ai me ironi. Por në fakt, Bujari- një piktor i etur për artin perëndimor, kishte në kujtesë më shumë grupe muzikore të famshme, si Deep Purpule. Shikojeni me kureshtje logon e PD, a nuk është e ngjashme me grupin e  famshëm londinez ‘Deep…”? Mund të ishte edhe Pink Floyd, të dy në grupimin ‘rock” bëjnë pjesë… Ngjashmëri magjike. Sot e kësaj dite këtu grinden pikërisht për të ngjashmen. Të ngjashëm me bolshevikët e Leninit, të ngjashëm me vrasjet e Stalinit, të ngjashëm me helmimet e Berja dhe korrupsionin e Causheskut… Të gjithë vetëquhen “anti”, por janë si ata. Po të ishte Bujari sot, do të ngazëllehej nga fantazia e tij artistike që krijoji simbolin ku gjejnë të përngjashmen të gjithë ata që nuk kanë shpirt pozitiv, as aq sa Kryqi.

Enciklopedia e mallkimit:

Pas Yllit mund të vijë rasti të mallkohet e gjuhet me gurë ‘ Drapri’ i antikomunistëve leninistë. Komunizmi më yll në Shqipëri ka vrarë rreth 6000 vetë në 40 vjet, ndërsa post- komunizmi ‘demokratik’ ka vrarë rreth 3000 në tre muaj, veç të tjerëve me dhjetëra. Motivi i këtyre tre dekadave   është urejtja, përçarja dhe vulgizimi. Si lufta e klasave nën simbolin e yllit. Edhe spiunët e Sigurimit, aq sa ishin në komunizëm, aq erdhën, një për një, në demokraci. Pika e ujit është në buzë të gotës, mund të prishet ekuilibri. Mund të nisë mallkimi i ‘Draprit’ të PD dhe të shembet simboli i rremë, gjë që duket e afërt.

Ndoshta është fundi i kësaj epoke vulgare.

Të fundit

Çfarë do t’i ndodhte Tokës nga një stuhi diellore ekstreme

Imagjinoni sikur energjia elektrike të ndërpritej papritur dhe të mos kthehej për orë, ditë apo javë të tëra. Vështirësitë fillestare,...

“Vit stacion”, parashikimi për 2025-ën: Vera u përket lojtarëve të fuqishëm

2025 cilësohet nga Chrysanthi Kalogeri, astrologia e “Shije Shtëpie” në Tv Klan si “një vit stacion”. Në parashikimin e saj për vitin e ardhshëm,...

KQZ teston Platformën Elektronike të Regjistrimit për shqiptarët jashtë vendit

Të drejtën e ushtrimit të votës e ka çdo shtetas shqiptar, dhe në zgjedhjet parlamentare të 11 majit diaspora do të votojë. Institucioni përgjegjës,...

Vendoset kënga e Luizit në shtëpi, Gerta Gixhari habit me veprimin: Ç’është ky…

Ditën e djeshme, në shtëpinë e Big Brother VIP Albania u vendosën këngët e këngëtarit të njohur, Luiz Ejlli. Mirëpo ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen...

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin

Ditët e fundit të këtij viti dhe fillimi i vitit 2025 do të vazhdojnë me mot të qëndrueshëm, temperatura të ulëta dhe pa reshje...

Lajme të tjera

Web TV