Shkarkohet nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano!
Vendimi është marrë në mbledhjen e kësaj të mërkure të Këshillit të Ministrave. Lajmi u bë me dije nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
I pyetur nëse është ‘zgjidhja’ shkarkimi i Gledis Nanos për aq kohë sa përgjegjësi duhet të mbajë edhe vetë ministri për drejtimin e policisë së shtetit, Çuçi u përgjigj se shkarkimi i tij është një masë efikase për një reagim të fortë të policisë.
“Pa diskutim, ka shkallë përgjegjësie, deri tani Këshilli, Qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të tij është masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të policisë në luftën kundër krimit”, tha Çuçi.
Deri në emërimin e drejtorit të ri të Policisë, ministri i Brendshëm tha se detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë.
“Shumë shpejt do t’ju njoftojmë edhe për emërimin e ri”, tha ai.
Dy emrat më të lakuar deri tani për këtë post kanë qenë Drejtori i Policisë Kriminale të Shqipërisë, Neritan Nallbati dhe Drejtori i Përgjithshëm i AMP Muhamet Rrumbullaku.